Raporti kritik i KLSH: Borxhi 72%, detyrime të prapambetura, tejkalim të huamarrjes

15/10/2018 10:22 AM 0 komente

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dërguar në Kuvend raportin për buxhetin faktit të 2017-ës, i cili pritet të shkaktojë përplasje të forta mes këtij institucioni dhe qeverisë.

Në raport, KLSH thotë se qeveria ka ulur fiktivisht shifrën e deficitit buxhetor vitin e kaluar, duke krijuar detyrime të prapambetura, të cilat bëjnë që borxhi publik të mos jetë 70 për qind, por 72 për qind e prodhimit kombëtar.

“Niveli faktik i deficitit është i nënvlerësuar me qëllim raportimin e tij brenda kufijve ligjor, çka ka krijuar detyrime të prapambetura”.

Sipas KLSH, deficiti buxhetor i vitit të kaluar, pra diferenca mes shpenzimeve dhe të ardhurave të qeverisë, nuk ishte 2 për qind e prodhimit kombëtar sikurse ka raportuar ministria e financave, por 3.5 për qind e prodhimit kombëtar. Në vlerë absolute, bëhet fjale për një diferencë prej 19.6 miliardë lekësh, e cila sipas KLSH lidhet kryesisht me dy zëra, detyrimet e prapambetura të TVSH-së dhe tejkalimi i huamarrjes.

Sipas raportit, për vitin 2017 qeveria ka krijuar 11 miliardë lekë detyrime të prapambetura duke mos rimbursuar në kohë tatimin mbi vlerën e shtuar për biznesin. Kryesisht bëhet fjalë për rimbursimin e tvsh-së që lidhet me dy projektet e mëdha të investimeve gazsjellësit TAP dhe kaskadës së Devollit. Në fakt, këto detyrime janë evidentuar më parë edhe nga FMN. Por qeveria thotë se pjesa dërrmuese e tyre është riskedeluar dhe do të shlyhet më këste sipas një marrëveshje të pranuar edhe nga vetë kompanitë, ndaj nuk mund të quhen borxhe të prapambetura.

Zëri i dytë kryesor ku KLSH thotë se qeveria ka thyer kufirin e deficitit është tejkalimi i huamarrjes në disa zëra. Më kryesorja është një kredi, që qeveria mori përmes aktit normativ në ditët e fundit të 2017-ës.

KLSH thotë se kredia nuk është përfshirë në shifrën e deficitit, ashtu si disa hua të tjera që qeveria ka dhënë për kompanitë e energjisë. Por Ministria e Financave thotë se huaja në fund të vitit të kaluar është marrë për të paguar rrogat në datën 5 janar të këtij viti, dhe rrjedhimisht nuk mund të përfshihet në deficitin e vitit të kaluar.

Top Channel

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of