Në rajon, kredia për sektorin privat shfaqet e pak e përmirësuar gjatë vitit 2014, e nxitur kryesisht nga rritja e qëndrueshme e kredisë për individë. Në një krahasim që Banka e Shqipërisë ka bërë për ecurinë e ndërmjetësimin financiar vëren se, ecuria e aktivitetit kreditues në Shqipëri është afër mesatares së rajonit. Por, Shqipëria dallon nga trendi i përgjithshëm – përmirësimi i aktivitetit kreditues të saj udhëhiqet nga kredia për biznese dhe jo nga ajo për individë.
Zhvillimet në kredinë për biznese në rajon tregojnë për një trend përmirësues të rritjes së saj në terma mesatarë. Në fund të muajit gusht të këtij viti, ndryshimi mesatar vjetor i kredisë për biznese rezulton 0.2%, nga -1.1% në fund të vitit të kaluar. Brenda kësaj ecurie të përgjithshme, ecuria e kredisë për biznese mes vendeve mbetet e ndryshme.
Kështu, në Maqedoni, Poloni dhe Bullgari, rritja vjetore e kredisë për biznese vazhdon të jetë pozitive dhe më e lartë se në fund të vitit 2013. Në Shqipëri, janë regjistruar norma pozitive të ndryshimit vjetor të kredisë për biznese, duke pasqyruar një situatë të përmirësuar kundrejt vitit të kaluar dhe një renditje mbi mesataren e rajonit. Në rastin e Hungarisë, Kroacisë, Rumanisë dhe Serbisë, stoku i kredisë për biznese vazhdon të tkurret edhe gjatë vitit 2014, në disa raste me normë edhe më të lartë se në vitin e kaluar.
Kredia për individë në vendet e rajonit shfaq një ecuri përgjithësisht më të mirë se ajo e bizneseve, edhe duke iu referuar viteve të mëparshëm. Pothuajse në asnjë nga vendet nuk vërehet përkeqësim i ndryshimeve vjetore. Edhe në vendet ku ky portofol vazhdon të tkurret, kjo po ndodh përgjithësisht me norma më të ulëta se kredia për biznese.
Në terma mesatarë, rritja reale e kredisë për individë në vendet e rajonit është përmirësuar në 3.0%, nga 2.2% që shënonte në fund të vitit 2013. Performancë veçanërisht të mire ka shfaqur kredia për individë në Maqedoni dhe Poloni. Edhe në Serbi dhe Republikën Çeke, kredia për individë vazhdon të shënojë norma pozitive të rritjes vjetore.
Në rastin e Shqipërisë, rritja vjetore e kredisë për individë ka shënuar vetëm një përmirësim të lehtë kundrejt dy viteve të mëparshëm dhe është nën mesataren e rajonit. Në pjesën tjetër të vendeve, kredia për individë vazhdon të tkurret edhe në vitin 2014, me të njëjtën normë, si në Kroaci, ose me hap më të moderuar, si në Rumani dhe Hungari.