Kryeministri Rama u ka dërguar një letër të personalizuar të gjithë familjeve shqiptare që rezultojnë pagues të rregullt të energjisë eletrike.
Në letrën e Kryeministrit thuhet se “Pagesa e rregullt e energjisë elektrike nga ana Juaj është detyrim i fortë për ne që të luftojmë pa pushim për t`i dhënë fund fenomenit të turpshëm të vjedhjes së energjisë. Energjia nuk mund të vazhdojë të paguhet më vetëm nga Ju dhe Ju s’mund të mbani më në kurriz, me paratë Tuaja, edhe ata që e vjedhin energjinë.”
Në fund të letrës, kryeministri krahas urimit për festat e fundivitit, u shkruan familjeve shqiptare mirënjohjen e qeverisë për shembullin e tyre.
” Dua ta dini se Ju jam shumë mirënjohës për inkurajimin e madh që na jepni përmes shembullit Tuaj qytetar dhe po ashtu, dua t’ju siguroj se qeveria e Aleancës për Shqipërinë Europiane do të bëjë gjithcka që vendi ynë të ketë, më në fund, shtetin dinjitoz që Ju meritoni”- përfundon Rama.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.