Një ditë pas dhënies së rekomandimit për hapjen e negociatave me Shqipërinë nga Komisioni Europian, shefja e Politikës së Jashtme në BE, Federica Mogherini, ka zhvilluar një seri takimesh në Tiranë, duke e përmbyllur këtë në një konferencë për shtyp me Kryeministrin Edi Rama. Theksi nga të dyja palët është vendosur te reformat e ndërmarra që çuan në dhënien e këtij rekomandimi pozitiv, si dhe sfida e të ardhmes që është thellimi i tyre.
“Shqipëria ka marrë atë që meriton në këtë fazë të zhvillimit dhe modernizmit të saj as më shumë as më pak. Sforcot tona të jashtëzakonshme për të filluar reformën në drejtës,i për të vijuar me Vettingun, për të çrrënjosur kanabisin dhe krimin e organizuar, duke arritur një shifër rekord të sekuestrimit të pasurive të jashtëligjshme, për të vijuar në luftën ndaj korrupsionit, për të krijuar një kornizë shembullore bashkëjetese për minoritetet dhe liria e shprehjes, janë vlerësuar pozitivisht dhe me dhënien e rekomandimit i kanë dhënë një status të ri Shqipërisë mes vendeve të BE. Por ky është fundi i një faze dhe nisja e një tjetre më të vështirë.
Kapitulli historik që kemi mbyllur dje, ja ka lënë vendin një kapitulli të ri. Pastrimi i nisur me sistemin e drejtësisë duhet të vazhdojë dhe të pasohet me rezultat e ndëshkimit të drejtë të atyre që kanë hesape për të larë me drejtësinë. Pastrimi i mëtejshëm i policisë së shtetit si dhe rritja sistematike e forcës ndaj krimit është një plan tjetër ku fjalët duhet tja lënë vendin veprimeve konkrete. Duhet të ndërtohet një administratë europiane që është larg nga ajo që kemi sot. Sot nuk ka kohë për të festuar sepse duhet nisur menjëherë puna e gjatë dhe e stërmundimshme për të ecur sa më shpejt drejt marrjes së diplomës së anëtarësimit”, – tha Rama.
Nga ana tjetër, Mogherini theksoi se procesi i zgjerimit në BE mbështetet në meritë dhe çdo vend vlerësohet në bazë të arritjeve individuale.
“BE e bëri të qartë që do të jepte rekomandimin kur ju të realizonit reformën në drejtësi dhe Vettingun. Ju e bëtë dhe ne si BE e dhamë. Vlerësimi i komisionit thotë qartësisht se Shqipëria ka përmbushur kushtet që i ishin vendosur në raportin e miratuar një vit e gjysmë më parë dhe se është e gatshme të nisë negociatat. Mbajtja e këtij ritmi reformash dhe thellimi i mëtejshëm i tyre është puna kryesore që keni para. Për mua është e qartë që kjo punë duhet të vijojë më tej, jo për hir të Brukselit, por sepse kështu kërkojnë qytetarët shqiptarë dhe do të jenë ata që do të vlerësojnë avancimin tuaj dhe kapacitet e institucioneve që ngrihen mbi pesë prioritetet kyçe të integrimit” tha Mongherini.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.