Raporti i BB: Nga 68,000 vende të reja pune në Ballkan, 38,700 në Shqipëri

21/03/2019 11:09 AM 0 komente

Performanca e tregut të punës në Ballkanin Perëndimor ka vazhduar të përmirësohet, megjithëse me një ritëm më të ngadaltë se sa një vit më parë dhe pavarësisht rritjes më të fortë ekonomike në rajon. Ky është konkluzioni i Bankës Botërore dhe Instituti i Vienës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare në raportin për “Trendet e Tregut të Punës në Ballkanin Perëndimor për vitin 2019”.

Në këtë raport evidentohet se Shqipëria është në krye të vendeve të rajonit për hapjen e vendeve të reja të punës, duke hapur midis tremujorit të dytë të vitit 2017 dhe tremujorit të dytë të vitit 2018, 38,700 vende të reja pune nga 68,000 mijë në total në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Por të përkthyer në përqindje BB raporton se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë raportuar në këtë periudhë rritjen më të madhe sa i takon numrit të vendeve të punës në rajon, me 3.3 përqind secila, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me një rritje prej 2.1 përqind.

Raporti i BB është ndalur edhe te niveli i pagave në Ballkanin Perëndimor, të cilat vazhdojnë të jenë dukshëm më të ulëta se në vendet e Bashkimit Europian.

Por aty vlerësohet se Shqipëria ka rritjen më të lartë të pagave reale, prej 6.6 përqind në vitin 2017, pasuar nga Maqedonia e Veriut, 1.2 përqind dhe Serbia, 0.9 përqind.

Papunësia pësoi ulje historike në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke rënë nga 16.2 për qind në 15.3 për qind gjatë vitit të kaluar. Normat në shtetet në fjalë shkonin nga rreth 12 për qind në Serbi dhe Shqipëri në 29 për qind në Kosovë. Edhe rajoni përjetoi një rënie të ndjeshme të papunësisë afatgjatë, nga një shifër kulminante prej 1.5 milionë persona në vitin 2011 në 776,000 persona në tremujorin e dytë të vitit 2018. Megjithatë, papunësia në Ballkanin Perëndimor mbeti një sfidë e konsiderueshme ku nivelet e arritura ishin dy deri në tre herë më të larta se në vendet e BE-së.

Raporti vëren se punësimi informal, një nga sfidat më të mëdha të tregjeve të punës të Ballkanit Perëndimor, është ende në rritje në Shqipëri dhe në Maqedoninë Veriore, por në rënie në Serbi. Në vitin 2018 ishin të rinjtë, gratë e moshuara dhe punonjësit me arsim të ulët ata që kishin më shumë gjasa të kryenin punë informale.

“Përmirësimet në performancën e tregut të punës janë inkurajuese, por trendi ngadalësues nxjerr në pah një sërë shqetësimesh”, tha Linda Van Gelder, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Ne ende kemi nevojë për një sektor privat më të fuqishëm që gjeneron vende pune dhe politika publike të përshtatshme që përmirësojnë punësueshmërinë e fuqisë punëtore për të mbështetur performancën dhe ecurinë e tregut të punës në të ardhmen”.

Top Channel

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of