Rajoni ecën drejt teknologjisë dhe makinave, Shqipëria mbetet 10 vjet pas.. te nafta

22/09/2018 10:10 PM 0 komente

Serbia dhe Maqedonia po udhëheqin rajonin në drejtim të zhvillimit të industrisë së automjeteve dhe teknologjisë, teksa po tërheqin investime të shumta në këta sektorë. Ndërsa Shqipërisë i ka mbetur ora te tregtia e naftës dhe ndërtimi. Njihuni me renditjen e 20 sipërmarrjeve më të mëdha në rajon, sipas të ardhurave…

 

Nga Ornela Liperi

 

Pas rimëkëmbjes ekonomike të pas krizës globale, rajoni po synon të diversifikohet dhe të bëhet më konkurrues. Nga kompanitë e gazit dhe të naftës, që 10 vjet më parë mbizotëronin në listat e më të mëdhenjve të rajonit, gradualisht po kalohet drejt industrive të automjeteve. Në të kundërt të kësaj rryme vijojmë të ecim ne. Kujtojmë që në Shqipëri, ende 4 ndër 10 më të mëdhenjtë janë tregtues me shumicë të karburanteve dhe një tjetër është nxjerrës i saj.

SEE News, një kompani bullgare e inteligjencës, që prej 10 vitesh publikon renditjen e 100 më të mëdhenjve të Europës Juglindore (EJL), konstaton, duke analizuar top performuesit e rajonit, se janë tre faktorë thelbësorë të profilit të një kompanie të suksesshme të EJL: akses në tregjet e mëdha të huaja – shpesh si rezultat i pronësisë së huaj, integrim i një game të plotë aktivitetesh specifike të biznesit dhe dëshira për të përqafuar inovacionin.

Këta faktorë duket se mungojnë thuajse tërësisht në terrenin shqiptar, teksa “dashuria” e tyre vijon të mbetet ndërtimi, siç u konstatua dhe në renditjen e 200 sipërmarrjeve më të mëdha në vend, ku 32 sipërmarrje ishin nga ky sektor ose të lidhura me të, po ashtu dhe 40% e hyrjeve të reja. Investimet e huaja janë të përqendruara në dy projekte të mëdha, gazsjellësi TAP dhe hidrocentrali i Devollit, banka dhe telekomunikacione (kryesisht rritje kapitali). Disa hyrje të reja në industrinë ndihmëse të makinave në Shqipëri janë në montim telash dhe sërish shfrytëzojnë krahun e lirë të punës që po zhvendoset nga Europa Lindore, teksa vende si Çekia apo Polonia po përfitojnë nga transferimi i teknologjisë dhe po heqin dorë nga punët e thjeshta. LEXO RENDITJEN E PLOTE PER SHQIPERINE: http://www.monitor.al/200-vip-e-2017-s-ne-kurthin-e-ndertimit/

Faktorët që po nxisin suksesin në rajon

Sipas raportit të See News, në mjedisin kompleks të pas krizës, pronësia e huaj është shfaqur si një faktor kryesor për suksesin e kompanive vendase, duke i ndihmuar të shmangin shumë nga kurthet e mjedisit lokal, duke u dhënë atyre akses në tregjet e mëdha. Shtatë nga dhjetë kompanitë më të mira në renditjen e EJL për vitin 2016 janë në pronësi të huaj. Fituesi, Automobile Dacia, në Rumani, eksporton 93% të prodhimit të saj. Për kompanitë me pronësi të huaj, kapaciteti për të punuar përtej kufijve është vendimtar për të kompensuar kufizimet e madhësisë së vogël të tregjeve vendase.

Integrimi i gamës së plotë të veprimtarive specifike për një biznes të caktuar është një tjetër përbërës kyç i suksesit.
Kapaciteti për inovacion gjithashtu është shfaqur si vendimtar për suksesin e një kompanie dhe është një fushë në të cilën vendet e EJL-së kanë shumë punë për të bërë.

“Për të qenë konkurrues, ju duhet të investoni në kërkim e zhvillim (R & D) dhe inovacion”, ka pohuar për raportin e renditjes së EJL, Vazil Hudák, zëvendëspresident i Bankës Europiane të Investimeve. “Ju nuk mund të qëndroni vetëm një biznes tradicional. Dhe kjo është një fushë në të cilën bizneset në Europën Juglindore janë duke mbetur prapa. Vendet në rajon janë të vogla, kështu që kanë nevojë të zgjerojnë tregun e tyre dhe kjo do të thotë se ato duhet të jenë në gjendje të punojnë përtej kufijve. Bizneset në këtë rajon duhet të bashkëpunojnë shumë më tepër. Ajo që kemi tani është më shumë një mentalitet i konkurrencës sesa bashkëpunimi”, ka pohuar ai.

 

SERBIA ORIENTOHET DREJT INDUSTRISË SË AUTOMJETEVE DHE TEKNOLOGJIKE

JP EPS BEOGRAD, kompania shtetërore e energjisë, është më e madhja në Serbi, me një qarkullim vjetor prej 2.3 miliardë eurosh.
NIS A.D. NOVI SAD, me 1.9 miliardë euro të ardhura, është i dyti më i madh. Sipas faqes së saj të internetit, NIS është kompania më e madhe e energjisë e integruar vertikalisht në Europë, me aktivitet kryesor në shfrytëzimin, prodhimin e rafinimin, shitjen dhe shpërndarjen e një sërë produkteve të naftës, si dhe zbatimin e projekteve të energjisë.

Në vend të tretë është FCA SRBIJA D.O.O. KRAGUJEVAC, me gati 1 miliard euro të ardhura, që është prodhuesi i makinave FIAT.
Tigar Tyres, prodhuesi i gomave, që prej vitit 2007 është në pronësi të francezes Michelin, renditet në vendin e 11, me të ardhura prej 612 milionë eurosh.

Së fundmi, Shandong Linglong Tire Co. Ltd., prodhuesi i tretë më i madh i gomave në Kinë, me shitjet vjetore prej më shumë se 2 miliardë dollarësh, ka njoftuar se ka zgjedhur një vend në Serbinë e Veriut për një fabrikë të gomave, për një investim prej 994 milionë dollarësh.
Reuters shkruante pak kohë më parë se Serbia po përpiqet së fundmi që të shfrytëzojë teknologjinë e informacionit për të dalë nga stanjacioni ekonomik pas luftërave ballkanike të viteve 1990. Edhe pse Serbia është një lojtar thuajse i parëndësishëm në botë, apo madje edhe në Europën Perëndimore, ajo tani po gjeneron 10% të Prodhimit të saj të Brendshëm Bruto nga Teknologjia e Informacionit. Kompanitë serbe po prodhojnë softuerë për industri të ndryshme, duke filluar nga bujqësia e deri në mjekësi, si dhe makinat me vetëdrejtim, aplikacione të reja lojërash online, etj. Ato janë duke drejtuar edhe call center dhe qendrat e shërbimit ndaj klientëve.

Si pjesë e strategjisë, Serbia po tërheq investitorët e huaj me statusin e pagës së ulët, si dhe me subvencione deri në 10,000 euro për çdo punonjës. “Teknologjia e Informacionit dhe axhenda dixhitale, janë e ardhmja e ekonomisë”, tha për Reuters, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
“Sektori i Teknologjisë së Informacionit i Serbisë është produkt i vetë inteligjencës sonë … ne duhet të vazhdojmë të trajnojmë sa më shumë njerëz të jetë e mundur për të punuar në këtë sektor”, shtoi ai. Disa prej kompanive kryesore, duke përfshirë Microsoft, IBM dhe Intel, kanë krijuar qendrat e zhvillimit në Serbi, duke ofruar punë për vendasit kundrejt një pagese që është rreth tre herë më e lartë se paga mesatare mujore e Serbisë prej 420 eurosh, por shumë më e ulët nëse do ta krahasonim me atë të vendeve të Bashkimit Europian.
Google po mbështet startup-et e Serbisë, duke lidhur programin Google Developers Launchpad, i projektuar për të ndihmuar komunitetet zhvilluese dhe startup-et që të rriten, me kompaninë teknologjike, Start, me qendër në Beograd.

 

Maqedonia, mbizotërimi i industrisë së automjeteve

Në Maqedoni, ka një mbizotërim të prodhuesve të automjeteve, me kompanitë e huaja perëndimore dhe amerikane, që kanë investuar ndjeshëm vitet e fundit, të tërhequr nga lehtësitë fiskale, që shteti maqedonas u ka ofruar investitorëve përmes zonave të lira ekonomike, duke ndikuar në rritjen e punësimit dhe eksporteve në vend. Investimet e tyre janë të vogla në vlerë absolute, duke u luhatur në 20-30 milionë euro, por efekti në punësim ka qenë i konsiderueshëm. Tre prej tyre ndodhen në renditjen e më të mëdhenjve.

Johnson Matthey DOOEL, prodhuesi maqedonas i katalizatorëve dhe pjesëve të makinave, vijon të jetë më i madhi i Maqedonisë, me të ardhura 1.5 miliardë euro në 2017-n, teksa ka rreth 800 të punësuar. Ky subjekt është dhe eksportuesi më i madh në Maqedoni, teksa të ardhurat e tij janë sa 75% e gjithë eksporteve shqiptare (që ishin rreth 2 miliardë euro në 2017-n, sipas INSTAT).

KROMBERG & SHUBERT MAKEDONIJA DOOEL Bitola, me aktivitet në prodhimin e sistemeve elektrike për automjetet, kishte të ardhura prej 150 milionë eurosh dhe renditej në vend të shtatë në 2017-n. Kompania ka mbi 4300 të punësuar. Qeveria maqedonase nënshkroi një kontratë me kompaninë gjermane Kromberg & Schubert në dhjetor të vitit 2011 dhe dy vjet më vonë, në tetor 2013, ata hapën një fabrikë për prodhimin e kabllove të makinave, të vendosura në zonën industriale Zhabeni, pranë Manastirit. Investimi ishte rreth 20-26 milionë euro. Qeveria maqedonase e ka përshkruar fabrikën Kromberg & Schubert në Zhabeni si investimin më të madh, sa i përket numrit të punonjësve, në historinë e Maqedonisë vitet e fundit.

Fabrika e re e autobusëve të Van Hool në Shkup, e përuruar në vitin 2014, renditet në vendin e 10, me të ardhura prej 135 milionë eurosh tre vjet pas hapjes së aktivitetit. Një porosi e madhe nga tregu amerikan për 500 autobusë nxiti prodhuesin belg të autobusëve të investonte 25 milionë euro në Maqedoni. CEO Filip Van Hool e ka shpjeguar kështu zgjedhjen e Maqedonisë, në momentin që vendosën të bënin investimin: “Van Hool dëshiron të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm në tregun amerikan. Nga fillimi ishte e qartë se ne nuk mund të ndërtonim 300 autobusë standardë në Belgjikë: kosto ishte e shtrenjtë, mbi të gjitha për shkak të pagave të larta për ndërtimin e autobusëve të standardeve bashkëkohore. Pas një analize të detajuar të disa mundësive, vendosëm të ndërtojmë një fabrikë të re në Maqedoni.

Vendi, megjithëse nuk është anëtar i BE-së, është megjithatë shumë i orientuar drejt Europës. Klima e favorshme e investimeve, së bashku me kushtet e punës dhe aftësitë e fuqisë punëtore të motivuar, na nxitën që të bëjmë një investim prej 25 milionë eurosh në Maqedoni”, ka pohuar ai në momentin e përurimit. Sot, fabrika ka rreth 400 të punësuar.
Zhvillimi i industrisë së automjeteve ka nxitur eksportet e vendit. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve në Maqedoni ishin gati sa 50% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2016-n, referuar të dhënave të Bankës Botërore, ndërsa në Shqipëri, ky tregues është gjysma, rreth 27%.

Edhe Bosnja, si Shqipëria

Bosnjë-Hercegovina, që ka të ardhura për frymë të përafërta me Shqipërinë (rreth 30% e mesatares së Bashkimit Europian) dhe në gjithë renditjet është në nivele të krahasueshme me ne, ka strukturë të ngjashme edhe të kompanive. Ndër 10 më të mëdhatë mbizotërojnë energjia, tregtia dhe nafta.

Sipas publikimit të portalit boshnjak Akta, totali i të ardhurave të realizuara nga kompanitë në Bosnjë-Hercegovinë në vitin 2017, ishte rreth 70 miliardë Km (ose rreth 35 miliardë euro). 70% e kësaj shume është realizuar në Federatën e Bosnjës, ndërsa pjesa tjetër në Republika Srpska. Nëntë prej kompanive janë nga Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa një nga Republika Srpska.
Ashtu si në vitin 2016, operatori shtetëror i energjisë, Elektroprivreda BiH kishte të ardhurat më të larta, me rreth 590 milionë euro.
Menjëherë në vendin e dytë, kompania Bingo e Tuzlës, me aktivitet në tregtimin me pakicë, është më e madhja private në vend, me 532 milionë euro të ardhura.

Vendi i tretë është marrë nga RS Optima Group d.o.o. Banja Luka, që operon në industrinë e naftës, me të ardhura prej 438 milionë eurosh.
Në renditjen sipas fitimit, në vend të parë është zinxhiri më i fuqishëm tregtar në BiH – Bingo, me një fitim prej 36 milionë eurosh, që është ngjitur nga vendi i tretë ku ishte vitin e kaluar.
Në vendin e dytë është JP Autoceste FBiH, me 33 milionë euro, ndërsa në vendin e tretë, këtë vit është Fabrika e Duhanit Sarajeva, që shënoi rritje të konsiderueshme në 31 milionë euro.
BH Telecom humbi pozitën e saj si kompania më fitimprurëse në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 2017, pasi rezultoi me një fitim prej rreth 30 milionë eurosh, duke u renditur në vendin e katërt.

 

Mali i Zi, i orientuar drejt tregtisë me pakicë

Si një ekonomi e orientuar nga shërbimet dhe turizmi, në renditjen e kompanive më të mëdha të Malit të Zi, sipas qarkullimit vjetor, mbizotërojnë subjektet e tregtimit me pakicë e shumicë dhe rrjetet e supermarketeve, me katër të tilla ndër 10 kryesoret.
Si kompania më e madhe në vitin 2017 u rendit China Road & Bridge Corporation, e cila po ndërton projektin madhor të autostradës Veri-Jug.
Sipas BI Consulting, e cila ka dhënë rezultatet paraprake të veprimtarive të biznesit të vitit të kaluar të kompanive malazeze, 2017-a ishte më i suksesshëm se viti 2016. Në vitin 2017, Kompania më e madhe kishte 297 milionë euro të ardhura. Kompania më e madhe nga fitimi neto në vitin 2017 fitoi 20.9 milionë euro fitim neto, ndërsa në vitin 2016 arriti në 18.2 milionë. Kompania më e madhe sipas numrit të të punësuarve kishte 1,690 punonjës në 2016, dhe në vitin 2017 ky numër ishte më shumë se 1,865 punonjës.

 

 

 

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz