Floreta Faber e njohur për kontributin e saj shumëvjeçar si përfaqësuese e Dhomës Amerikane të Tregtisë është dekretuar nga Presidenti Bujar Nishani si ambasadore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Faber zëvendëson në këtë post Gilber Galanxhi, të cilit edhe pse prej kohësh i ka mbaruar mandati nuk ka mundur të zëvendësohet për shkak të mosdakordësive ndërmjet Presidentit dhe qeverisë për emrin që do të përfaqësojë Shqipërinë në Uashington.
“Znj. Floreta Faber emërohet në detyrën e ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezident, dhe të ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Meksikës, Republikën e Panamasë dhe në Republikën Domenikane, jorezident”, theksohet në dekretin e kreut të Shtetit.
Faber njihet si një reformatore e biznesit në marrëdhëniet me qeverinë. Asistimi i saj për një kohë gjatë në Dhomën Amerikane të Tregtisë e ka sjellë organizimin e biznesit në dimensione të tjera.
Drejtore Ekzekutive e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, është propozuar nga qeveria dhe ministri i jashtëm, Ditmir Bushati muaj më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.