A e duan shqiptarët reformën në drejtësi! Parimisht, vetëm pak prej tyre duhet të jenë kundër, të inkriminuarit, të korruptuarit dhe ata që përfitojnë pushtetet prej këtij sistemi drejtësie. Ambasada amerikane në Shqipëri dhe ajo e Bashkimit Europian, janë vendosur në krye të këtij misioni që duket i vështirë për politikën, kanë kërkuar haptas koalicion me publikun shqiptar. Donald Lu thotë se “shenja e sigurt që reforma do të ketë sukses është frika që kanë të pushtetshmit në Shqipëri, se mund të humbasin të ardhurat e pista dhe vendin e punës”. Ky duket një argument fort i mirë që reforma është e nevojshme.
Por a është kjo reforma që duam?
Vetëm argumenti i parë dhe vetëm për të është folur dhe punuar deri tani, është i pamjaftueshëm. Sepse, së pari, ashtu siç ka mbërritur te publiku gjithë debati, reforma është orientuar vetëm si ndëshkim për pjesën elitare që është e kriminalizuar, pra “të pushtetshmit” siç thotë Lu. Së dyti, sepse suksesi i saj matet deri tani vetëm nëse politika arrin një konsensus, pra a do të kënaqet ajo me produktin që vetë do të prodhojë, pasi i trembet prishjes së një balance të pushtetit mbi të cilën ekziston, por që në fakt është pikërisht kjo marrëdhënie politike që ka prodhuar bjerrje të drejtësisë në sistem. Së treti, por në fakt më e rëndësishmja për ne, është sepse reforma është orientuar vetëm si ndëshkim, por jo si përftim, që merr përsipër të zgjidhë një gamë më të gjerë çështjesh të mprehta të mjedisit shqiptar dhe që shqetësojnë po aq fort sa padrejtësitë dhe pushteti i padrejtë i më të pushtetshmëve. Ajo që na është servirur deri tani si reformë duket e kufizuar në çështje që lidhet me mënyrën se si zgjidhen me votë të emëruarit dhe se çfarë institucionesh do të krijohen e sa prej tyre do të fshihen, duke u përqendruar në një mjedis të ngushtë dhe në pak individë.
Ndërkohë realiteti shqiptar ka mjaft probleme të mprehta të tjera, të lidhura drejtpërdrejt me qytetarin dhe që vetëm reforma në drejtësi mund ta zgjidhë. Prekim vetëm një aspekt (të cilin revista ‘Monitor’ në numrin e kësaj radhe i ka kushtuar faqet kryesore të saj), rreth marrjes “peng” të bankave dhe individëve, në tërësi gjithë ekonomisë, nga pamundësia e ekzekutimit dhe zhbllokimit të kolateraleve. Aktualisht qindra prona të shqiptarëve kanë mbetur peng për ekzekutim kolaterali, qindra çështje për pretendime pronësie zvarriten prej vitesh, ka shumë çështje pa zgjidhje se nuk ka ligje që t’i mbështesin, ka ligje të mbivendosura etj., të cilat prodhojnë një shoqëri njerëzore të stresuar e konfliktuale, por edhe me humbje të drejtpërdrejta ekonomike dhe financiare. Për këtë shkak (edhe të tjera më minorene) sot në sistemin bankar, kredia e keqe ka arritur në 19.9% të stokut dhe vlera e kolateralit për ekzekutim që bankat duhet të shesin vlerësohet në 68 miliardë lekë. Këto dy shifra janë mjaftueshëm një fotografi e qartë se pse ekonomia është kapur në çark. Ka raste aq paradoksale sa dënohesh për mospagesë të energjisë elektrike, të paktën sa për armëmbajtje pa leje, ose për mashtrim dhe vjedhje në shuma të mëdha. Ka raste kur me kontratë ke blerë një shtëpi, por nuk je zot i saj, e mëson se banesa jote është peng kolateral në bankë, që as banka nuk e ka e as kredimarrësi nuk e ka??!!! Është pikërisht kjo situatë që prodhon më pas edhe hapësirat për korrupsion dhe padrejtësi në sistemin e drejtësisë. Por reforma e propozuar nuk u adresohet këtyre çështjeve, ndonëse institucione autoritare dhe me peshë në vend si Banka e Shqipërisë dhe FMN kanë kërkuar të zgjerojnë spektrin e saj. Ekspertët e pavarur gjykojnë se kjo reformë deri tani prek vetëm 1/10 e problemeve që krijon sistemi. Ndaj reforma për të cilën flet politika, por jo publiku, do të mbetet vetëm si një ndëshkim, por jo si një përfitim. Ajo nuk kuron plagën, por ndëshkon vetëm ata që e krijuan dhe as garanton që drejtësia e mohuar të jetë nesër më e drejtë, më shpejt dhe sa më pak kosto. Prandaj publiku, qoftë edhe duke i besuar sinqeritetit të ambasadorit amerikan që na flet me gjuhën tonë, është neglizhues dhe jo aq entuziast sa dëshirohet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.