Flet Prof.Dr. Adrian Civici, President i UET
Synimi kryesor i këtyre lloj ndryshimesh në strukturën e qeverisjes duhet të jetë përjashtimi i tyre nga lufta dhe konflikti i përditshëm politik pozitë-opozitë, pasi ato kanë të bëjnë direkt me themelet e shtetit dhe qeverisjes eficiente afatgjatë dhe jo me koniunkturat politike, klientelizmin politik apo konfliktin politik ndërpartiak.
Prof.Dr. Adrian Civici, President i UET, vlerëson se, nëse reforma institucionale e qeverisë “Rama 2” synon thjesht përqendrimin e kompetencave vendimmarrëse në më pak duar, në një thjeshtim të paralelizmave, por pa reduktuar numrin e kompetencave qeverisëse (në raste të veçanta edhe duke i shtuar ato), atëherë kemi të bëjmë me një reformë që synim kryesor ka vetëm përmirësimin e cilësisë administruese dhe koston sa më të ulët qeverisëse.
Civici thotë se, dilema më e madhe që pritet të marrë një përgjigje së shpejti ka të bëjë pikërisht me raportet ndërmjet reformës institucionale qeverisëse të ndërmarrë dhe modelit të ri ekonomik, apo për të qenë më konkret, reformës qeverisëse dhe strategjisë së zhvillimit ekonomik e social të vendit në dekadën e ardhshme.
Profesori shprehet se, sfidat e Shqipërisë, ekonomisë dhe zhvillimit të saj janë të mëdha e të shumta sidomos në katër drejtime: përmirësimi i klimës së biznesit; zhvillimi i sektorëve prodhue; turizmi dhe bujqësia, përfshirë këtu dhe industrinë agroushqimore; të hartohet një “strategji dhe pakt kombëtar për punësimin.
Cili është vlerësimi i juaj për reformën në institucione në drejtim përqendrimit?
Është një reformë e domosdoshme, e sugjeruar gjerësisht edhe nga institucione të rëndësishëm ndërkombëtare si Banka Botërore, FMN, BERZH, e cila duhet kuptuar e vlerësuar në dy plane. Së pari, si përpjekje për të ndërtuar një strukturë qeverisëse dhe institucionale të përqendruar, lehtësisht më të kontrollueshme dhe të manovrueshme. Së dyti, për të ndërtuar një Shtet më të vogël, jo vetëm në numrin e ministrive, por edhe të punonjësve të administratës publike në të gjitha nivelet e saj. Ajo që mbetet për t’u verifikuar në këtë aspekt, është rritja e evidencës dhe cilësisë së qeverisjes në kuadër të kësaj strukture të re.
Mungojnë mjaft elemente, sidomos ato që kanë të bëjnë me objektivat konkrete të çdo ministrie të re, termat themelore të referencës së funksionimit të tyre, riorganizimet ligjore e strukturore të institucioneve dhe agjencive apo inspektorateve të varësisë, etj., të cilat nuk të lejojnë, të paktën në këto momente, të arrish në konkluzione më të bazuara mbi performancën e synuar apo të pritshme të kësaj strukture të re më të përqendruar qeverisëse. Kjo është veçanërisht evidente për të ashtuquajturat “superministri” të krijuara rishtazi, të cilat do të menaxhojnë gati gjysmën e buxhetit të shtetit.
Cilat janë kostot/përfitimet e këtij procesi në periudhën afatshkurtër dhe afatgjatë?
Efektet më të drejtpërdrejta të periudhës afatshkurtër janë të lidhura me cilësinë e një vendimmarrje mëmë të përqendruar, me shkurtimin e kohës dhe procedurave burokratike në trajtimin e problemeve dhe zgjidhjen e tyre, me fokusimin e vëmendjes në objektivat strategjikë të zhvillimit. Edhe nga pikëpamja e shpenzimeve administrative apo kostove qeverisëse, një qeveri më e vogël dhe më e përqendruar në pak institucione natyrisht që do të kushtojë më pak edhe financiarisht.
Ndërsa kur flitet për periudha afatgjata, pritshmëritë janë më të mëdha, pasi kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë e këtyre strukturave të reja, me shkallën e përputhjes së prioriteteve të zhvillimit dhe sektorëve strategjikë me strukturën e Ministrive, me filozofinë e administrimit publik në ekuilibrimin e raporteve ndërmjet përqendrimit administrativ dhe evidencës së qeverisjes, etj.
Synimi kryesor i këtyre lloj ndryshimesh në strukturën e qeverisjes duhet të jetë përjashtimi i tyre nga lufta dhe konflikti i përditshëm politik pozitë-opozitë, pasi ato kanë të bëjnë direkt me themelet e shtetit dhe qeverisjes eficiente afatgjatë dhe jo me koniunkturat politike, klientelizmin politik apo konfliktin politik ndërpartiak.
A do të ishte e rëndësishme që reforma institucionale të shoqërohej me një model të ri ekonomik?
Dilema më e madhe që pritet të marrë një përgjigje së shpejti ka të bëjë pikërisht me raportet ndërmjet reformës institucionale qeverisëse të ndërmarrë dhe modelit të ri ekonomik, apo për të qenë më konkret, reformës qeverisëse dhe strategjisë së zhvillimit ekonomik e social të vendit në dekadën e ardhshme. Ka ende një pikëpyetje: struktura e re e ministrive dhe reforma drastike në numrin e agjencive, drejtorive apo inspektorateve përkon me filozofinë e një “Shteti të vogël” jo thjesht në numrin e njësive institucionale apo numrin e punonjësve, por mbi të gjitha, në numrin e kompetencave?
Nëse është kështu, nënkuptohet një qeverisje më e vogël në emër të një “tregu dhe lirie ekonomike më të madhe”, çka përkon me një vizion të një Shteti dhe ekonomi më liberale, më pak etatike, pra me një vizion afër atij anglosakson të qeverisjes dhe ekonomisë: Shtet i vogël-treg i madh, kalim nga shërbimet shtetërore drejt atyre publike, thellim të praktikave të partneritetit publik-privat, etj..
Nëse kjo reformë thjesht synon përqendrimin e kompetencave vendimmarrëse në më pak duar, në një thjeshtim të paralelizmave apo parazitizmit të drejtorive, agjencive dhe inspektorateve për të ulur koston administrative dhe burokratike të tyre, por pa reduktuar numrin e kompetencave qeverisëse (në raste të veçanta edhe duke i shtuar ato), atëherë kemi të bëjmë me një reformë që synim kryesor ka vetëm përmirësimin e cilësisë administruese dhe koston sa më të ulët qeverisëse.
A e është mundur që teknikisht dhe juridikisht të bëhet bashkimi i tatimeve dhe doganave. Sa e mundur është kjo reformë?
Është plotësisht e mundshme. Ekzistojnë përvoja dhe praktika të suksesshme ndërkombëtare në këtë drejtim. Natyrisht, peshën kryesore në këtë organizim të ri institucional do të vazhdojnë ta mbajnë tatimet. Besoj se nga pikëpamja teknike dhe juridike, kjo është reforma që mund të realizohet më shpejt dhe me kosto më të ulët. Në thelb, filozofia dhe objektivat themelore të këtyre dy institucioneve janë shumë afër njëra-tjetrës.
Çfarë do t’i sugjeronit ju qeverisë që të prioritizojë këtë mandat?
Sfidat e Shqipërisë, ekonomisë dhe zhvillimit të saj janë të mëdha e të shumta. Më konkretisht, mendoj se janë 4 drejtime ku duhet përqendruar vëmendja më e madhe në këtë mandat: (1) përmirësimi i klimës së biznesit, lehtësimi dhe stimulimi i investimeve të brendshme, si dhe tërheqja maksimale e Investimeve të Huaja Direkte; (2) zhvillimi i sektorëve prodhues. Shqipëria vazhdon të prodhojë shumë pak, të eksportojë pak dhe të importojë shumë. Ky raport duhet ndryshuar me çdo kusht e çmim, nëse duam të kemi një ekonomi të strukturuar dhe të qëndrueshme; (3) t’i kushtohet një vëmendje shumë më e madhe turizmit dhe bujqësisë, përfshirë këtu dhe industrinë agroushqimore; (4) të hartohet një “strategji dhe pakt kombëtar për punësimin” duke e shpallur atë si një nga prioritetet më bazike të qeverisjes në katër vitet e ardhshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.