Kinën dhe vendet e Ballkanit i pret një e ardhme e gjelbër e përbashkët, ishte mesazhi kryesor i një konference ndërkombëtare të investimeve të energjisë në Ballkan, nga Accenture dhe revista tregtare kineze, “Nengyuan”. Bashkëpunimi në sektorin e energjisë midis Kinës dhe vendeve të Ballkanit ka përparuar shumë në pesë vitet e fundit.
Turbinat e para të erës nga Kina mbërritën në Malin e Zi në mars për fermën e erës Mozura, një projekt i udhëhequr nga Shanghai Electric Power (Malta) Holding Co, ndërkohë që bisedimet midis partnerëve kinezë dhe rumunë mbi ndërtimin e dy reaktorëve të rinj në termocentralin e Cernavodas në Rumani, janë duke u zhvilluar.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, Termocentrali Stanari, i pajisur me teknologjinë e pastër kineze të qymyrgurit, ka mbi një vit e gjysmë që po funksionon më së miri.
Për vendet e Ballkanit, disa prej të cilave ende nuk janë anëtare të BE-së, por aderojnë për t’u bërë pjesë e saj, progresi në sektorin e energjisë është domosdoshmëri për të nxitur zhvillimin e ekonomive të tyre.
Ekspertët dhe vëzhguesit kinezë besojnë se mundësitë që Kina të bashkëpunojë me ato vende në sektorin energjetik janë të mëdha, ndërkohë që vetë Kina po përparon ndjeshëm në industrinë e energjisë së gjelbër.
Sun Yue, drejtor i Resources Açenture China, tha se Kina është një ndër ofruesit kryesorë të teknologjisë së energjisë së rinovueshme veçanërisht në prodhimin e energjisë së erës, si dhe ka përvojë të pasur në drejtimin e termocentraleve.
Du Xiangwan, akademik në Akademisë Kineze të Inxhinierisë dhe zëvendësdrejtor i Komitetit Kombëtar Këshillues të Ekspertëve të Energjisë të Kinës, tha se Kina mund të ofrojë ruajtje të avancuar të energjisë dhe teknologji të zgjuar të rrjetit, të cilat janë thelbësore për përdorimin efikas të energjisë së re.
Mungesa e fondeve për vendet e Ballkanit për të zhvilluar sektorët e tyre të energjisë do të kompensohet nga investimet ndërkombëtare të udhëhequra nga Kina, si Banka e Investimeve për Infrastrukturën Aziatike dhe Fondi i Rrugës së Mëndafshit, tha Wei Jianguo, zëvendëskryetar i Organizatës Kineze për Shkëmbimet Ekonomike Ndërkombëtare dhe ish-zëvendësministër i Tregtisë.