Raifeissen Bank, banka më e madhe në vend, i është rikthyer investimit në bono thesari. KJo është bërë e ditur nga drejtues të Bankës së Shqipërisë gjatë një takimi jo-formal me gazetarë vendas. Ky është një lajm pozitiv për qeverinë, e cila ka rritur ndjeshëm emetimin e bonove të thesarit, për t’u ‘furnizuar’ me para.
Bankat reduktuan ndjeshëm investimet në bono thesari, tendencë që ka vazhduar gjatë vitit 2012, ku investimet në bono thesari u ulën me 7.5% me bazë tremujore.
Në gjashtë muajt e parë të vitit, sidomos në tremujorin e dytë, qeveria u vu në vështirësi për financimin e borxhit të brendshëm, teksa bankat, sidomos “Raiffeisen”, që zinte mbi 40% të tregut të bonove nuk investuan më në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, duke bërë që yield-i i bonove të thesarit të mbetej i lartë, pavarësisht politikës së vazhdueshme lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, që uli disa herë radhazi normën e interesit.
Në fund të 9-mujorit 2012, pesha e investimeve në bono të sistemit bankar ndaj totalit të aktiveve zbriti në 8%, nga 10% që ishte në fund të 2011-s.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.