Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dështuar për të arritur një marrëveshje për lehtësimin e borxhit grek, për shkak të rritjes së mundësisë së një krize të re në Eurozonë në rast se Athina dështon në pagesa…
Ministrat e Financës së Eurozonës kanë dështuar në arritjen e një plani lehtësues për borxhin grek, bazuar mbi mundësitë e një krize në bllokun e monedhës së përbashkët nëse Athina nuk arrin të paguajë huanë.
Takimi midis 19 ministrave të Financës përfundoi të hënën vonë, së bashku me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar në lidhje me barrën e borxhit të Greqisë.
Pengimi erdhi vetëm disa orë pasi Gjermania dhe Franca u zotuan për të thelluar bashkëpunimin në monedhën e përbashkët dhe të kapnin mundësitë nga dalja e Britanisë nga BE-ja për të forcuar industrinë e tyre bankare.
Pas më shumë se tetë orë bisedime në Bruksel, kreditorët e Greqisë, shtetet anëtare dhe FMN-ja, e patën të pamundur që të sheshonin diferencat e tyre mbi aftësinë e Greqisë për të paguar borxhet në afat të gjatë.
Ishim shumë pranë për të arritur një marrëveshje sonte, – u shpreh Jeroen Dijsselbloem, ministri holandez, i cili drejtoi takimin. Ai tha se shpreson për një marrëveshje në takimin e radhës më 15 qershor.
Mosmarrëveshja FMN-Eurozonë është pengesa e fundit për Greqinë për të zhbllokuar këstin e fondeve të programit të shpëtimit në mënyrë që të ripaguajë 7.5 mld euro që duhen paguar në korrik.
BE ra dakord për një paketë shpëtimi prej 86 mld euro në korrik të 2015-s, një program shpëtimi i paprecedentë që ndihmoi vendin që të mos dalë nga Eurozona.
Edhe pse shifra finale është miratuar, Greqia duhet të përmbushë reformat përpara se të marrë paratë. Ajo siguroi rreth 10.3 mld euro majin e kaluar, por pagesa e fundit nuk po zhbllokohet prej muajsh.
U duk se rruga ishte e lirë kur më herët gjatë këtij muaji, qeveria greke ra dakord për shkurtime të mëtejshme të pensioneve dhe rritje të taksave sikurse kërkonin kreditorët. Megjithatë, një mosmarrëveshje midis kreditorëve është bërë pengesë për disbursimin e këstit.
Vendet e Europës Veriore nuk firmosin lëvrimin e kësteve të Greqisë në rast se FMN-ja nuk pranon të jetë pjesë e programit të tretë të shpëtimit. Vende të tilla si Gjermania dhe Holanda mendojnë se FMN do të shtojë ashpërsinë mbi programin dhe do të bëjë që institucionet e BE-së të mos jenë shumë të buta me Athinën.
Por deri më tani, FMN-ja ka refuzuar që të jetë pjesë e programit të tretë të shpëtimit pasi zyrtarët e saj mendojnë se borxhi i vendit nuk mund të menaxhohet në afat të gjatë. Fondi, në mënyrë të përsëritur ka deklaruar se po kërkon një strategji të besueshme për të rivendosur qëndrueshmërinë e borxhit.
Në qendër të mosmarrëveshjes është kërkesa që Greqia të ketë një suficit buxhetor ekuivalent me 3.5% të PBB-së. Pala europiane mendon se Greqia mund të arrijë këtë objektiv, por FMN-ja argumenton se çdo vend me një normë të lartë papunësie si Greqia (23%) nuk mund të arrijë këtë objektiv fiskal për pothuajse një dekadë.