Kryeministri Rama, i pranishëm gjatë aktivitetit të ditës së sotme në Ministrinë e Bujqësisë, ka deklaruar se bujqësia do të zhvillohet më tej, pasi brenda 2 viteve e gjysmë pritet të mundësohet për 1000 familje sistem ujitje, në mënyrë që të shmangen përmbytjet.
“Në raportimin e punëve të kryera ka pasur një abuzivizëm ekstrem të shpërdorimit të patolerueshëm të fondeve publike. Ambicia jonë është të dyfishojmë të gjithë nevojën e tokës që aktualisht është në shërbim të bujqësisë për ujë, por edhe për të garantuar kullimin e saj në gjithë territorin. Janë më shumë se 1000 mijë familje që do t’iu mundësohet ujitja. Kjo do sjellë një rritje të ekonomisë familjare por dhe një rritje të prodhimit të bujqësisë e cila do sjellë dhe rritjen ekonomike të vendit tonë. Brenda 2.5 viteve të ardhshme do çojmë ujin në 270 mijë ha tokë, gjithashtu do punojmë për të shmangur përmbytjen e prodhimit dhe tokave bujqësore”, theksoi Rama.
Kryeministri deklaroi gjithashtu se ende mbetet një sipërfaqe e konsiderueshme e tokës bujqësore, e cila, sot është ende jashtë funksionit të saj pasi mundësia për ujitje është kufizuar ndjeshëm.
Edhe ministri Panariti shprehu objektivin e arritjes së pastrimit të 7800 km të kanaleve kulluese.
“Ne kalojmë tashmë si kompetencë të sektorit të ujitjes dhe të vaditjes, ia kalojmë pushtetit lokal dhe kjo shkon në sinkron edhe me hartën e re administrative, kjo do të rrisë shumë kapacitetet mirëadministruese, mbrojtëse dhe zhvilluese të sistemit. Këtij hapi të madh reformues do t’i vëmë në shërbim edhe këtë që do të shpalosim tani, mirëadministrimin, gjurmimin, kontrollimin në çdo hap të kapaciteteve të sistemit në të gjithë Shqipërinë. Sistemi që ne do të paraqesim më pas, ka të bëjë në gjurmimin në kohë reale, të të gjitha kapaciteteve motorike, pranë bordeve të kullimit, duke filluar që nga pozicioni I tyre në kohë reale, vëllimi i punës që ata kanë kryer në kohë reale, nëse kanë punuar ose jo në një kohë të caktuar, historikun e të gjitha punëve që kanë bërë për një muaj apo dy muaj e kështu me radhë, dhe deri tek konsumi I karburantit. Këto të dhëna shkojnë në kohë reale në statistikat e Ministrisë së Bujqësisë. E gjithë administrata duke filluar që nga Kryeministri, Ministri janë në gjendje që nëpërmjet një smartphoni, të gjurmojë gjendjen kapacitetin dhe zhvillimin e punëve të kryera nga mjetet motorrike. Kjo është një risi absolute që i vihet në dispozicion mirwadministrimit dhe rritjes së kapaciteteve të sistemit. “- tha Panariti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.