Sipas një raporti të publikuar së fundmi nga zyra e statistikave të BE-së, më shumë se 2.3 milionë rumunë dhe 533,000 bullgarë të grupmoshës ndërmjet 20 dhe 64 vjeç nuk jetonin në shtetin e tyre, por në një shtet tjetër të BE-së.
Në 2017, një e pesta e rumunëve, një e gjashta e kroatëve dhe një e teta bullgarëve të grupmoshës nga 20 deri në 64 vjeç, banonin kryesisht në një vend tjetër të BE-së, thuhej në raportin e publikuar nga Eurostat. Referuar këtij raporti, të dhënat e sakta ishin 19.7% për Rumaninë, 14% për Kroacinë dhe 12.5% për Bullgarinë, të cilat janë disa herë më të larta se mesatarja për BE-në, e cila qëndron në 3.8%. Kjo paraqet një rritje prej 2.5% që nga viti 2007, përpara se tre anëtarët më të rinj të BE-së t’i bashkoheshin bllokut.
Pjesa më e madhe e emigrantëve të larguar nga vendi i tyre përbëhet kryesisht nga punëtorë dhe nga studentë, të cilët zgjedhin t’i ndjekin studimet e tyre në një shtet tjetër. Ndërsa numri i intelektualëve të larguar është thuajse i barabartë me numrin e atyre që vazhdojnë të jetojnë në vendet e tyre. Norma mesatare e punësimit në mesin e shtetasve të BE-së që jetojnë larg vendeve të tyre të origjinës në vitin 2017 ishte 76%, duke filluar me 82.9% për sllovenët, 79.8% për kroatët, 71.2% për rumunët dhe 68.7% për bullgarët. Ky është një rezultat relativisht më i lartë se norma mesatare e punësimit të shtetasve të BE-së, me 72%.
Qytetarët e Rumanisë dhe Kroacisë kanë më shumë gjasa të punësohen nëse jetojnë jashtë vendit, edhe pse shifrat tregojnë se numri i bullgarëve që kanë gjetur një punë jashtë vendit të tyre është i barabartë me numrin e personave të punësuar në Bullgari. Shkalla e punësimit për qytetarët e BE-së që nuk punojnë në vendin e tyre të origjinës është rritur me ritme të shpejta dekadën e fundit, thuhet në raportin e publikuar nga Eurostat. Qytetarët me kualifikim të ulët, të cilët jetojnë në shtete të tjera dhe jo në shtetin e tyre të origjinës, kanë shënuar norma më të larta punësimi në krahasim me nivelin e qytetarëve me të njëjtin kualifikim që janë ende në vendet e origjinës.
Ndër shtetet që kanë numrin më të ulët të emigrantëve në vende të huaja, janë Britania dhe Gjermania, të dyja me më pak se 1%. Nëse do t’i përcaktonim me numër qytetarësh të larguar nga vendet e tyre të origjinës, në vitin 2017, shtetasit e grupmoshës 20-6 vjeç që e braktisin vendin e tyre ishin rreth 2,366,000 rumunë, 1,762,100 polakë, 1,099,700 italianë, 847,700 portugezë dhe 533,900 bullgarë. Rumunët kanë shënuar rritjen më të madhe të numrit të banorëve të larguar në vende të huaja, nga 12.3 në 19.7%. Përqindja e bullgarëve dhe kroatëve me një diplomë universitare që punon jashtë vendit është pak më e lartë se ajo e popullatës së mbetur brenda kufijve të këtyre vendeve, ndërsa për rumunët, niveli është pothuajse i njëjtë.
Numri i bullgarëve, kroatëve dhe rumunëve me nivel elementar shkollimi që jetojnë jashtë vendit e tejkalon numrin e atyre personave me të njëjtin nivel shkollimi, që kanë mbetur brenda kufijve të vendeve të origjinës. Në vitin 2017, 16.7% e bullgarëve kishin arsimim bazë, ndërsa rreth 36.3% e bullgarëve që jetonin jashtë vendit kishin mbaruar shkollën 9-vjeçare. Diferenca e përqindjes për Rumaninë dhe Kroacinë nuk është kaq e theksuar, por tendenca është e krahasueshme.