Qeveria me dominim serb e Republikës Srpska të Bosnjës po zbaton raundin e tretë të reformave ekonomike dhe sociale, por biznesmenët dhe sipërmarrësit lokalë nuk po shohin ende efekte pozitive nga ndryshimet e mëparshme.
Ndërsa qeveria e Republikës Srpska, RS, po punon rreth setit të tretë të reformave ekonomike dhe sociale që ajo filloi t’i zbatojë në fillim të vitit 2015, biznesmenët lokalë dhe sipërmarrësit privatë thonë se ata ende nuk shohin ndonjë efekt pozitiv nga raundet e mëparshme të reformave.
“Jo vetëm që nuk kemi siguruar ende ndonjë përfitim [nga reformat], por as nuk dimë se kur mund të ndodhë diçka e tillë”, – referoi i inatosur për BIRN, Miroslav Turnsek, menaxher i fabrikës së biskotave “Mira”, me bazë në Prijedor.
Turnsek, si shumica e biznesmenëve dhe ekonomistëve të tjerë, ankohet se gjendja ekonomike dhe sociale në vend po bëhet e padurueshme. Tensionet politike, korrupsioni i pranishëm kudo, administrata ende e shtrenjtë jofunksionale dhe procedurat e komplikuara administrative kanë trembur shumicën e investitorëve vendas dhe të huaj, duke e nxitur ekonominë e vendit drejt “rënies së lirë” dhe duke udhëhequr drejt niveleve të larta rekord të papunësisë.
Vitin e kaluar, BE dhe pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar, nisën punën mbi një set reformash të cilat, sipas mendimit të shumë ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendorë, mund të përmirësojnë situatën ekonomike dhe sociale në vend dhe ta sjellin atë më pranë anëtarësimit në BE, duke filluar me riorganizimin e legjislacionit dhe procedurave të qeverisjes së Bosnjës në përputhje me standardet e BE-së.
Ndërsa ky grup reformash është ende në proces diskutimi, qeveria e RS ka vendosur të ecë përpara me axhendën e reformave të saj gjashtë muaj më parë.
Në dy grupet e para të reformave, qeveria e RS përfshiu një lehtësim fiskal, por forcoi edhe autoritetin dhe sanksionet në dispozicion të tatimit dhe inspektorëve financiarë dhe policisë komunale.
Në javët e fundit, qeveria e RS përgatiti setin e tretë të reformave, i cili do të synojë të përmirësojë procedurat e falimentimit për të parandaluar biznesmenët të grumbullojnë borxhe të mëdha, duke braktisur kompanitë e zhytura në borxhe dhe duke filluar nga e para me të rejat – diçka që është bërë një praktikë e rregullt në mesin e biznesmenëve të paskrupullt.
Zyrtarët e RS mburren se situata ekonomike dhe mjedisi i biznesit në këtë subjekt, edhe pse jo i përsosur, është ende më i mirë se në pjesën tjetër të vendit.
“RS është një nga njësitë më të mëdha të ndërtimit në rajon”, tha Presidenti i RS, Milorad Dodik, në fillim të javës së kaluar në një forum ekonomik në kryeqytetin serb Beograd.
Ai shtoi se RS zotëron “mundësi të konsiderueshme për investime”.
Shqetësimet e investitorëve
Grupi i tretë i reformave pritet të diskutohet nga Asambleja Kombëtare e RS në sesionin e ardhshëm, por nuk dihet ende koha për shkak të thellimit të krizës politike atje. Megjithatë, partitë e opozitës, biznesmenët lokalë, sipërmarrësit dhe ekspertët po bëhen gjithmonë e më kritikë dhe të shqetësuar, duke qenë se nuk po vënë re efekte pozitive nga reformat e mëparshme.
Disa nga investitorët e paktë të huaj thanë se nuk do të kishin ardhur kurrë në RS nëse do të kishin qenë në dijeni se sa mjedis të keq politik, ekonomik dhe social ofronte për biznesin, por tani ata nuk e kanë të mundur të largohen.
“Ju nuk mundeni thjesht të hiqni dorë derisa nuk dëshironi të humbisni paratë që keni investuar tashmë”, – tha një investitor italian në Prijedor për BIRN, duke folur në kushte anonimiteti.
Një tjetër biznesmen, i cili erdhi nga Norvegjia për të investuar në rajonin e Prijedorit, tha se mjedisi i biznesit në RS është i ngjashëm me diskriminimin social.
“Ka njerëz të cilët punojnë dhe ata janë të zinj, dhe ka njerëz që janë në pushtet dhe ata janë njerëzit e bardhë. Kaq e thjeshtë është”, -tha ai.
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) njoftoi muajin e kaluar se perspektiva për ekonomitë në Europën Juglindore është përmirësuar për shkak të lehtësimit sasior në Eurozonë, një euro më e dobët dhe çmime më të ulëta të mallrave, teksa faktorët e politikës së brendshme bëhen gjithmonë e më të rëndësishëm.
Në të njëjtën kohë, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore thonë se ekonomia boshnjake ka filluar të rimëkëmbet.
Megjithatë, njerëzit dhe komuniteti i biznesit e perceptojnë situatën krejt ndryshe.
“Unë nuk vë re shenja të rimëkëmbjes apo përparimit”, – tha Turnsek, duke shtuar se për shkak të kësaj situate, atij i duhej të braktiste planet për të ndërtuar një fabrikë të re në RS. “Ky nuk është një mesazh i mirë për investitorët”.
Ekonomisti me bazë në Banja Lukë, Sinisa Pepic, tha për “Balkan Insight” se qeveria e RS nuk është treguar e gatshme të përfshijë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, apo organizata të shoqërisë civile në krijimin e strategjisë së zhvillimit afatgjatë për njësinë.
“Ky dokument duhet të bazohet në ekspertizë, jo në politikë, dhe duhet të përfaqësojë Biblën e Shenjtë për çdo grup politik që mund të vijë në pushtet në të ardhmen”, – tha ai.
“Reformat e rastit mund të sjellin vetëm rezultate të rastit, ose më keq akoma, asnjë rezultat”.