Në prag të sfidës së Champions League me Real Madrid, në ambientet e Tottenham dalin disa thashetheme rreth së ardhmes së Harry Kane, të cilin merengues synojnë ta blejnë në merkaton e sezonit të ardhshëm.
Siç bën të ditur Times, presidenti i klubit të Tottenham, Daniel Levy, do të ishte i gatshëm të hiqte dorë nga sulmuesi i kombëtares angleze për 200 milionë sterlina (rreth 225 milionë euro).
Kjo shifër është edhe më shumë se 222 milionë euro që pagoi Paris Saint-Germain verën e kaluar për të blerë, nëpërmjet klauzolës, Neymar nga Barcelona.
Levy, i cili në të kaluarën ka bërë marrëveshje të rëndësishme me Real Madrid, do të synonte të rriste vlerën e lojtarit më të rëndësishëm të Tottenham-it, siç ka bërë edhe në të shkuarën me Luka Modriç për 30 milionë sterlina në vitin 2012, dhe në veçanti me Gareth Bale për 89 milionë serlina në vitin 2013.
Kane, i cili këtë fillim sezoni ka shënuar 14 gola me Tottenham dhe Kombëtaren e Anglisë, ka marrë përgëzime edhe nga trajneri i Real Madrid, Zinedine Zidane.
“Është një lojtar i kompletuar – ka pohuar Zidane – dhe mendon gjithnjë të shënojë në çdo gjë që bën”.
Sipas shtypit spanjoll, Real Madrid është gati të paguajë 100.000 sterlina në javë për Kane (më shumë se 6 milionë euro në sezon).