Banka Ndërkombëtare Raiffeisen tha se një ekonomi më e fortë në tregun e Europës Lindore do të ndikojë në nxitjen e rritjes së mëtejshme në 2018, si dhe konfirmoi që ajo do të paguante dividendin e saj të parë në katër vitet e fundit, shkruan Reuters.
Banka austriake gjithashtu i tejkaloi parashikimet e fitimit neto gjatë 2017-s, si edhe uli ndjeshëm numrin e kredive të këqija, gjë që i shtyu aksionet e saj të dilnin në krye të indeksit bankar europian.
Fitimi neto i huadhënësit austriak për vitin 2017 u dyfishua në 1.12 miliardë euro ($ 1.38 miliardë dollarë) duke e tejkaluar nivelin prej 1.08 miliardë eurosh të parashikuar nga analistët.
Raiffeisen, e cila operon në të gjithë Europën Lindore, nga Republika Çeke e deri në Rusi dhe deri në Ballkan, pret të përfitojë më shumë nga përshpejtimi i zgjerimit ekonomik në rajon. “Ne jemi shumë optimistë për vitin fiskal gjatë 2018”, u shpreh në një deklaratë për shtyp, shefi i saj Johann Strobl.
Rritja ekonomike në pjesën më të madhe të Europës Lindore po ndihmon huadhënësit të kompensojnë ndikimin e kostove të huamarrjes afërsisht në zero, pengesave rregullatore dhe dëmeve nga hipotekat në valutë të huaj. Shuma e dividendit të propozuar dhe pagesa e parë për aksionerët që nga viti 2013, do të shpallet më 14 mars, së bashku me përditësimin e biznesit të tij në Poloni, tha zyra e shtypit të Raiffeisen.
Në 2016, ajo u përpoq që t’ia shiste njësinë e saj polake, Alior Bank, por kjo marrëveshje dështoi në minutën e fundit. Edhe përpjekjet e saj gjatë 2017-s dështuan si pasojë e mungesës së investitorëve.
Edhe BNP Paribas shprehu interesin e saj në blerjen e Raiffeisen Banka Polska, nëntorin e kaluar, por rregullatori i tregut financiar të Polonisë ngriti pengesa të shumta, gjë që çoi në mosrealizim edhe të kësaj marrëveshjeje të mundshme.
“Ne ende jemi duke planifikuar një Ofertë Fillestare Publike, sepse asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim”, u shpreh gjatë javës të kaluar një zëdhënës i kësaj banke.
Të ardhurat neto të Raiffeisen në 2017 arritën në 3.21 miliardë euro, vlerë kjo që reflekton edhe bashkimin e saj me Raiffeisen Zentralbank
Humbjet nga zhvlerësimi kanë rënë në 287 milionë euro nga 758 milionë. Edhe raporti i kredive me probleme ka shënuar rënie duke shkuar në 5.7% nga 8.7%.
Fitimi neto i konsoliduar për tre muajt e fundit të 2017, deri më 31 dhjetor u rrit në 206 milionë euro (255 milionë dollarë), duke tejkaluar vlerën prej 166 milionë të parashikuar nga analistët.