“Reforma në Sistemin Energjetik në Shqipëri” ishte aktiviteti që mblodhi përfaqësues të qeverisë, por edhe të Komunitetin e Energjisë me kreun e saj z. Kopac dhe Buschle.
Ministri Gjiknuri, në nisje të referimit të tij, ripërsëriti shifrat , sipas tij domethënëse, të ndryshimit të këtij sektori.
“Në vitin 2013, humbjet në Shqipëri arritën 45% dhe në vitin 2012 ishin 46%. Ishim shumë larg kuotave që duhet të arrinim por sot që flasim, pra për vitin 2014 janë mbi 100 milion dollarë më shumë të arkëtuara nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Kemi një reduktim historik të humbjeve vjetore me mbi 7%. Nga 45% që ishte mesatarja e vitit 2013, në vitin 2014 këto humbje u ulën në 37.8%. Kjo do të thotë se progresi ka qenë i dukshëm dhe vetëm kjo, e konvertuar në para do të thotë nga humbja është 45 milion dollarë më pak për Operatorin e Shpërndarjes.Këto tregues kuptohet se kanë ndikuar në përmirësimin e situatës financiare në sektor”, tha ministri Gjiknuri,
Gjithashtu ai bëri thirrje për investime në këtë sektor, si pikë kyçe për zhvillim, e gjithashtu theksoi se një element që i kërcënon investimet në sektor është mungesa e likuiditetit, mospagesa.
“Shqipëria ka patur një sfidë të madhe edhe përsa i përket investimeve në sektorin privat të energjisë. Ka mundur të tërheqë sipërmarrës bazuar në një program nxitës për investimet në sektorin energjetik, pra për ndërtimin e hidrocentraleve. Por, një e vërtetë nuk ju tha publikut nga qeveria e mëparshme dhe këtë duhet ta pranojmë. Sëbashku edhe me aktorët e terrenit, jemi duke u përpjekur që të gjejmë një mënyrë që të jetë sa më transparente dhe të ketë perspektivë që këto investime të jenë të qëndrueshme.”, u shopreh Gjiknuri, duke shtuar se çdo investim privat në energjinë elektrike duhet të reflektohet në tarifa. Pra, sipas ministrit, do të jetë konsumatori i cili për shkak të çmimeve më të mira e të qëndrueshme në terma afatgjatë dhe për shkak të investimeve që ka nevojë ky sektor do duhet të paguajë më shumë në terma afatshkurtra.
Ministri tha edhe që vetëm në vitin 2014, për shkak të masave, sidomos në periudhën e tetor-nëntor-dhjetor janë nënshkruar mbi 72 mijë aktmarrëveshje nga debitorë të energjisë.
Gjiknuri tha edhe se është vendosur të ndryshohet i gjithë modelin i tregut në Shqipëri, qoftë edhe përsa i përket rolit që duhet të marrë Operatori i Shpërndarjes, pasi t’i kalojë edhe furnizimi publik me shumicë do të jetë ai përgjegjës për blerjen e energjisë të prodhuesve privat.
“Reforma e re e sektorit të energjisë elektrike po kryhet dhe me mbështetjen e Bankës Botërore me të cilën kemi një projekt ambicioz përsa i përket investimeve, por të fokusuara në etapa të caktuara. Perspektiva është që siç edhe e kemi deklaruar, deri në vitin 2018 sektori të jetë në gjendje të mbajë vetveten”, theksoi ministri, i cili shtoi në vijim edhe se përmes ligjit të ri, i cili është në parlament tani, do mund të vihet në jetë liberalizimi i tregut duke e filluar deri në fund të këtij viti me klientët e lidhur deri në 35 kilovolt dhe duke vazhduar deri në vitin 2018 që pjesa e tensionit 10, 20, deri në 35 të ketë dalë nga tarifat e rregulluara.
“Ligji parashikon edhe masa të tjera pozitive për klientët në nevojë. Gjithashtu, ligji fillon dhe i trajton kompanitë ashtu siç duhet të jenë, koorporata dhe jo më si segmente zgjatimesh shtetërore që vazhdimisht është luajtur politikisht. Zbatimit i këtij ligji do të pasohet më vonë me ligjin për gazin dhe ligjin për energjitë e rinovueshme i cili mbeti në një ngërç për shkak të problemeve që kishte sektori energjetik në përgjithësi. Pa kaluar ligjin për energjinë elektrike nuk mund të bënim operacionet e nevojshme dhe në pjesën e energjive të rinovueshme.”, përfundoi ministri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.