Pritshmëritë ekonomike për Europën Qendrore dhe Lindore, përfshirë Turqinë (rajonin e EQL) janë përmirësuar sërish lehtazi në janar të vitit 2016. Në anketën aktuale, treguesi i tendencës ekonomike ZEW-Erste Bank Group për rajonin e EQL, është rritur me 4.8 pikë në një nivel prej 4.9 pikësh. Në mesin e vendeve të veçanta, rritja më e madhe deri tani është shfaqur nga treguesit për Republikën Çeke (me rritje 17.4 pikë) dhe Rumaninë (16.1 pikë).
Treguesi i tendencës ekonomike ZEW-Erste Bank Group Economic Sentiment Indicator për Europën Qendrore dhe Lindore pasqyron pritshmëritë e ekspertëve të tregut financiar për rajonin e EQL në një hark kohor prej gjashtë muajsh. Treguesi është hartuar në bazë mujore së bashku me të dhëna të mëtejshme të tregut financiar nga Qendra Mannheim për Kërkime Ekonomike Europiane (ZEW), me mbështetjen e Erste Group Bank, Vjenë, që nga viti 2007.
Treguesi pasqyron se vlerësimi i ekspertëve rreth situatës aktuale ekonomike në rajonin e EQL ka rënë nga 16.7 pikë në një nivel prej minus 5.2 pikë në janar. Një pjesë e madhe e 84.2% e ekspertëve të anketuar pohojnë se situata ekonomike në vend është e pranueshme.
Rajoni EQL në anketë përbëhet nga Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Hungaria, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia dhe, që nga tetori 2010, Turqia.
Ekspertët financiarë janë anketuar në lidhje me vlerësimin e tyre rreth situatës aktuale të biznesit, perspektivave afatmesme të ekonomive përkatëse dhe pritshmërive të tyre në zhvillimin e normës së inflacionit, normave afatshkurtër dhe afatgjatë të interesit, kurseve të këmbimit dhe çmimeve të aksioneve në një hark kohor prej gjashtë muajsh.
Vlerësimet e analistëve pasqyrojnë drejtimin cilësor të ndryshimeve të analizuara.