Banka do të ngadalësojë rritjen në tregjet e saj Europën Juglindore, ku bën pjesë dhe Shqipëria
Raiffeisen Bank International po planifikon që të frenojë planet e veta të rritjes në disa shtete të Europës Qendrore e Lindore, sipas shefit të ri ekzekutiv të huadhënësit austriak.
Në vitet pas rënies së Murit të Hekurt, Raiffeisen – i cili i ka rrënjët në kooperativat e fermerëve austriakë – u zgjerua me shpejtësi në Europën Qendrore e Lindore dhe tani është huadhënësi i tretë më i madh, duke qenë e pranishme në 17 tregje.
Por që nga dorëheqja e Herbert Stepic si shef ekzekutiv, i cili ishte forca udhëheqëse pas kësaj strategjie, investitorët kishin spekuluar se huadhënësi austriak mund të tërhiqet nga disa tregje.
Karl Sevelda, i cili ka marrë postin e z. Stepic në qershor, tha se ndërsa ai nuk planifikon që Raiffeisen të largohet nga ndonjë nga tregjet e veta të Europës qendrore “për momentin”, lideri austriak do të përqendrojë përpjekjet për rritje në gjashtë vende: Rusia, Polonia, Republika Çeke, Sllovaki, Rumani dhe Austri. “Në tregjet e tjera, veçanërisht në Europën Juglindore, ne do të ngadalësojmë rritjen,” tha z. Sevelda. “Në disa prej tyre madje do të tkurremi. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Slloveninë, por duke pasur parasysh kushtet aktuale në Hungari, ne nuk kemi ndonjë interes të zgjerohemi as atje.”
Z. Sevelda tha gjithashtu se gjetja e një partneri të jashtëm ishte gjithashtu një mundësi në kërkimet e bankës për kapital të ri.
Raiffeissen në Shqipëri
Raiffeisen është e pranishme në Shqipëri që prej vitit 2004, kur bleu Bankën e Kursimeve. Ajo është banka më e madhe në vend, me rreth 28.7% të totalit të aktiveve, ndonëse pesha e saj është reduktuar me disa pikë përqindjeje vitet e fundit, si rrjedhojë e ngadalësimit të ritmeve të rritjes së bankës, sidomos dy vitet e fundit, kur huadhënësi, në përgjigje të guidave të bankës mëmë ka reduktuar investimet në huadhënie dhe blerjen e letrave me vlerë të qeverisë.
Burimi: Shoqata Shqiptare e Bankave
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.