Raporti Vjetor i Komisionerit për të Drejtën e Informimit, 560 ankesa në 2017

10/03/2018 4:05 PM 0 komente

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale paraqiti Raportin Vjetor 2017 në Komisionin e Çështjeve Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. .

Në kuadër të të drejtës për informim konstatohet progres në rritjen e vetëdijes së Autoriteteve Publike për detyrimet e tyre mbi transparencën dhe dhënien e informacionit publik proaktiv.

Nga monitorimi i të gjitha Autoriteteve Publike, rezulton se 181 prej tyre kanë miratuar dhe bërë publik Programin e Transparencës; 227 kanë caktuar koordinatorin për të drejtën e informimit, ndërsa 124 kanë publikuar regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve. Pranë Zyrës së Komisionerit u depozituan 560 ankesa, prej të cilave 395 janë zgjidhur me ndërmjetësim. Për 66 nga këto ankesa, Komisioneri është shprehur me “Vendim”. Nga ana tjetër, 99 ankesa kanë rezultuar jashtë objektit të ligjit, jashtë afateve apo të paplota. Pjesa më e madhe e ankesave të shqyrtuara nga Zyra e Komisionerit kanë qenë nga individët, 430 të tilla, ndërsa 130 nga organizatat e shoqërisë civile, një tregues që flet për rritjen e ndërgjegjësimit në ushtrimin e kësaj të drejte nga qytetarët.

Në kuadër të të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, Zyra e Komisionerit është angazhuar në monitorimin e përpunimit të të dhënave personale dhe mbikëqyrjen e respektimit të masave të sigurisë gjatë përpunimit të tyre, si nga kontrollues publikë ashtu edhe ata privatë. Gjatë vitit 2017 u trajtuan 205 ankesa, në raport me 150 përgjatë vitit 2016. Kompleksiteti i ankesave dhe hetimet e shumta administrative, janë dëshmi e zhvillimit pozitiv që e kjo e drejtë po merr dita ditës në Shqipëri. 184 inspektime u kryen gjatë vitit të kaluar, prej të cilave 153 në terren dhe 31 online, në sektorë dhe fusha, si: shëndetësi, sistemin bankar, telekomunikacion, institucione të arsimit të lartë, institucione të ekzekutimit të vendimeve penale, marketingu i drejtpërdrejtë, etj. Zyra e Komisionerit në përfundim të procedurave ka dalë në 22 raste me “Vendim”, masa që korrespondojnë me 36 sanksione administrative (gjoba).

Zyra e Komisionerit është gjithashtu e angazhuar në trajtimin e ankesave mbi zbatimin e ligjit “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, për të cilat është shprehur me vendime të rëndësishme. Mbetet ende punë për t’u bërë, sidomos për ndërgjegjësimin e qytetarëve në ushtrimin e të drejtës së tyre për t’u njoftuar dhe konsultuar me projektligjet, projekt dokumentat strategjikë kombëtare dhe vendore, si dhe politikave me interes të lartë publik.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of