Samiti mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendore dhe Lindore vijon të zhvillohet edhe në këtë ditë të dytë të punimeve në Beograd.
Në ditën e parë të punimeve, kryeministri kinez Li Keqiang premtoi 10 miliardë dollarë për vendet e rajonit, për investime kryesisht në infrastrukturë, ku një pjesë e tyre do të investohen edhe në Shqipëri, duke nisur nga Rruga e Arbërit, e bërë e ditur ditën e djeshme.
Ndërkaq, ditën e sotme Kryeministri Rama ka njoftuar se ka zhvilluar një takim me homologun serb, për çështjen e Luginës së Preshevës.
“Takim me kryeministrin Vuçiç për rritjen e ritmit të bashkëpunimit dhe rritjen e kujdesit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës” shkruan Rama në Twittter.
Sot qeveria serbe dhe shqiptare kanë firmosur edhe një marrëveshje për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të automjetit të të dy vendeve. Marrëveshja u firmos nga Ministri i Brendshëm Nebojsha Stefanoviç dhe Ministri shqiptar i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto.
Marrëveshja e nënshkruar gjatë punimeve të Samitit të III-të të krerëve të Kinës dhe Europës Qëndore dhe Lindore parashikon që Serbia dhe Shqipëria të njohin reciprokisht lejet e drejtimit të lëshuara të lëshuara nga organet kompetente respketive.
Njohja për herë të parë të lejeve të drejtimit kombëtare me Serbinë sjell lehtësira, jo vetëm për lëvizjet e qytetarëve për qëllim qarkullimi në territoret respektive, për periudhën e vlefshmërisë së tyre, por kjo proçedurë do t’u krijojë mundësi shtetasve të dy vendeve, të punësohen si drejtues mjeti me të drejta të barabarta, në përputhje me lejen e drejtimit që disponojnë.
Kjo marrëveshje vjen mbas nënshkrimit me sukses të marrëveshjeve për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit me Italinë, Kosovën, Maqedoninë, Kroacinë dhe së fundmi Malin e Zi.
Më herët deklaroi se kryeministri Kinez i ka ofruar vendit tonë mbështetje financiare dhe ditën e sotme, gjatë takimit e konfirmoi këtë mbështetje.
“Mirëkuptim i plotë me km Li Keqiang për nevojën që Kina të rrisë mbështetjen financiare ndaj Shqipërisë dhe rajonit”, shkruan Rama në Facebook.
Gjatë qëndrimit në Beograd, kryeministri Rama do të ketë takime edhe me homologët të tjerë të vendeve të Europës Qendore dhe Lindore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.