Partia Socialiste ka vijuar sot me sesionin e dytë të konferencës me titull, “Shqipëria e Gjeneratës së Re”. Kryeministri i ardhshëm Edi Rama, tha se sfida e qeverisë së re, do të jetë vendosja e kontrollit mbi territorin dhe transformimi i politikave urbane në politika zhvillimi, pasi instrumentet e qeverisë së shkuar nuk prodhojmë më kohezion social dhe punësim.
“Sot gjendemi para një sfide shume të madhe, të vendosjes së kontrollit mbi territorin dhe transformimin e politikave urbane në politika zhvillimi dhe lidhjen e zhvillimit ekonomik me atë çka ndodh në territor. Qëndrimi ynë dhe qeverisë sonë është i njohur, modeli i zhvillimit këto vite ka shteruar, instrumentet e zhvillimit nuk janë të vlefshme pasi nuk arrijnë të krijojnë rritje dhe punësim dhe kohezion social. Ndaj duhet të zbatojmë një model të ri zhvillimi të bazuar tek transformimi i sistemit ekonomik dhe social” tha Rama.
Pasi shprehu nevojen per ndërtimin e një modeli të ri zhvillimi per vendin, Rama theksoi se, ky model duhet bazuar tek “prodhimi, punësimi përmes investimeve prodhuese, transformimi i sistemit tonë arsimor dhe rritja e peshës dhe cilësisë së arsimit profesional”.
Kryeministri i ardhshem Rama shprehu bindjen se “të gjitha këto, janë të mundur vetëm përmes një reforme rrënjësore të sistemit qeverisës, të institucioneve që lidhen drejtëpërdrejtë me ekonominë dhe me botën e sipërmarrjes, të marrëdhënies së qeverisë me sipërmarrësit dhe të sipërmarrësit me shoqërinë”.
“Evropën e ëndërruar ta bëjmë këtu dhe ta bëjmë të prekshme për qytetarët tanë, në bashkëjetesën e re që do të krijojë konkureshmëri dhe meritokraci”, apeloi Rama.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.