Rajoni, drejt një plani të përbashkët për investimet

08/05/2018 11:13 AM 0 komente

Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor janë angazhuar të njehsojnë programet dhe reformat ekonomike nëpërmjet hapjes tërësore të tregjeve, politikave të përbashkëta për taksat dhe investimet. Bashkimi Europian po mbështet këtë nismë, e cila do të jetësohet deri në vitin 2020, i mbështetur me 2 miliardë euro të donatorëve. Në shërbim të këtij plani funksionon Këshilli i Koordinimit Rajonal, i cili tashmë ka vënë në zbatim masat vepruese, ku prevalon një plan i përbashkët për investimet e huaja, turizmin, transportin, energjinë, infrastrukturën dhe heqjen e kufijve doganorë.

Të gjashtë vendet e Ballkanit arrijnë një popullsi prej 20 milionë banorësh dhe nëse njehsohen politikat për tregjet dhe investimet, bëhet një treg interesant për investitorët e huaj.

Gjashtë vendet e Ballkanit, në kuadër të planit të përbashkët për integrimin rajonal, kanë përfunduar draftin për bashkëpunim në fushën e investimeve. Sipas Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, drafti për investimet mbulon gjashtë fusha. Kuadrin ligjor specifik për IHD, pranimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për investimet, lehtësimin e klimës së biznesit, harmonizimin e regjimit tatimor për investimet, harmonizimin e politikave dhe aftësive në forcën e punës dhe përpjekje të përbashkëta në drejtim të promovimit të mundësive për investime.

Ky dokument synon të rrisë konkurrencën e përgjithshme të rajonit, si dhe kapacitetin për të tërhequr IHD-të, veçanërisht në industritë e orientuara nga eksporti dhe zinxhirët e vlerës.Studimi ka përfunduar procesin e konsultimeve kombëtare dhe do të shqyrtohet në Grupin e Përbashkët të Punës për investime të SEEIC-CEFTA. Drafti përfundimtar i studimit është finalizuar dhe në të janë integruar rekomandimet e BE për reformat në sektorin e investimeve.

Donatorët që kanë mbështetur këtë projekt po vijojnë përpjekjet për të përmirësuar imazhin e rajonit në drejtim të tërheqjes së investimeve të huaja. Fokusi i strategjisë së përbashkët të investimeve do të jetë përmirësimi i klimës së biznesit në të gjashtë vendet e rajonit të përfshira në këtë nismë. Qëllimi është që nga përmirësimi në mikro në ambientin e bizneseve të arrihet në përmirësime makro të politikave në vendet e rajonit.
Plani, ndër të tjera, synon lehtësimin e tregtisë. Vendet e WB6 janë të angazhuar për zbatimin e Planit të Veprimit në fushën e tregtisë, për të arritur objektivin e krijimit të një zone ekonomike rajonale në CEFTA, me rregulla të njëjta si në BE.

Masat synojnë uljen e kostos së tregtisë për të eliminuar pengesat dhe për të përmirësuar koston e prodhimit. Kryeministrat e gjashtë vendeve kanë firmosur që deri në vitin 2023, në rajonin tonë mallrat, shërbimet, investimet dhe njerëzit të lëvizin lirisht pa tarifa njësoj si BE-ja sot pa kuota apo pengesa dhe ku tregtia lehtësohet nga rregullat e OBT-së. Kontrollet e përbashkëta kufitare me një ndalesë duhet të nisin nga puna gjatë 2018-2019.

Heqja e barrierave për tregtinë e shërbimeve dhe njohja elektronike e certifikatave duhet të ndodhë deri në vitin 2023. Deri në vitin 2020, duhet të jetë zbatuar protokolli shtesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të CEFTA dhe vendet duhen të kenë kryer investimet në infrastrukturën e brendshme për tregtinë pa tarifa. Deri në vitin 2020 duhet të funksionojë një Task Forcë që të ndalojë subvencionet e fshehta të shteteve të veçanta ndaj sektorëve të caktuar.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of