INTERVISTA/ Flet Prof. Dr. Arben Malaj, ish-Ministër i Financave
Si i vlerësoni projektbuxhetin 2014 dhe paketën fiskale?
Buxheti i viti 2014 është buxheti që tenton të ndihmojë rritjen ekonomike, por është njëkohësisht buxheti me borxhin më të madh publik, një pjesë e të cilit i destinuar për të paguar borxhet e prapambetura në shumën rreth 35 miliardë lekë.
Ky buxhet, ku ekonomia ka një rritje rreth 2% dhe një deficit buxhetor rreth 6.6%, ka një nivel të lartë të deficitit primar dhe sjell një rritje të mëtejshme të borxhit publik. Një “tolerim” që nuk do të jetë më në këto përmasa, jo vetëm se do të kërkojë kushte strikte në marrëveshjen me FMN, por sepse i bën më të vështira sfidat e stabilitetit të financave tona publike.
Impakti ekspansionist që buxheti synon në ekonomi me deficitin e lartë prej rreth 91 miliardë lekë, mund të mos arrijë objektivat e tij nëse implementimi i buxhetit fillon me vonesë, nëse paketa fiskale implementohet në mënyrë të sforcuar dhe nëse marrëdhëniet e administratës fiskale me biznesin nuk bazohen në një respekt ligjor dhe bashkëpunim sa më korrekt e institucional. Veprimet e sforcuara dhe sporadike të mbledhjes apo “tejkalimit” të të ardhurave, mund të dëmtojnë ambientin e biznesit në ekonomi, duke vështirësuar edhe rritjen e të ardhurave.
Lidhur me paketën fiskale, vendi ndodhet përballë detyrimit për të reduktuar ritmet e rritjes se deficitit primar dhe borxhit, efekti i paketës do të testohet më shumë në vitet e tjera. Nuk ka një formulë magjike për strukturën, llojin e taksave dhe nivelin e tyre në një paketë fiskale. Përgjithësisht, për të rikthyer stabilitetin e financave publike pa dëmtuar rritjen ekonomike, kërkohet që këto paketa të kenë dy elementë përbërës: reduktimin e shpenzimeve të panevojshme dhe jo efektive, si dhe rritjen e te ardhurave duke përmirësuar administrimin fiskal, duke zgjeruar bazën, duke reduktuar informalitetin, e nëse këto nuk mjaftojnë, duke rritur edhe taksat. Studimet e bëra nga institucionet ndërkombëtare lidhur me politikat fiskale gjatë krizës globale, rekomandojnë të nxitet konsumatori dhe bizneset të konsumojnë, të investojnë dhe ri-investojnë, të ulet kostoja e punës dhe rënia e të ardhurave të reduktohet nga rritja e tatimit të konsumit. Nuk rekomandohet rritja e rasteve të përjashtimeve apo taksave më shumë fasha/nëndarje, me nivele të diferencuara për grupe apo sektorë të ndryshëm.
Sipas gjykimit tuaj, sa ndikojnë ato ne rregullimin e problemeve strukturore të ekonomisë, zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme dhe nxitjen e punësimit?
Qeveria dhe politik-bërësit e kanë më të lehtë të njohin problemet dhe sëmundjet e ekonomisë shqiptare. Diagnostikimet e bëra nga indekset ndërkombëtare i kanë identifikuar qartë ato. Indeksi konkurrencës globale, indeksi i mjedisit të biznesit, indeksi i pagimit të taksave, indeksi i perceptimit të korrupsionit, indeksi i investimeve të huaja, janë të mjaftueshëm për të qartësuar problemet dhe për të ndërtuar e implementuar reformat e nevojshme. Kërkohet qartësi dhe vullnet për këto reforma bazuar në strategji kombëtare të monitorueshme.
Duhen eliminuar pengesat që kanë të bëjnë me burimet dhe skemat e financimit, duhet eliminuar bllokimi i ndërtimit, duhet forcuar respektimi ligjor i kontratave duke filluar nga qeveria ndaj biznesit, duhen reduktuar e eliminuar kostot shtesë në kohë dhe financa për të nisur e mbyllur biznes, për të njohur e paguar taksat etj.
Rritja pa punësim është sfida më e madhe sot-rekomandimet janë të ndryshme, por në thelb kanë trajnimin e ri-trajnimin, lehtësimin e tregut kombëtar të punës ku bashkohen lehtësisht kërkesa dhe oferta e punës, skemat mbështetëse për SME, krijimi i fondeve të ndarjes së rreziqeve nëpërmjet fondeve të garancisë etj.
Cilën gjykoni mënyrën më të mirë për ecurinë e ekonomisë, rritjen e borxhit, apo rritjen e taksave?
Nuk janë vetëm këto dy opsione, së pari duhen reforma për lehtësimin dhe mbështetjen e rritjes ekonomike më të lartë, më të qëndrueshme dhe më përfshirëse. Rritja ekonomike e lehtëson stabilitetin e financave publike. Sfida jonë kryesore është rritja e ritmeve të rritjes ekonomike. Në situatë krize, debati midis rritjes së borxhit dhe rritjes së taksave, kërkon analiza shumë profesionale dhe me këndvështrim afatmesëm dhe afatgjatë. Edhe rritja e borxhit si mundësi e ndaljes së rënies ekonomike apo ri-ngritjen e saj, ka kufizime për nivelet deri kur mund të vazhdohet.
Çdo vend ka specifikat e tij, ka kufijtë e tij të fleksibilitetit të politikave monetare e fiskale, të kufijve të deficiteve primare apo të nivelit të borxheve, kanë renditjen/vlerësimin e tyre ndërkombëtar për kosto me të cilat mund ta përballojnë rritjen e borxhit.
Ne kemi vlerësimet tona për mundësinë e shërbimit të borxhit pa cenuar krizën e borxheve apo të falimentimit të ekonomisë. Këto vlerësime kanë ardhur në përkeqësim, ndaj përgjegjësia për reformat pro rritjes ekonomike që lehtësojnë edhe stabilitetin e financave publike, janë bërë jetike.
Si e prisni ekonominë shqiptare në 2014, cilët janë faktorët që do të ndikojnë pozitivisht dhe negativisht?
E shikoj më të mirë se viti 2013, sepse viti 2013 po mbyllet me një bilanc të përkeqësuar të treguesve ekonomikë e buxhetorë. Rritja ekonomike në vitin 2013 ishte anemike, më e dobëta gjatë viteve të fundit, ajo vlerësohet vetëm 1.6%.
Viti 2013 kishte nivelet më të larta të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik. Treguesit u përkeqësuan gjatë një viti elektoral. Gjatë këtij viti, biznesi vendas edhe i huaj ka qenë i shqetësuar për përkeqësimin e mjedisit të biznesit, rritjen e kostove të pagimit të taksave.
Kriza e borxheve të këqija u thellua dhe zinxhiri i tyre i zuri frymën rritjes ekonomike. Borxhet e papaguara ndaj biznesit privat thelluan impaktin negativ në ekonomi, nëpërmjet përkeqësimit të kredive të këqija në sektorin bankar, duke mbërritur në rreth 24% të totalit.
Viti 2013, në kushtet kur rritja ekonomike është vetëm 1.6%, e ka pasur të vështirë të krijojë vende të reja pune, ndërsa rënia drastike e dërgesave të emigrantëve e ka bëre me të rëndë varfërinë në familjet e shumë shqiptarëve, sidomos të atyre që vartësia nga dërgesat e tyre është mbijetuese.
Viti 2013, është viti që ka një tendencë përkeqësuese e të gjitha vlerësimeve ndërkombëtare. Kjo tregon se reformat tona thelbësore, siç janë ato të ndarjes dhe të kontrollit të pushteteve, të ndërtimit të institucioneve të pavarura dhe kredibël, reformat për eliminimin e barrierave të rritjen ekonomike, të krijimit të një administratë profesionale dhe të qëndrueshme, nuk kanë krijuar akoma pavarësinë e tyre në funksion të zhvillimeve të pandikuara kaq shumë nga zgjedhjet apo rotacionet politike.
Në vitin 2013 vendi pati vlerësime në rënie për aftësinë e tij në pagimin e borxheve, një tregues që kur përkeqësohet potencialisht rrit kostot e financimit të ekonomisë, duke pasur një ndikim jo të vogël tek investitorët e huaj, duke bërë që këto investime kaq shumë të domosdoshme për ekonominë tonë të reduktohen apo spostohen. Së fundi, viti 2013 po mbyllet edhe me një dështim tjetër, privimi për herë të katërt nga përfitimi i statusit të vendit kandidat, efekti i të cilit është me pasoja negative edhe për ekonominë, sepse rrit skepticizmin dhe pritshmëritë e investitorëve potencialë vendas dhe të huaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.