Red Bull kërkon të zbarkojë edhe në futbollin anglez. Nën “shënjestrën” e kolosit të pijeve energjike është West Ham United, një nga klubet kryesore të Londrës, edhe pse numëron shumë më pak trofe se rivalët e Arsenalit dhe Chelsea, dhe që nga vera e kaluar luan në stadiumin Olimpik të Londrës i përuruar me rastin e Lojërave Olimpike të vitit 2012.
Red Bull zotëron ndërkohë 4 klube futbolli; në Austri, klubin e Salzburgut, në Gjermani klubin e Lajpcigut, i themeluar në vitin 2007 dhe që këtë sezon ka debutuar në Bundesligë.
Së fundi, shoqëria ka arritur një marrëveshje për të blerë Stadiumin Zentralstadium (ku luan tashmë që prej 2010-s) dhe të rrisë kapacitetin nga 42.500 në 57 mijë vende.
Kompania Red Bull ka investuar edhe në SHBA duke blerë skuadrën e Metrostars që tani quhen NY Red Bulls; dhe në Brazil ku në periferi të Sao Paulo prej disa vitesh është themeluar klubi i Red Bull Brasil.
Për më tepër, Red Bull ka në pronësi edhe dy skuderi të Formula 1 – Red Bull Racing dhe Toro Rosso.
Tani është radha e një prej kampionateve më të bukur – Premier League, dhe sipas burimeve është gati një super ofertë për dy pronarët e Hammers, David Gold dhe David Sullivan.
Në të kaluarën, Red Bull e kishte mohuar interesimin për skuadra të kategorive më të ulëta si Leeds, Brentford dhe Charlton, ndërsa tani interesimi është bërë konkret. Duhet kujtuar interesimi i gjigantëve austriakë për Udinezen, me hipotezën e ndryshimit të emrit të stadiumit të ri Friuli.
Nëse kjo marrëveshje mbyllet me sukses, stadiumi olimpik “London Stadium” do të marrë emrin e Red Bull siç ka ndodhur edhe me stadiumin e Lajpcigut.
Tifozët e West Ham nuk janë aspak pro kësaj hipoteze, me frikën se Red Bull do të ndryshojë ngjyrën dhe logon e klubit, siç ka ndodhur edhe me Salzburgun dhe Nju Jorkun. Këtë vit, Hammer-sat janë transferuar në stadiumin olimpik të Londrës duke lënë me keqardhje impiantin e vjetër dhe të flaktë “Upton Park”.
Pritet fjala e UEFA-s, duke qenë se klubet që luajnë kompeticionet europiane nuk mund të kenë të njëjtin pronar. Kjo do të thotë që Red Bull mund të blejë disa aksione, të sponsorizojë fanellat e klubit dhe t’i japë emrin stadiumit.