Drejtuesit e agjencive të marketingut Në Shqipëri flasin për rritje të numrit të fushatave publicitare që kanë si emërues të përbashkët Kupën e Botës, FIFA 2014 që po zhvillohet në Brazil. Format e reklamimit janë nga më interesantet, ku konstatohet një rritje e kërkesës për “creative media”, forma më e fundit e reklamimit vizual. Nuk mungojnë edhe rastet kur bizneset kërkojnë më shumë marrëdhënie me publikun sesa reklama të mirëfillta. Një nga agjencitë më të famshme të parashikimeve të reklamimit në botë, Zenith Optimedia, bën të ditur se reklamat televizive do të pësojnë një rritje me rreth 3% në krahasim me vitin 2013, kryesisht për shkak të zhvillimit të Kupës së Botës në Futboll që zhvillohet gjatë muajit qershor – korrik, por edhe falë përmirësimit të kushteve ekonomike. Në të njëjtën linjë duket se është edhe agjencia tjetër prestigjioze Magna Global, sipas së cilës viti 2014, për fushën e reklamimit do të jetë më pozitiv falë edhe eventeve sportive. Agjencia beson se Kupa e Botës 2014, e organizuar nga FIFA, do të ketë ndikim pozitiv pasi zhvillohet në një kontinent që është i çmendur pas futbollit, por edhe sepse kombet e mëdha janë kualifikuar për turneun në Brazil. Nga ana tjetër, edhe koha e zhvillimit të ndeshjeve është optimale për transmetuesit europianë). Sipas tyre, fakti që turneu zhvillohet në Brazil e ka shtuar interesin për shikuesit europianë dhe reklamuesit. Brazili, për gjatë gjithë verës, do të jetë qendra e medias dhe e marketingut duke qenë se rikthehet si vend pritës i Kupës së Botës, pas asaj të zhvilluar në vitin 1950.Media, që do të shohë edhe efektet më të më mëdha, do të jetë televizori, duke qenë se kostoja për një mijë të rritur do të shënojë rritje me 13% në stacionet pa pagesë dhe si rrjedhim, të ardhurat nga reklamat do të rriten me 14%Nga ana tjetër, Magna Global parashikon që reklamimi në median dixhitale në shkallë botërore do të rritet me 20.1%, ndërsa ajo outdoor me 2.0%.
Në total, për vitin 2014, të ardhurat nga reklamat parashikohet të rriten me 12.7% (marxhinalisht më ulët se parashikimet më të hershme 13.7%), shifër kjo më e lartë se ajo që u shënua në vitin 2013 (6.1%).
Po çfarë ndodh në Shqipëri?
Krahasuar me Botërorin e vitit 2010, çmimet e hapësirave publicitare kanë ndryshuar ndjeshëm si porsa i përket çmimit, ashtu edhe mënyrës si u ofrohen kompanive të interesuara. Të drejtat e transmetimit televiziv të këtij kampionati janë blerë nga TVSH + Digitlab (Supersport, HD). Çmimet e një spoti përfshijnë shfaqjen e reklamave njëkohësisht në të tria kanalet (TVSH, Supersport, Digitalb).
Ajo që mund të parashikohet është se të ardhurat do të jenë më të larta. Kjo u atribuohet shumë faktorëve. Ndërgjegjësimi gjithmonë e më shumë i bizneseve që reklama është një formë efektive për rritjen e shitjeve dhe informimi i publikut nëpërmjet programeve të ndjekura. Botërori është event që zhvillohet një herë në katër vjet. Tregu sportiv, sidomos futbolli, është në lëvizje të vazhdueshme, duke ngjallur më shumë interes te shikuesit. Sporti nuk është më një aktivitet apo ngjarje me audiencë mashkullore, por sot edhe femrat e të gjitha grupmoshave dhe niveleve kulturore e ndjekin me interes. Audienca është maksimale dhe investimet e FIFA për këtë event janë gjigante. Investimet kryhen edhe nga bizneset që operojnë lokalisht në mënyrë që të shfrytëzojnë interesin e publikut për të përcjellë sa më shumë produktet dhe shërbimet përkatëse të këtyre bizneseve.E në fakt, që me afrimin e Botërorit, çmimet shënuan rritje, pasi kërkesa u rrit dhe hapësirat e lejuara për reklamë u ngushtuan çdo ditë e më shumë.Për fat të mirë, ecuria e reklamimit do të jetë pozitive edhe falë orareve të transmetimit të ndeshjeve që për Shqipërinë përfaqësojnë “prime time”, pra kohën pik të audiencës, e cila gjatë stinës së verës fillon nga ora 17:00 deri në orën 24:00 (oraret e ndeshjeve nisin në 18.00, vazhdojnë me 21.00, 00.00).Logjikisht çmimi më i shtrenjtë shkon për ndeshjet më të forta, si për fazën e grupeve, edhe për ato eliminatore. Çmimet rriten duke iu afruar finales. Duke qenë se kombinimi i ndeshjeve në kuadër të skuadrave që luajnë është përgjithësisht interesant, pothuajse të gjitha ndeshjet në fazën e grupeve janë të bukura. Siç dihet, zakonisht kombinohet një skuadër e fortë, p.sh. europiane me një skuadër të një kontinenti tjetër. Kjo gjë bëhet edhe më interesante kur skuadrat eliminohen dhe hyjnë në fazat e tjera kur vetëm njëra kalon për sfidë. Dallimi në vendosjen e çmimeve bëhet edhe brenda një ndeshjeje. P.sh., para pjesës së parë dhe para pjesës së dytë, çmimi është disi më i lartë sesa në blloqet përkatëse pas pjesëve. Kjo shpjegohet me vëmendjen e shikuesit në këto momente specifike. Para ndeshjes ka shikueshmëri, sepse pritet ndeshja dhe para pjesës së dytë po ashtu për të njëjtën arsye.
Sponsorët
Një pjesë shumë e rëndësishme e këtij eventi mbështetet nga partnerët dhe sponsorët. Janë gjithsej gjashtë partnerë, ku më kryesorët janë: Cola-Cola, Adidas, Emirates, etj., ndërsa sponsorët ndërkombëtarë numërohen në tetë dhe ata kombëtarë gjithashtu në tetë. Në Brazil, Coca-Cola sponsorizon si Kupën e FIFA-s 2014, ashtu edhe Lojërat Olimpike të vitit 2016. Brazili është një nga tregjet më të mëdha për Coca-Cola-n, duke zënë rreth 7% e volumeve në mbarë botën. Tregu i pijeve freskuese të lëngshme në vitin 2013 në këtë vend kapi vlerën 43 miliardë dollarë. Sipas vlerësimeve, Coca-Cola zë afro 27% të tregut në industrinë e pijeve braziliane. Për shkak të shenjave pozitive të një ringjallje të aktivitetit ekonomik dhe rritjes së të ardhurave, ky treg pritet të rritet më tej me 6%, mbi 54 miliardë dollarë deri në vitin 2017. Kompania gjermane e veshjeve ka të dhëna të sakta më të detajuara në lidhje me rritjen e shitjeve që gjatë vitit 2014 do të arrijë në mbi 8%, kjo për shkak se është edhe partner i Kupës së Botës që po mbahet në Brazil. Gjatë këtij viti, të ardhurat operacionale do të arrijnë një shtesë prej 1.2 miliardë eurosh. Ndryshe paraqitet situata për sponsorin e dytë të veshjeve Nike (NKE.N) të ardhurat e të cilit nuk do të rriten ndjeshëm. Nike furnizon me veshje dhjetë skuadra, mes të cilave edhe atë të Brazilit. Adidas pritet të shënojë një rekord prej 2 miliardë eurosh nga shitjet në futboll të këtij viti, duke tejkaluar Nike. “Futbolli është ADN-ja e kompanisë sonë. Ne duam të tregojnë qartë se ne jemi numri një në futboll”, thanë drejtuesit e kësaj kompanie. Lionel Messi i Argjentinës dhe Mezul Ozil i Gjermanisë janë ndër yjet që vishen me Adidas, ndërsa idhujt brazilian Neymar dhe ai i Portugalisë Cristiano Ronaldo do të veshin këpucë sportive Nike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.