Rajon / BERZH do të investojë të paktën 1.25 mld dollarë amerikanë në Ballkanin Perëndimor

06/04/2019 10:10 PM 0 komente
Enzo Quattrociocche

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) planifikon të investojë të paktën 1.1 miliardë euro në infrastrukturë, energji dhe në sektorin privat të Ballkanit Perëndimor gjatë këtij viti, tha në një deklaratë për shtyp, një zyrtar i lartë i BERZH-it.

Kjo bankë, e cila u themelua në vitin 1991 për të investuar në ekonomitë ish-komuniste të Europës Lindore dhe që tani operon në 38 vende, është huadhënësi më i madh në Shqipëri, Bosnjë, Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi.

“Ne kemi investuar 1.1 miliardë euro në 2018 në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor dhe planifikojmë të investojmë thuajse të njëjtën shumë edhe gjatë këtij viti”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i BERZH-it, Enzo Quattrociocche për Reuters.
Kjo bankë do të zhvillojë takimin e saj të përvitshëm dhe Forumin e Biznesit në Sarajevë më 8-9 maj të këtij viti, në të cilin udhëheqësit e gjashtë vendeve do të diskutojnë për ekonomitë e tyre dhe mënyrat e mundshme për t’i zhvilluar ato më tej në sektorë të ndryshëm.

“Duke qenë se takimi do të zhvillohet në Sarajevë, vëmendja do të përqendrohet më shumë në Bosnjë-Hercegovinë dhe rajon në përgjithësi”, tha z. Quattrociocche. “Nga njëra anë, kjo është një nismë politike. Nga ana tjetër kjo do të japë fryte në aspektin e projekteve ndërkufitare, çka është edhe ajo për të cilën këto vende kanë më shumë nevojë. BERZH po ndihmon në privatizimin e kompanive në të gjithë rajonin dhe financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme”, tha më tej z. Quattrociocche.

Ai theksoi se sektori i NVM-ve është një prej shtyllave më të rëndësishme të ekonomisë, duke shtuar se banka po u ofronte kompanive akses në financim, duke zgjeruar huatë nëpërmjet bankave vendase. BERZH është gjithashtu e fokusuar në projektet e energjisë, veçanërisht në energjinë e gjelbër, kjo sidomos pas vendimit të dhjetorit, kur banka miratoi një strategji të re të energjisë ku ndaloheshin të gjitha projektet e fabrikave të qymyrgurit.

“Sa i takon strategjisë së energjisë, ne do të përqendrohemi në burimet e ripërtëritshme dhe efikasitetin e energjisë”, tha z. Quattrociocche. Me përjashtim të Shqipërisë, shtetet e tjera të rajonit mbështeten rreth 70% në fabrikat e qymyrgurit për të prodhuar energji elektrike.

Në lidhje me projektet e infrastrukturës, BERZH deri më tani ka investuar rreth 550 milionë euro në ndërtimin e Korridorit VC që lidh Budapestin me portin kroat të Ploces. Kostoja totale e korridorit shkon në 3 miliardë euro. “Sipas standardeve tona, ky është një projekt shumë i madh”, tha Quattrociocche, duke shtuar se BERZH ka investuar deri në 900 milionë euro deri tani.

Pasi investoi 200 milionë euro në projektet në Bosnjë gjatë vitit të kaluar, banka do të investojë edhe 300 milionë euro të tjera gjatë këtij viti, gjysma e të cilave do të shkojë për projektet e infrastrukturës, tha në fund z. Quattrociocche.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of