Reforma, si do të ulen pensionet e fshatit

16/11/2018 10:10 PM 0 komente

Reforma e pensioneve të vitit 2014 ka rezultuar një dështim për pensionet e fshatit, pasi bujqit kanë braktisur skemën me rritjen e masës së kontributit. Një projektligj synon që të vetëpunësurit në bujqësi të paguajnë sigurimet për një pagë minimale 140 mijë lekë, por ky ndryshim ul masën e pensionit për bujqit në afatgjatë në krahasim me formulën aktuale. Ndryshimet në ligjin e sigurimeve vijnë si një reformë e dytë në harkun e katër viteve, pasi i hapet rruga aplikimit të kolonës së dytë

 

Nga Blerina Hoxha

 

Të punësuarit që jetojnë në fshat dhe e kanë të lidhur jetën e tyre me bujqësinë janë para një perspektive të zymtë për pensionin e tyre të pleqërisë. Falimenti praktik i skemës së pensioneve të fshatit, për shkak se numri i përfituesve është 2 herë më i madh se numri i kontribuuesve, e kanë detyruar qeverinë që vetëm katër vite pas një reforme të thellë, të aplikojë sërish ndryshime drastike në ligjin e sigurimeve, të cilat synojnë të ulin masën e përfitimeve në të ardhmen për fshatin, duke i dhënë pension për atë që paguan.

Ndryshimet e reja synojnë gjithashtu të aktivizojnë shtyllën e dytë, ku një pjesë e sigurimeve shoqërore që paguhen në shtet të kalojnë në skemat private. Ndryshimet e tjera në ligj parashikojnë përqendrimin e përllogaritjes së pensioneve të pleqërisë në njësi të qendërzuar, jo më në qarqe siç aplikohet aktualisht. Gjithashtu, pensionisti që punon pritet të marrë një shtesë mbi pensionin e caktuar prej 2.4% në vit.

Propozimet e reja ligjore vijnë si një reformë e dytë në harkun e pesë viteve, pasi ndryshimet që u bënë në vitin 2014 duket se e përkeqësuan skemën për fshatin, në vend që ta përmirësonin atë. Në reformën e vitit 2014 u përcaktua që masa e kontributit të të vetëpunësuarve në bujqësi do të rritej çdo vit, derisa në vitin 2018 të barazohej me kontributin e paguar nga i vetëpunësuari në zonën urbane. Këto masa nuk u pritën pozitivisht nga të punësuarit në bujqësi, të cilët pas rritjes së kontributit më 2015, braktisën masivisht pagesën e sigurimeve. Në vitin 2014, para reformës së madhe të pensioneve numëroheshin 127,728 kontribuues në fshat, teksa në vitin 2017 ishin vetëm 58,526 të tillë, me rënie 54%.

Për shkas të situatës së re të krijuar, qeveria u detyrua që të ngrijë rritjen e masës së kontributit për fshatin, duke mos zbatuar një nga dyshimet themelore të reformës së vitit 2014. Për t’i dhënë zgjidhje afatgjatë këtij problemi, një projektligj për sigurimet shoqërore synon të fusë konceptin e pagës minimale për fshatin. Të vetëpunësuarit në bujqësi, sipas propozimeve të reja ligjore, do të paguajnë në bazë të një page minimale masën e kontributit dhe jo kuotë fikse siç paguajnë aktualisht, por kjo do të ulë masën e përfitimeve në të ardhmen. Ekspertët në Institutin e Sigurimeve Shoqërore pohuan se kjo është zgjidhja më e drejtë. Aktualisht të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë 50% më pak sigurime se vetëpunësuarit në qytet për një pension të njëjtë.

 

 

Si do të ulen pensionet për fshatin

Nëse një i vetëpunësuar në fshat paguan sigurime sipas skemës aktuale në mënyrë të rregullt, pensioni maksimal që ai mund të përfitojë, duke paguar sigurime për 35 vite rresht, është 13,014 lekë. Ndërsa me ndryshimet në ligjin aktual, pensioni që mund të përfitojë duke paguar sigurime mbi pagën 14 mijë lekë për 35 vite rresht është rreth 12 mijë lekë, pohojnë ekspertët në Institutin e Sigurimeve Shoqërore.

Me ligjin aktual, përfitimet e pensionistëve të fshatit llogariteshin mbi masën e kontributeve të paguara me pagën referuese 16,190 lekë, ndryshimet e reja ligjore do të paguhen mbi pagën 140 mijë lekë. Për shkak të bazës më të ulët të pagës, edhe pensioni i të vetëpunësuarve në bujqësi do të jetë më i ulët pas 35 viteve, duke marrë në konsideratë dy formulat, si atë me ligjin aktual dhe atë me ndryshimet e propozuara.

Aktualisht një i vetëpunësuar në fshat paguan masë kontributi në një nivel prej 38.400 lekë në vit, ose 3200 lekë në muaj për zonat fushore dhe 29.400 lekë në vit për zonat malore, ose 2450 lekë në muaj. Një i vetëpunësuar në qytet paguan aktualisht 66.240 lekë në vit kontribut ose 5520 në muaj. Me reformën e pensioneve që u miratua në vitin 2014, kontributet për të vetëpunësuarit në fshat do të rriteshin gradualisht për t’u barazuar me qytetin këtë vit. Një i vetëpunësuar në qytet paguan aktualisht 66.240 lekë në vit kontribut. Për të vetëpunësuarin në bujqësi, diferencën e paguan buxheti i shtetit dhe për efekt pensioni, këto periudha konsiderohen të barabarta për të dy kategoritë.

Sipas reformës nga viti 2014 deri më tani, për të vetëpunësuarin në bujqësi, diferencën e paguan buxheti i shtetit dhe për efekt pensioni këto periudha konsiderohen të barabarta për të dy kategoritë. Në këtë mënyrë, buxheti i shtetit e subvencionon dy herë skemën e fshatit. Një herë duke plotësuar diferencën e kontributit të të vetëpunësuarit në bujqësi, duke e njehsuar atë me qytetin, dhe një herë duke subvencionuar pagesat aktuale të pensioneve të fshatit, pasi shpenzimet për pensionet rurale janë shumë më të larta se të ardhurat.

Me reformën e vitit 2014, duke nisur që nga data 1 janar 2015, formula e përllogaritjes së pensioneve për të dy skemat u unifikua, por kjo formulë e përkeqësoi pjesëmarrjen e fermerëve në skemën e sigurimeve, pasi masa e kontributit për fshatin u rrit rreth 20% më 2015. Pavarësisht këtyre kushteve shumë favorizuese për banorët e zonave rurale, pjesëmarrja në skemën e pensioneve mbetet e kufizuar, argumentohet në relacionin që shoqëron projektligjin për ndryshime në ligjin e sigurimeve.

Por Instituti i Sigurimeve Shoqërore vijon të aplikojë një formulë të ndryshme për qytetin dhe fshatin, megjithëse reforma e pensioneve e vitit 2014, parashikon një formulë të njëjtë të përllogaritjes së masës së pensionit, për shkak se diferencimet midis skemave do të vazhdojnë të jenë edhe në të ardhmen, së paku deri në vitin 2032, periudhë në të cilën do të vazhdojnë të dalin në pension persona që kanë derdhur për jo më pak se 15 vite kontribute në skemën e ish- kooperativave bujqësore.

Në bazë të pagës minimale, një i vetëpunësuar në bujqësi do të paguajë kontribut 3360 lekë në muaj dhe në bazë të kësaj pagese do të përllogaritet edhe pensioni i pleqërisë, i cili sipas skemës aktuale pas vitit 2014, përllogaritej mbi një bazë kontributi 5520 që është aktualisht. Në këtë mënyrë, buxheti i shtetit do të shmangë subvencionin direkt në masën e kontributit, duke i ngarkuar me përgjegjësi bujqit për pensionin e tyre të pleqërisë.

 

Sa ulen pensionet për fshatin

Nëse një i vetëpunësuar në fshat paguan sigurime sipas skemës aktuale në mënyrë të rregullt, pensioni maksimal që ai mund të përfitojë, duke paguar sigurime për 35 vite rresht, është 13,014 lekë. Ndërsa me ndryshimet në ligjin aktual, pensioni që mund të përfitojë duke paguar sigurime mbi pagën 14 mijë lekë për 35 vite rresht është rreth 12 mijë lekë, pohojnë ekspertët në Institutin e Sigurimeve Shoqërore

 

 

Tre opsionet e mundshme për bujqit

Ekspertët e Sigurimeve Shoqërore kanë diskutuar disa opsione që do të ruanin balancën në skemën e pensioneve, me qëllim frenimin e thellimit të deficitit. Njëri opsion ishte rritja e masës së kontributit në masën e të vetëpunësuarve urbanë. Por ky opsion do të sillte reduktim të ndjeshëm të pjesëmarrjes. Ulja e pjesëmarrjes do të ulte ndjeshëm mbulimin e popullsisë me elemente të sigurimeve shoqërore, që nuk është shumë e pranuar nga pikëpamja sociale. Kjo do të sillte në të ardhmen jo të largët rritjen e shpenzimeve për pensionet sociale që financohen nga shteti.

Opsioni i dytë është lënia e situatës siç është aktualisht, ku një pjesë e paguan bujku dhe pjesën tjetër shteti. Kjo do të sillte një financim të madh nga buxheti, nuk është e drejtë krahasuar me kategoritë e tjera të kontribuuesve, krijon “privilegje” të pajustifikueshme dhe prish parimin kryesor të skemës, atë kontributiv.
Ndërsa opsioni i tretë që është marrë në konsideratë për ndryshimet e reja ligjore është ngrirja e masës së kontributit sa është aktualisht, caktimi i një page minimale për bujqit që i përgjigjet kësaj mase kontributi dhe ruajtja e të gjitha kritereve dhe parametrave të formulës në fuqi.

Ekspertët në ISSH pohojnë se duke vepruar në këtë mënyrë nuk deformohet parimi kontributiv i skemës, pensioni është produkt i kontributeve që paguhen, ulet subvencioni i buxhetit për kontributet dhe mbetet vetëm financimi i deficitit, duke vendosur trajtim të barabartë midis qytetarëve, ndërgjegjësim të popullatës që pensioni nuk është një dhuratë nga qeveria, por një e drejtë që buron nga kontributet e paguara ndër vite (kursimet personale).

Për të shmangur diskriminimin midis të vetëpunësuarve propozohet që të vetëpunësuarit në bujqësi kanë detyrimin të paguajnë kontributet e llogaritura mbi pagën minimale për ta, që paraprakisht mendohet të jetë 14 mijë lekë, por kanë mundësinë që mund të paguajnë edhe mbi nivelin e pagës minimale në shkallë vendi (që paguajnë të vetëpunësuarit urbanë) që është aktualisht 24 mijë lekë.

Pra, nëse një bujk dëshiron të përfitojë një pension më të lartë ka mundësinë e pagesës me një pagë më të lartë. Njëkohësisht të drejtat e fituara deri më tani ruhen, d.m.th. të gjitha vitet e siguruara deri në hyrjen në fuqi të këtij propozimi do të llogariten me pagën minimale në shkallë vendi.

Në projektligjin që propozohet për miratim janë reflektuar ndryshimet ligjore që i përkasin opsionit të tretë. Ky opsion ruan sistemin, formulën e llogaritjes së përfitimeve, parimin kontributiv të skemës, rrit përgjegjësinë individuale për pensionin, garanton mbulimin me elemente të sigurimeve shoqërore, drejtësinë e sistemit dhe trajtimin e barabartë të qytetarëve.

 

 

Pse u bënë ndryshimet

Vitin e kaluar, numri i kontribuuesve në bujqësi ra me 54% në raport me vitin 2014 kur reforma e pensioneve nuk kishte ende në fuqi. Për këtë arsye, vitet e fundit nuk është bërë rritja e masës së kontributit duke “e ngrirë” atë në një nivel prej 38.400 lekësh për zonat fushore dhe 29.400 lekë për zonat malore.

Subvencioni i lartë për kontributet nga buxheti i shtetit për bujqit nga njëra anë dhe pjesëmarrja e ulët, edhe për shkak të masës së lartë të kontributit nëse do të rritej, produktivitetit të ulët të ekonomive fshatare shpesh me sipërfaqe toke të vogla dhe jo efeciente, mungesa e nismave për pjesëmarrje dhe pamundësia për t’i detyruar bujqit të paguajnë, kanë krijuar problematika në skemën e pensioneve, e cila duhet të adresohet, – shpjegojnë ekspertët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Edhe pse të ardhurat nga kontributet janë rritur dukshëm vitet e fundit, për shkak të përfshirjes në skemë të një numri më të madh kontribuuesish nga sektori jobujqësor, shpenzimet për skemën e pensioneve janë rritur me ritme më të larta se të ardhurat.

Në vitin 2017, të ardhurat nga kontributet janë rritur me 43.1% ose 22 miliardë lekë më shumë se në vitin 2013, duke zënë 4.7% të PBB-së nga 3.8% të PBB-së para 5 vitesh. Ndërsa shpenzimet për sistemin e sigurimeve shoqërore më 2017 janë rritur me 23,4 miliardë lekë ose 24.5% në raport me vitin 2013. Ndërkohë shpenzimet për skemën e pensioneve janë rritur me 25,8%, ose me 19.893 milionë lekë.

 

Siç u akumulua problematika me pensionet e fshatit

Skema e pensionit për personat që kanë punuar në bujqësi i ka zanafillat në vitin 1972, kohë në të cilën u përfshinë në skemën e përfitimit edhe anëtarët e ish-kooperativave bujqësore. Kriteret e caktimit dhe masa e pensioneve kanë qenë të ndryshme krahasuar me pensionet e punonjësve të ndërmarrjeve dhe institucioneve shtetërore. Me ndryshimin e sistemit në vitin 1993 hyri në fuqi ligji i ri i sigurimeve shoqërore, i cili ju njohu punonjësve të gjitha të drejtat e fituara nën skemën e vjetër, si për pensionet dhe periudhat e sigurimit apo të vjetërsisë në punë që ishin realizuar gjatë periudhës së komunizmit.

Edhe ky ligj i trajtonte të ndara dy skemat, një skemë urbane dhe një skemë rurale duke ofruar masa të ndryshme pensioni, ku pensioni i fshatit ishte sa gjysma e pensionit urban. Në atë ligj ishte parashikuar që periudha e sigurimit e realizuar pas vitit 1994 si i vetëpunësuar në bujqësi (bujk) merrej në konsideratë si periudhë e realizuar në sektorin urban dhe llogaritej si e tillë. Pra, personat që kontribuonin në skemë pas vitit 1994 përfitonin një pension më të mirë se ata që nuk vazhdonin sigurimin. Nëse gjysma e periudhës së sigurimit apo vjetërsisë në punë ishte në sektorin urban ose e siguruar pas vitit 1994 si i vetëpunësuar në bujqësi, atëherë automatikisht përfitohej pension minimal urban.

Ky kufi administrativ nuk ishte i drejtë pasi diferenca midis atij që kishte 17.5 vjet sigurim pas vitit ‘94 (që është sa 50% e periudhës së kërkuar prej 35 vjetësh) me atë që kishte 17.4 vite sigurimi ishte shumë e lartë në masë pensioni, argumentojnë ekspertët e ISSH-së

Me reformën e vitit 2014 u eliminuan këto defekte dhe u vendos që të përdoreshin të njëjtat kritere dhe formulë llogaritje, si për ata që siguroheshin në sektorin urban, ashtu edhe për të vetëpunësuarit në bujqësi. Për këtë u përcaktua një pagë referuese për vitet e punës në ish-kooperativat bujqësore dhe çdo viti ju dha rëndësia e tij në masën e pensionit, duke eliminuar privilegjet për disa persona dhe kategori. Kjo u vendos në kuadër të parimit themelor që masa e pensionit është e lidhur drejtpërdrejt me kontributet e paguara. Aktualisht, pensionet llogariten sipas së njëjtës formulë dhe për çdo vit sigurimi pas viteve 1994 ka një pagë reale mbi të cilën janë paguar kontributet ose pagë referuese për vjetërsinë në punë para kësaj periudhe, duke marrë në konsideratë profesionin, shkollimin etj.

 

 

Rregulla shtesë për shmangien e abuzimeve

Veç ndryshimeve të rëndësishme për skemën e pensioneve të fshatit, do të bëhen edhe disa rregullime ligjore, që synojnë reduktimin e abuzimeve gjatë aktivitetit të ISSH-së. Nga praktika e përditshme kanë rezultuar mjaft raste, sidomos për rezidentët jashtë shtetit, kur pensionistët kanë ndërruar jetë dhe çregjistrimi i tyre në regjistrin e gjendjes civile është bërë me vonesë dhe si pasojë, pensioni i është kredituar në llogari një pensionisti që ka ndërruar jetë.

Natyrisht që kreditimi i pensionit ka limitin deri në gjashtë muaj. Në shumicën e rasteve, këstet e gjeneruara për pagesë, për llogari të pensionistit, nuk janë tërhequr dhe kanë mbetur në llogarinë bankare, janë bllokuar për t’u bërë të papagueshme, por nuk mund të kthehen në llogaritë e fondit me kërkesë zyrtare të organeve të Sigurimeve Shoqërore.

Në këto raste, nisur nga statusi ligjor i llogarive bankare individuale, për kthimin e shumave, bankat kërkojnë një vendim gjykate. Në këtë projektligj parashikohet që vetëm për rastet e kreditimit të kësteve të pensionit në llogarinë e pensionistit, për periudha pasi ai ka ndërruar jetë, organet e sigurimeve shoqërore të nxjerrin një titull ekzekutiv, i cili do të zbatohet nga bankat.

Në këtë projektligj parashikohet që në mënyrë graduale, ISSH të përqendrojë llogaritjet dhe caktimin e pensioneve në një njësi qendrore, duke reduktuar gradualisht veprimtarinë e drejtorive rajonale. Kjo është një përvojë që zbatohet në të gjithë vendet e BE-së e më gjerë dhe tashmë edhe në Shqipëri, pas grumbullimit të materialit arkivor, janë krijuar mundësitë për ndërmarrjen e masave të tilla. Caktimi dhe llogaritja e pensioneve në një qendër të vetme ka disa avantazhe në administrim, cilësi, kontrollin e afateve, si dhe zbatimin unik të ligjit.

 

Deficiti i skemës së pensioneve u ul më 2017

Në kushtet kur numri i pensionistëve po rritet me shpejtësi dhe nga ana tjetër, kontribuuesit në zonat rurale po bien, qeveria ka arritur të çojë në ulje deficitin e skemës së pensioneve. Sipas të dhënave të vitit 2017, deficiti i skemës së pensioneve arriti 45 miliardë lekë, duke u zvogëluar me rreth 5% në krahasim me vitin 2016.
Rezultatet në reduktimin e deficitit në skemën e pensioneve erdhën nga ecuria pozitive në grumbullimin e të ardhurave nga sigurimet, të cilat gjatë vitit të kaluar arritën në rreth 74 miliardë lekë, me një rritje vjetore 11%. Arkëtimet u nxitën nga rritja e pagës minimale në shkallë vendi me 200 mijë lekë, çka ka ndikuar automatikisht pagesat për sigurimet.

Gjithashtu deficiti në ulje i skemës u stimulua edhe nga shpenzimet e kontrolluara për pensione. Shpenzimet e përgjithshme buxhetore për pensionet arritën në 119 miliardë lekë më 2017, me një rritje vjetore 4.2%. Kjo rritje ka qenë më e ulëta të paktën që nga viti 2002 edhe pse gjatë vitit të kaluar, qeveria aplikoi rritjen e pensioneve nëpërmjet indeksimit me inflacionin.

Deficiti i skemës së pensioneve është frenuar më së shumti nga reforma e pensioneve, që ka rritur moshën e daljes në pension e për rrjedhojë, ka frenuar numrin e pensionistëve të rinj në skemë.
Vlera e deficitit në skemën e pensioneve është gati dyfish më e lartë se në vitin 2013, edhe pse në skemë janë shtuar 157 mijë kontribuues të rinj që nga 2013-a. Ekspertët në ISSH thonë se, pa reformën do të kishim thellim të mëtejshëm, për shkak se numri i pensionistëve po rritet me shpejtësi.

Skema e pensionit në Shqipëri nuk është e balancuar financiarisht. Kjo paqëndrueshmëri financiare është rezultat i rritjes së shpejtë të masës së pensioneve para pak viteve. Shkaqe të tjera janë numri i ulët i kontribuuesve, mosdeklarimi i pagës reale, numri relativisht i lartë i pensionistëve krahasuar me moshën e re të popullsisë, mosha e ulët e pensionistëve si rezultat i daljes së parakohshme në pension në fillim të viteve ‘90 dhe mosha e ulët e daljes në pension për disa kategori të veçanta, ndryshimet demografike, niveli i papunësisë dhe niveli i lartë i emigracionit i forcave të punës.

Plakja e popullsisë po rrit me shpejtësi numrin e pensionistëve në vend e për pasojë, nevojën për fonde shtesë ndaj arkës së pensioneve. Të dhënat nga instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se për vitin 2016, numri i personave në pension arriti në 611,544 persona, me një shtesë prej mbi 12 mijë e 600 pensionistësh nga 2015-a.

 

Përmirësohet raporti përfitues – kontribuues

Në harkun e tre viteve 2015 – 2017, numri i kontribuuesve në skemën e sigurimeve shoqërore është rritur me mbi 97.800 mijë persona, ndërkohë që numri i përfituesve është rritur me 35.700 persona. Kjo ka sjellë si pasojë përmirësimin e cilësisë të raportit kontribuues/përfitues, që është një nga raportet më të rëndësishme të qëndrueshmërisë së sistemit. Ndërsa në vitin 2013, raporti kontribuues – pensionist në pension pleqërie ishte 1.25 kontribuues me 1 përfitues, në vitin 2017 ai arriti në 1.51 : 1, duke shprehur një rritje cilësore dhe për një kohë të shkurtër dhe me tendencë të qartë drejt përmirësimit.

Në vitin 2017, shkalla e mbulimit të popullsisë në moshë pune nga sistemi me elemente të sigurimit shoqëror arriti në 39.7% kundrejt 29,4% që ishte në vitin 2013. Në qytet, si raporti i kontribuuesve ndaj forcave të punës, ashtu edhe raporti i kontribuuesve ndaj personave të punësuar paraqitet i përmirësuar, ndonëse ende evidentohet fenomeni i evazionit, sidomos në rastin e punësimeve sezonale apo të përkohshme, si dhe në biznesin e vogël.

Në vitin 2017, kundrejt vitit 2013, të ardhurat nga kontributet janë rritur me 43.1% ose 22.166 milionë lekë më shumë. Ky tregues evidenton rritje të ndjeshme edhe ndaj PBB. Në vitin 2013 të ardhurat nga kontributet arritën në 3.8% të PBB, ndërsa në vitin 2017 ato rezultojnë të jenë në nivelin e 4.7% të PBB, ndërkohë që vetë PBB evidentohet të ketë një rritje me rreth 15% ndaj vitit 2013.

Në vitin 2017, krahasuar me vitin 2013, shpenzimet për sistemin e sigurimeve shoqërore janë rritur me 23,4 miliardë lekë, ose 24.5%.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of