Banka Europiane e Investimeve (BEI) ka riafirmuar angazhimin për të mbështetur Ballkanin Perëndimor. Në vitin 2017, banka e BEI-së nënshkroi kontrata financimi në rajon që arritën shumën 330 milionë euro dhe disbursoi 548 milionë euro.
Me një financim total prej 7 miliardë eurosh që nga viti 2007, BEI ka konsoliduar rolin e tij si financuesi kryesor ndërkombëtar në rajon. Kreditë dhe grante të reja me vlerë 347 milionë euro janë nënshkruar që nga fillimi i këtij viti, me qëllim lehtësimin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Javën e kaluar, në një konferencë për shtyp në Beograd, nënkryetari i EIB-së, Dario Scannapieco, paraqiti rezultatet e vitit të kaluar në Serbi dhe në Ballkanin Perëndimor, si dhe objektivat dhe strategjinë që do të ndiqen gjatë 2018-s në kuadër të Iniciativës për Fleksibilitet Ekonomik (ERI).
Gjatë të njëjtit event, u nënshkruan edhe dy kredi të reja në favor të ekonomisë serbe: 134 milionë euro për hekurudhën Nis-Dimitrovgrad dhe 30 milionë euro me Bankën “Intesa Beograd” për huadhënie ndaj NVM-ve.
Këto operojnë në bazë të dy linjave të tjera të kreditit në të mirë të NVM-ve që janë nënshkruar që nga fillimi i këtij viti me Erste Bank Serbia (60 milionë euro) dhe Societe Generale Serbia (50 milionë euro).
Për më tepër, u nënshkruan edhe dy grante për investime me një shumë totale prej 73 milionë eurosh, të financuara nga burimet e BE-së, në kuadër të Strukturës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor.
Në vitin 2017, Fondi Europian i Investimeve (pjesë e Grupit të BEI) vuri më shumë se 62.5 milionë euro në garanci dhe instrumente të tjera, duke përfituar një shumë investimi prej rreth 348 milionë eurosh. Gjatë vizitës së tij, z. Scannapieco u takua me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministren, Ana Brnabic, si dhe me Kryetarin e Parlamentit Europian, Antonio Tajani.
Diskutimet synojnë të forcojnë dhe të zgjerojnë fushën e mbështetjes së Grupit të BEI për Ballkanin Perëndimor, me një fokus të veçantë në Iniciativën për Fleksibilitet Ekonomik, nisma europiane që synon përmirësimin dhe zhvillimin e infrastrukturës sociale dhe ekonomike dhe nxitjen e rritjes dhe krijimin e vendeve të punës në pjesën jugore dhe në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e krizës së emigracionit.