Intervistë me Blerind Mehmeti, Drejtor i Shitjeve në Computer and Copier Systems
Lehtësimi i barrës fiskale tek shërbimet IT dhe specifikisht tek prodhimi i software që synon rritjen e eksportit shihet si një lëvizje në drejtimin e duhur, por grupi i atyre që preken është shumë i vogël. Numri i të përjashtuarve është shumë më i madh. Rrethi i parë i përjashtimit lidhet me shërbimet e IT në përgjithësi, ndërkohë që më tej janë edhe ata që ofrojnë pajisjet hardware dhe më gjerë. Sot kur kryefjalë është zhvillimi i teknologjisë dhe depërtimi i ulët te biznesi, ndoshta një stimul fiskal mund të ndryshonte realitetin dhe të nxiste zhvillimin e gjithë sektorit. Për Blerind Mehmetin, Drejtor Shitjesh në Computer and Copier Systems, rajoni e ka zgjidhur këtë pjesë shumë më herët dhe është më konkurrues sesa ne.
Në çfarë faze është aktualisht sektori i IT në vend qoftë në shërbime, qoftë në investimet teknologjike?
Është ende i pazhvilluar, mbetet një treg i vogël dhe kryesisht i fokusuar me sytë tek ajo që ofron shteti (në kuptimin si klient). Pra volumet kryesore të investimeve, mbeten sërish nga ana e sektorit publik. Sektori privat është dobët me investimet në teknologji. S’mund të them dot bëhet apo s’bëhet fjalë për biznes korporativ, pra ku futen dhe sektori financiar me bankat apo telekomunikacioni. Për disa vende perëndimore këto janë biznese të mesme, as korporata nuk quhen. Sot për sot, ato që përqafojnë të parët ndryshimet teknologjike janë ato biznese që kanë njëfarë peshe dhe disa standarde që duhet t’i ndërtojnë dhe zbatojnë.
Cila është arsyeja që biznesi është kaq anemik në pjesën e investimeve të teknologjisë?
Dikur ishte mungesa e shërbimeve në tërësi. Pra të kesh teknologji në punë duhet që të të vlejë. Nuk mjafton të ketë vetëm një kompjuter dhe të shtypësh një dokument word apo dy llogari në exel. Problemi është të kesh dy sisteme të tjera në punë, të cilat mund të ndërveprosh, ashtu siç mund të shfrytëzosh dhe linjat e internetit. Ndërkohë sot ekzistojnë shërbime dhe sisteme nga ana e shtetit, përmes të cilave biznesit privat i mundësohet lidhja dhe ndërveprimi me këto sisteme, një pjesë e të cilave janë të detyrueshme. Kjo ka qenë pak a shumë arsyeja pse biznesi privat nuk është i orientuar shumë nga investime thelbësore në teknologji. Nga ana tjetër, standardizimi apo menaxhimi i mirë i bizneseve më pas duhet të sjellë dhe rritjen dhe nevojën për investime më thelbësore në teknologji si për shembull pasja e një software për menaxhimin e brendshëm të financave apo burimeve njerëzore. Sisteme të cilat sjellin konsum qoftë në hardware qoftë në aplikime apo dhe në rrjet kompjuterik.
Ju shihni më shumë një mungesë të fondeve për të bërë një përmirësim të teknologjisë apo kemi edhe pjesën e mungesës së kulturës financiare?
Mund të them që pak a shumë janë të përziera të dyja këto pra qoftë mungesa e kulturës së planifikimit të qartë të investimeve nga ana e kompanive apo biznesit privat. S’mund të them mungesa e fondeve sepse duhet të planifikosh të bësh investime dhe më pas të ankohesh. Duhet të investosh por për çfarë? Pra duhet të investosh, duke pasur parasysh kthimin. Ndërkohë shpeshherë në biznese të vogla private, këto lloj investimesh quhen si të tepërta, pasi nuk japin menjëherë impakt në kthimin pas të investimit. Edhe kur bëhen investimet, janë investime me një cilësi shërbimi që nuk është e lartë. Kompanitë e IT kanë ndoshta ngërçet e tyre se nuk përcjellin siç duhet mesazhin tek biznesi se çfarë ofrojnë, për çfarë ju shërben etj. Gjithsesi, sot klientët, të paktën për klientët tanë që mund të flas, kanë filluar të kapërcejnë kërkesën vetëm për pajisje hardware, pra duan shërbime që u vlejnë apo i ndihmojnë për të qenë më efecientë në bizneset e tyre. Nuk mjaftohen vetëm me një printer apo kompjuter në zyrë.
Ju si kompani në treg, çfarë ngërçi hasni, si qëndron Shqipëria në raport me rajonin?
Kryesorja është pjesa fiskale. Rajoni i ka shumë më mirë të zgjidhura këto punë dhe është shumë më konkurrent sesa ne. Në rajon janë të diferencuar sektori i IT dhe kjo është bërë prej shumë vitesh. Nuk është hera e parë që sektori i IT në tërësi ngre propozime dhe kjo ndodh prej vitesh, por asnjë qeveri nuk ka marrë përsipër të ndërhyjë. E vetmja masë e marrë është kjo e fundit e tatimfitimit në 5% që prek një masë shumë të vogël te shërbimet IT dhe aq më pak tek IT në tërësi. Ne nuk kemi lidhje fare me këtë pjesën, për ne s’ka asnjë lloj ndryshimi.
Në këndvështrimin tuaj, a ka ndonjë avantazh tregu shqiptar?
Me thënë të drejtën nuk shoh ndonjë avantazh të madh, ndoshta kjo taksa e ulët mund t’i shërbejë ndonjë kompanie të madhe që të vijë të hapë zyrë të madhe.
Po tek pjesa e-commerce si e shihni?
Është shumë pak e zhvilluar në Shqipëri, nuk e di cilat janë arsyet, ndoshta kultura e klientit apo mungesa e investimeve për sigurinë e sistemeve të pagesës. Personalisht, e shoh si një mungesë kulture të klientit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.