Bizneset e sapohapura shpeshherë kanë mungesë informacioni në lidhje me detyrimet që ju lindin dhe mospërmbushja e tyre pas një viti i çon drejt statusit pasiv.
Në këto kushte, kjo kategori duhet të tregohet e kujdesshme dhe të marrë të gjithë informacionin e nevojshëm me hapat që duhet të përmbushin pasi bëhet regjistrimi.
Të vetëdijshëm për këtë ‘ngërç’, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka hapur një sportel të dedikuar brenda ambienteve të Qendrës Kombëtare të Biznesit. Bizneset, pas përfundimit të procedurës së regjistrimit, mund t’i drejtohen këtij sporteli për t’u njohur me të gjitha detyrimet tatimore, mënyrën e pagesave dhe afatet. Për herë të parë ky shërbim po ofrohet brenda sporteleve të QKB-së në qendër, ndërsa parashikohet që të shtrihet edhe në rrethe.
“Sporteli ju vjen në ndihmë të gjithë subjekteve që regjistrohen rishtaz për t’u njohur me procedurat dhe detyrimet e tyre tatimore. Në këtë sportel, ju mund të merrni informacion direkt, manuale dhe udhëzues të deklarimit si dhe broshura të tjera informuese. Vetëm gjatë një jave, këtij sporteli ju drejtuan rreth 60 subjekte. Ne jemi të angazhuar në përforcimin e urave të komunikimit me tatimpaguesit aty ku ata kanë më shumë nevojë”,- bën të ditur DPT.
Në këtë mënyrë, biznesi do të mund të marrë disa shërbime me një ndalesë pa qenë e nevojshme që të paraqitet fizikisht te Shërbimi i Tatimpaguesve për t’u njohur me taksat.
Kjo është pjesë e strategjisë së re të komunikimit që administrata tatimore ka nisur me tatimpaguesit. Më herët, drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero, deklaroi se po synohet që të krijohet një ‘one stop shop’ për shërbimet tatimore, si dhe të shkohet drejt dixhitalizimit të plotë për të shmangur kontaktet fizike dhe vonesat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.