Raporti i S&P: Klubet europiane shpenzuan 4,6 miliardë euro në vitin 2017

12/01/2018 6:00 PM 0 komente

Shpenzimet rekord, madje edhe për të blerë lojtarë, dhe planet për t’u zgjeruar, mund t’i çojnë skuadrat europiane të futbollit për të vendosur obligacione, si një modalitet i ri për të financuar aktivitetin e tyre, duke shfrytëzuar edhe përfitimet nga sponsorët e tyre të fuqishëm.

Ky është parashikimi i S&P Global Ratings, i cili thekson se merkato e futbollit ka arritur nivele pa precedent në vitin 2017.

Agjencia ka përllogaritur se pesë kampionatet kryesore europiane kanë shpenzuar në total më shumë se 4,6 miliardë euro vetëm për blerjen e lojtarëve; shifra përfshin edhe dy blerjet më të shtrenjta të të gjitha kohërave në merkato. S&P nuk i përmend, por bëhet fjalë për lojtarin brazilian Neymar dhe atë francez Mbappé.

Në rastin e parë, Neymar u transferua verën e kaluar nga Barcelona te klubi i Paris Saint-Germain për 220 milionë euro. Ndërsa Mbappé, nga Monaco te PSG për rreth 180 milionë euro. Por duhet theksuar se ky transferim është në fakt një huazim që do të bëhet zyrtar verën e ardhshme.

Duke përjashtuar këtë marrëveshje, transferimi i dytë më i shtrenjtë i të gjitha kohërave është bërë nga Barcelona, që ka riinvestuara paratë e grumbulluara nga shitja e Neymar për blerjen e lojtarit francez Ousmane Dembélé nga klubi gjerman i Borussia Dortmund për 145 milionë euro (nga të cilat 40 milionë bonus). Po Barcelona, e ka nisur vitin 2018 me një tjetër shpenzim rekord, me blerjen e brazilianit Philippe Coutinho për 160 milionë euro (nga të cilat 40 milionë euro bonus) nga Liverpool.

S&P nënvizoi edhe se klubet e futbollit kanë vijuar me planet për zgjerim nëpërmjet ndërtimit të stadiumeve të reja apo përmirësimin e atyre ekzistuese.
“Shpenzimet e tyre gjithnjë e më të larta nënkuptojnë që burime të reja financimi mund të jenë vendimtare që klubet europiane të futbollit të arrijnë me sukses objektivat e tyre për zgjerim” – shkruan S&P agjencia në një raport.

Në analizën e S&P, edhe kontrolli i borxhit dhe kostove janë të rëndësishme. Në përgjithësi “burimet ekonomike përcaktojnë suksesin e një skuadre”. Nëse për t’u bërë pjesë e elitës së klubeve është e rëndësishme “bujaria e pronarëve të pasur”, për të qenë pjesë në vijimësi janë të nevojshme “injeksione të vazhdueshme parash”.

Burimi: Il Sole 24 ore

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz