Kur një futbollist transferohet nga një klub te tjetri, është gjithnjë e vështirë të përcaktosh me qartësi, nëse ka qenë një marrëveshje e mirë midis blerësit dhe shitësit.
Për të nxjerrë përfundime është e nevojshme të presim deri në fund të sezonit dhe të vlerësojmë paraqitjen e futbollistit në lidhje me investimin e bërë.
Megjithatë është e mundur të bëhet një analizë duke krahasuar çmimin real të shitjes së lojtarit me atë të vlerësuar përpara transferimit. Për këtë vjen në ndihmë CIES Football Observatory, i cili ka realizuar një studim të këtij lloji, duke vlerësuar transferimet e merkatos së verës të pesë kampionateve më të mirë në Europë.
Blerjet më të mira në merkaton e kësaj vere, në krye Courtois
Në vend të parë ndër blerjet më të mira gjejmë klubin e Real Madridit, me Thibaut Courtois. Portieri u transferua në Spanjë nga Chelsea për një vlerë shumë më të ulët krahasuar me vlerën reale (-22,6 milionë euro). Nga ana tjetër, Chelsea ka paguar më shumë se parashikimi për blerjen e Kepa Arrizabalaga (+44,7 milionë), i cili zëvendësoi Courtois.
Në vend të dytë, ndër klubet që ka bërë ndër marrëveshjet më të mira gjejmë Atletico Madrid, që për të blerë Rodri Hernandez nga Vilarreal ka kursyer 21,9 milionë euro. Në podium është edhe Roma që ka investuar 30 milionë euro për blerjen e Bryan Cristante, çmimi i të cilit ishte vlerësuar 49,4 milionë euro.
Shitjet më të mira në merkaton e kësaj vere
Ndër klubet që kanë përmbyllur marrëveshje të mira, përveç Athletic Club me Kepa (te Chelsea), gjejmë edhe Leicester me shitjen e Riyad Mahrez tek Manchester City (+28 milionë krahasuar me çmimin e vlerësuar) dhe Schalke 04, që shiti Kehrer te PSG për 37 milionë euro (+19,9 milionë krahasuar me çmimin e vlerësuar).