Shifrat e reja tregojnë se numri i punëtorëve nga dy vendet e Ballkanit, Rumania dhe Bullgaria në Mbretërinë e Bashkuar është rritur me 80% që nga viti 2014.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Zyra e Statistikës Kombëtare në Angli, numri i emigrantëve nga Rumania dhe Bullgaria ka shënuar rritje nga 230,000 në vitin 2014 në 413,000 vitin e kaluar, një rritje rreth 80%.
Këto shifra sigurisht që do të shikohen me seriozitet nga planet e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për të rregulluar më së miri të drejtat e shtetasve të BE-së që punojnë në këtë shtet, pasi Britania të dalë nga BE-ja në pranverën e 2019-s.
Shifrat tregojnë se rreth 23% e rumunëve dhe bullgarëve në Britaninë e Madhe punojnë në sektorin e hoteleri-turizëm, 23% në sektorin e ndërtimit dhe 18% në sektorin bankar dhe financiar. Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 3.4 milionë rumunë dhe 1.2 milionë bullgarë tani jetojnë jashtë vendeve të tyre të origjinës, kryesisht në Itali, Spanjë, Gjermani dhe Britani e Madhe.