Një raport financiar i rishikuar për filialet kryesore të gjigantit kroat Agrokor tregoi se llogaritë financiare nënvizonin humbjet që kapërcenin shifrën 250 milionë euro në vitin 2015. Raporti financiar i rishikuar për gjigantin problematik kroat të shitjeve me pakicë, Agrokor zbuloi se gjatë menaxhimit të mëparshëm, të drejtuar nga pronari dhe themeluesi i kompanisë Ivica Todoriç, nuk janë treguar humbjet e plota të kompanisë në llogaritë e saj financiare.
Menaxheri i jashtëzakonshëm i caktuar nga shteti, Ante Ramljak – i cili mori drejtimin e kompanisë që nga prilli i këtij viti, kur z. Todoriç ia dorëzoi atë kontrollit shtetëror, paraqiti raportin financiar të rishikuar për 2015 dhe 2016, të cilat ishin bashkuar nga agjencia e auditimit PricewaterhouseCoopers. Raporti përfshinte vetëm degët kryesore të Agrokor në industrinë e shitjes me pakicë, me shumicë, bujqësi dhe ushqim – Konzum, Tisak, Belje, PiK Vinkovci, Vupik, Ledo, Jamnica, Zvijezda dhe PiK Vrbovec. Raporti i plotë, duke përfshirë kompaninë mëmë Agrokor d.d., do të publikohet së shpejti.
Raporti i rishikuar i vitit 2015 për filialet kryesore të Agrokor, zbuloi humbje më të mëdha se shifra prej 250 milionë eurosh e publikuar më parë nga z. Todoric, i cili nuk pati mundësi që të paraqiste të dhëna financiare për vitin 2016. Shifrat e menaxhimit të publikuara kur kjo kompani u mor nën kontroll nga shteti, treguan se filialet kryesore të Agrokor e mbyllën 2016-n me 442 milionë euro humbje.
Administrata e mëparshme gjithashtu fryu vlerën e kapitalit të filialeve kryesore në 2015 me rreth 1.2 miliardë euro. Sipas raportit të kësaj jave, filialet kryesore vlejnë 1.8 milionë euro më pak se në vitin 2015. “Unë nuk mund të deklaroj se ka ndodhur ndonjë parregullsi ligjore në të dhënat financiare të menaxhmentit të mëparshëm, deri në momentin që do të kemi shifrat për Agrokor [d.d.]. Hetuesit nga DORH (Prokuroria në Kroaci) janë në dijeni të këtyre shifrave, shtoi ai. Ndërsa publiku ishte në pritje të rezultateve të raportit financiar të rishikuar, Avokati i Popullit, Dinko Cvitan, deklaroi disa ditë më parë se të dhënat e publikuara nga ky raport do të jenë të rëndësishme.
Rënia e Agrokor bëri që ajo të kalojë nën menaxhimin e jashtëzakonshëm nga ana e shtetit në prill të këtij viti dhe kjo ishte edhe arsyeja që u bë një analizë e hollësishme e të dhënave financiare të kompanive të saj gjatë viteve. Roli i kompanisë në ekonominë e Kroacisë është shumë i madh, me të ardhura prej 6.5 miliardë euro në vitin 2015, pothuajse 16% e PBB-së totale të Kroacisë dhe një punësim me rreth 40,000 punonjës. Agrokor punëson edhe rreth 20,000 njerëz në Bosnjë dhe Serbi, ndërsa besohet se furnizuesit dhe punonjësit e kompanive të shitësit slloven Mercator, të cilin Agrokor e bleu në vitin 2014, punësojnë edhe rreth 70,000 vetë në Slloveni.
Pas zbulimit të të gjitha borxheve të gjigantit kroat, Agrokor, menaxheri i emëruar nga shteti ka konfirmuar ngritjen e një akuze penale kundër ish-drejtuesit të mëparshëm, duke përfshirë pronarin Ivica Todoriç.
Ante Ramljak, menaxheri i ri i emëruar në momentin që kjo kompani kaloi nën kontrollin e shtetit, deklaroi këtë javë në media se kishte ngritur një padi penale kundër “personave përgjegjës” për fatin e Agrokor.
Të udhëhequr nga pronari dhe themeluesi i kompanisë, Ivica Todoriç, ata nuk kishin arritur të zbulonin humbjet e plota të kompanisë në llogaritë e saj financiare. Rezultatet e një rishikimi financiar të të gjithë grupit Agrokor dhe kompanisë mëmë treguan se në vend të një fitimi të raportuar prej 160 milionë eurosh në vitin 2015, grupi në fakt kishte humbur më shumë se 480 milionë euro. Pas publikimit të parregullsive të shumta, klasifikimi i gabuar i aseteve financiare për dhënien e huave dhe transferimi i parave të kompanisë për nevoja private, z. Ramljak deklaroi se kishte ngritur një padi penale.
“Nuk mund të jap detaje më të hollësishme për këtë ngjarje, sepse ajo i ka kaluar organit të Prokurorisë DORH, por çka mund të them është se kam raportuar emrat e të gjithë atyre personave që kanë menaxhuar Agrokor përpara se ajo të kalonte nën kontrollin e shtetit, duke përfshirë këtu edhe Todoricin. Ramljak nuk ka bërë komente në lidhje me akuzat e mëparshme penale që Todoriç kishte ngritur kundër tij. Pozita e Todoriç në këto momente është shumë e vështirë, sepse ai është në dijeni të gjithçkaje që ka ndodhur këtu në Agrokor dhe mendoj se ai e ka përgjigjet e shumë prej pyetjeve tona.