Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është për momentin “procesi më i ndërlikuar në Ballkan”, sipas përfaqësueses së BE-së në Prishtinë. Por të dyja palët kanë nevojë për inkurajim të qëndrueshëm nga komuniteti ndërkombëtar për të arritur një zgjidhje përfundimtare dhe për të përparuar në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Kosova, një nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që shpreson të bashkohet me bllokun, ka avancuar shumë në drejtim të liberalizimit të vizave, por ka ende punë përpara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, deklaroi Nataliya Apostolova, përfaqësuese speciale e BE-së në Kosovë, në një intervistë të dhënë për EURACTIV. Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por pesë vende të BE-së, së bashku me Serbinë dhe Rusinë, ende refuzojnë ta njohin pavarësinë e saj (Spanja, Greqia, Qiproja, Sllovakia, Rumania).
Por sipas znj. Apostolova, mosnjohja është një prej problemeve më të mëdha, sepse edhe nëse ky vend përparon në drejtim të zbatimit të reformave të caktuara, në fund ne do të përballemi sërish me këtë problem të madh të mosnjohjes së pavarësisë së saj. Por, një prej shqetësimeve më të mëdha mbetet marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zgjidhja e së cilës është njëkohësisht edhe sfida jonë më e madhe. Një dialog i nxitur nga BE-ja ka treguar disa shenja përparimi në këtë drejtim, por znj. Apostolova thekson sërish se është për momentin “procesi më i komplikuar në Ballkan”.
Ne mendojmë se dialogu është e vetmja rrugëzgjidhje, sepse nuk ka mënyrë tjetër normalizimi të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Ajo shtoi se Serbia, e cila që prej vitit 2014 po negocion për anëtarësimin në BE, ka nisur një dialog të brendshëm rreth kësaj çështje delikate, ndërkohë që Kosova ende nuk e ka bërë këtë.
Asnjëri prej nesh nuk e di nëse njohja e pavarësisë do të jetë edhe fundi i kësaj situate, por gjithsesi ajo do të jetë një hap i rëndësishëm për të dyja vendet në rrugën e anëtarësimit drejt BE-së. Prandaj të gjithë aktorët, partnerët ndërkombëtarë dhe miqtë e ndryshëm që duan ta shohin të realizuar një gjë të tillë, duhet ta inkurajojnë atë me sa më shumë mundësi që të kenë. Dhe kjo do të jetë vërtet arritja dhe forca e BE-së.
“Pas nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi me BE-në në vitin 2015, e cila i dha Kosovës krijimin e ‘një marrëdhënie kontraktuale me bllokun’, liberalizimi i vizave u shndërrua në një çështje tjetër të rëndësishme. “Liberalizimi i vizave është një proces i rëndësishëm për ta, sidomos për studentët, të cilët duan të udhëtojnë dhe të kenë akses në universitete të ndryshme”.
Liberalizimi i vizave është edhe një simbol i barazisë me të gjitha shtetet e tjera të rajonit të Ballkanit. Situata për ta është jashtëzakonisht e vështirë në këto momente, kur ka ende pesë shtete së bashku me Rusinë dhe Serbinë që nuk e njohin pavarësinë e tyre. Një nga pengesat e fundit u hoq kur Parlamenti i Kosovës ratifikoi një marrëveshje të përcaktimit të kufirit me Malin e Zi, por znj. Apostolova theksoi nevojën për të vazhduar më tej zbatimin e “axhendës së reformës europiane” për Kosovën, e krijuar në vitin 2016.
“Një nga objektivat kryesore të axhendës së reformave europiane është përmirësimi i sundimit të shtetit ligjor. Pjesë e procesit të sundimit të shteti ligjor është lufta kundër korrupsionit dhe krimi i organizuar. “Ajo që ne duam të shohim është vazhdimësia e një procesi të mirë dhe të qëndrueshëm, që tregon se ata po veprojnë në mënyrën e duhur për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha ajo më tej. Europa nuk duhet të ketë frikë se do të pushtohet nga një fluks emigrantësh nga Kosova, sepse qytetarët e këtij shteti janë të ndërgjegjshëm se liberalizmi i vizave gjithsesi nuk do t’u mundësojë atyre punësimin në një shtet tjetër”.
Megjithatë nuk duhet të harrojmë pa përmendur faktin se numri i shtetasve nga Kosova që janë përpjekur të emigrojnë në BE ka qenë i madh, pjesa më e madhe e të cilëve kërkojnë azil. Megjithatë ajo tha më tej se, duke marrë në konsideratë moshën e re të popullsisë së Kosovës, Europa duhet ta shikojë këtë të fundit si një avantazh për vete.