Regjistrimi i markave, DPPI: Në 2018 janë bërë 870 aplikime nga subjektet

07/09/2018 4:59 PM 0 komente

Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale bëri me dje se nga 1 janari 2018-1 shtator 2018 rezulton të jenë bërë të paktën 870 aplikime nga ana e subjekteve tregtare që kanë aktivitet në vendin tonë si dhe nga kompanitë e vendeve të huaja. Shifra e regjistruar për vitin aktual është më e lartë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë kur u regjistruan 753 aplikime.  DPPI konfirmon se që nga viti 2016 statistikat tregojnë që numri i këtyre aplikimeve në fund të vitit ka tejkaluar nivelin mbi 1000 marka duke shënuar rekorde krahasuar me vitet e mëparshme.

“Këto shifra janë tregues i rritjes së nivelit të ndërgjegjësimit të biznesit vendas për përfitimet e  mbrojtjes së markave tregtare, si dhe të interesit të kompanive të huaja për tregun shqiptar. Mbrojtja e markave në territorin shqiptar ka  efekt  të drejtpërdrejte në  krijimin e një tregu të bazuar në  konkurrencën e ndershme.

Promovimi dhe ndërgjegjësimi i publikut për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë industriale është një nga funksionet e rëndësishme të DPPI. Me iniciativën dhe përfshirjen e DPPI janë zhvilluar aktivitete të shumta promovuese si konferenca, seminare, takime nga afër me biznesin, leksione në universitete dhe shkolla të mesme përfshirë edhe zhvillimin e konkurseve  me të rinjtë.

Kontributi i DPPI në mbrojtjen e pronësisë industriale bazohet edhe në rritjen e cilësisë së shërbimit, duke dhënë informacion profesional dhe duke asistuar aplikantët. DPPI ka  përshpejtuar procedurat e regjistrimit, si dhe ka zbatuar reformën e deregulimit e cila redukton numrin e dokumenteve të tepërta që duhet të paraqesin aplikantët. Po ashtu edhe bashkëpunimi  ndërmjet DPPI dhe institucioneve të tjera të përfshira në fushën e pronësisë industriale si dhe në grupin e punës së “Strategjisë Kombëtare për Pronësinë  Intelektuale 2016-2020” ka qenë i frytshëm” vlerëson DPPI.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of