Shumë vende në Europën Qendrore, Lindore e Juglindore varen më shumë nga transfertat e brendshme sesa nga flukset e kapitalit, në veçanti remitancat nga Diaspora (shtetasit që jetojnë jashtë vendit të tyre), sipas raportit të fundit rajonal të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në vitin 2012, Kosova dhe Moldavia kishin remitanca prej më shumë se 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB); në Bosnjë & Hercegovinë, Shqipëri dhe Serbi remitancat i tejkaluan 5% të PBB-së.
FMN thekson se remitancat e raportuara në mënyrë të diskutueshme e nënvlerësojnë varësinë nga Diaspora, pasi dallimi midis remitancave dhe të ardhurave nga puna është shpesh i paqartë dhe ndërsa investimet e huaja shpesh e kanë origjinën nga emigrantët, veçanërisht investimet në pasurinë e paluajtshme dhe bizneset e vogla.
Varësia nga flukset hyrëse nga Diaspora e ekspozon një vend ndaj kushteve ekonomike të shtetti pritës të Diasporës. Midis viteve 2007 dhe 2012, vendndodhja e Diasporës rezultoi që të ishte e rëndësishme për stabilitetin e prurjeve të emigrantëve. Në Kosovë dhe Serbi remitancat ishin në përgjithësi rezistente, teksa rritja dhe punësimi në shtetet kryesore pritëse—Gjermani dhe Zvicër për Kosovën e Austria për Serbinë —kishin një ecuri të mirë.
Në kontrast, thekson raporti i FMN-së, në Shqipëri, Moldavi dhe Bosnjë, prurjet e emigrantëve ranë me shpejtësi, teksa shtetet kryesore pritëse—Italia, Greqia, Kroacia, Ukraina—u përballën me vështirësi ekonomike. Kjo ndikoi në aftësinë e emigrantëve për të fituar para dhe për t’i dërguar ato në shtëpi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.