Qytetarët nuk i blejnë pronat e lëna hipotekë

07/07/2017 9:14 AM 0 komente
Real estate concept

Janë shumë shtëpi, toka, vetura dhe pasuri tjera të luajtshme apo të paluajtshme, që presin një pronar të ri, por janë të rrallë ata që vendosin t’i blejnë ato.

Bëhet fjalë për hipotekat, të cilat bankat komerciale që operojnë në tregun e Kosovës, i kanë vënë në shitje. Shitja e hipotekave vjen si pasojë e mospërmbushjes së obligimeve ndaj bankave nga ana e kredimarrësve.

Për të marrë ndonjë vlerë të caktuar të kredisë, klientët e bankave, si peng duhet futur shtëpinë, dyqanet, veturat, tokat deri te pajisjet elektronike të shtëpisë, vlera e së cilave duhet të jetë më e lartë se e kredisë së miratuar.

Por, për shkak të hezitimit të qytetarëve për blerje të këtyre pronave me procedurë gjyqësore, në shumicën e rasteve hipotekat i blejnë vetë bankat, thonë përmbarues privat në Kosovë.

“Ekzekutimi i Hipotekës” nënkupton procedurën gjyqësore për shitjen e kolateralit të hipotekës me qëllim për të përmbushur një detyrim që sigurohet me hipotekë në rastet kur kredimarrësi nuk i përmbush detyrimet sipas marrëveshjes me bankat.

Fadil Hoxha, zëvendëskryetar i bordit të Odës së Përmbaruesve Privat në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se qytetarët ende hezitojnë të blejnë prona të lëna hipotekë në banka.

“Ka një hezitim nga personat tjerë, ndërkaq zakonisht këto hipoteka që i kanë lënë debitorët, si garanci për kthimin e kredisë, kryesisht ose 95 për qind prej tyre, i blejnë vetë kreditorët, përkatësisht bankat”, thotë Hoxha.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike, thonë se tradita e qytetarëve në Kosovë nuk lejon për të blerë prona nga palët e treta, e që janë në ankande publike.

Naim Gashi, për Radion Evropa e Lirë, shprehet se në disa raste të shitjes së hipotekave, blerësi i ri ka pasur problem nga personi, i cili nuk ka arritur të shlyejë borxhin në bankë.

“Pra, arsyeja kryesore qëndron se qytetarët dhe bizneset nuk kanë dëshirë që përmes blerjes së pronës të blejnë edhe probleme”.

“Kjo ndikon shumë negativisht në funksionimin e tregut të patundshmërive dhe interesave bankare në Kosovë. Në pamundësi për shitjen e hipotekave, bankat po i mbajnë të larta kamatat e kredisë”, vlerëson Gashi.

Ai thotë se edhe mungesa e funksionimit të sistemit të drejtësisë, ndikon në këtë drejtim.

“Sa i përket aspektit legal, unë mendojë se nuk ka asnjë problem për blerjen e këtyre pronave, sepse pronarët janë të ligjshëm dhe legal, por duke marrë parasysh sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë, shpesh herë ka ndodhur që pronarët e rinj të kenë probleme nga pronarët e vjetër, të cilët pronat e tyre i kanë humbur në hipotekë”, shpjegon Gashi.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, mbi 2. 2 miliardë euro ka arritur vlera e kredive në 10 bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, me kamata të interesit mbi 8 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz