Rama: Do Ndërtojmë një këshill ekonomik kombëtar; auditim ndërkombëtar për financat
Kryeministri i ardhshëm Edi Rama ka zhvilluar një takim me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Adrian Fullani, i cili u organizua nga Shoqata e Bankave.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani tha se ky takim ka në fokus diskutimet lidhur me buxhetin, ekonominë dhe të ardhmen. “Jemi në kontakt të vazhdueshëm me FMN, për vlerësimin e shëndetit financiar të vendit”, tha ai. Guvernatori bëri të ditura disa të dhëna paraprake të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtare dhe Bankës Botërore, që vizitoi pak ditë më parë Shqipërinë, në kuadër të Programit të Vlerësimit të Sektorit Financiar (FSAP), qe synon një analizë të plotë mbi stabilitetin e sektorit financiar të një vendi dhe mbi nevojat që ai ka për t’u zhvilluar më tej.
Ekonomia po përballet me një situate të vështirë, tha Fullani dhe kërkon një aksion të koordinuar dhe largpamës. Katër duhet të jenë shtyllat kryesore të rimëkëmbjes: stabiliteti, zbutja e pasigurisë, reforma strukturore, konvergjenca me vendet e Bashkimit Europian.
Guvernatori ka shtuar se shpenzimet e konsumatorëve janë të ulëta për shkak te pasigurive. Nga ana tjetër edhe bizneset kanë pak hapësira për të rritur shitjet.
Megjithëse ai u shpreh për ndjekjen e politikave makroekonomike stimuluese, shtoi se duhen ruajtur balancat makro, si pikat e forta të zhvillimit. Fullani ka pohuar se ndonëse dy vitet e fundit është ndjekur një politikë gjeruese lehtësuese, ajo nuk u reflektua në treg prej bankave, dhe këtu duhet punuar më mirë, pranoi ai, duke shtuar që duhet të pastrohen bilancet, të ekzekutohen kreditë me probleme dhe bankat duhet të jenë më fleksibël për ato sektorë të ekonomisë që garantojnë siguri.
Rama: Do Ndërtojmë një këshill ekonomik kombëtar; auditim ndërkombëtar për financat
Gjatë këtij takimi Rama u shpreh se duhet të ndërmerren hapa kurojazë për të kapërcyer situatën e krijuar me kreditë me probleme në mënyrë që të mos agravohet edhe me tej. “Bankat kanë financuar rreth 80% të rritjes ekonomike, shpreh vullnetin e plotë për të ndërtuar një partneritetit, për të vijuar më tej këtë tryezë. Ne dëshirojmë të ndërtojmë një strukturë të ndërmjetme, një këshill ekonomik kombëtar, ku edhe shoqata e bankave të marrë pjesë. Sfida është e përbashkët. Kriza ka goditur rëndë ekonominë. Ne do të ndërmarrim hapat e nevojshëm për konsolidimin fiskal. Urojme të gjejmë receten e duhur për financat publike dhe për kreditimin e ekonomisë”, tha z.Rama. Sipas tij shqiptarëve iu është mohuar e drejta për të ditur gjendjen e vërtetë në të cilën ndodhet ekonomia, pasi të dhënat janë të gjysmuara. “Ne jemi në pritje të vlerësimit të FMN-së dhe BB-së, por kjo nuk mjafton. Në planin tonë është edhe ftesa për një kompani audituese e cila të analizojë gjendjen ekonomike të vendit. Statistikat janë një institucion i pabesueshëm” tha kryeministri i zgjedhur.
“Ne jemi shumë të interesuar e të vendosur që në këtë fazë të parë të bëjmë gjithçka që e vërteta e ekonomisë sonë të dalë në pah, besojmë se jetojmë me një gjysmë të vërtetë, se shumë nga të dhënat e procesit qeverisës nuk janë pjesë e transparencës së domosdoshme për të përballuar krizën që kemi rreth e rrotull. E kam përshëndetur nismën e guvernatorit për të nxitur programin e vlerësimit të sektorit financiar me ekspertizën e FMN dhe BB. Do të kërkojmë nga një kompani ndërkombëtare auditimi për të pasur në tryezë të gjithë të vërtetën. Duam që një orë e më parë INSTAT të shkëputet nga tutela e qeverisë dhe të kthehet në institucion të pavarur, binjakëzim të tij me një tjetër të një vendi të BE dhe menaxhimit për 5 vjet nga INSTAT i atij vendi. Menaxhimi i INSTAT të jetë jashtë kontrollit të politikës”, tha Rama.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.