Reklamat, biznesi drejt alternativave “low cost”

09/03/2013 8:01 AM 0 komente

low_costReduktimi i buxheteve për marketingun ka sjellë zhvendosjen e mjeteve të përdorura nga tradicionalet tek ato të gjeneratës së re, siç janë rrjetet sociale. “Në kushtet e reduktimit të përgjithshëm të buxheteve, duket se ka një prirje të reklamuesve për të rendur drejt hartimit dhe zbatimit të planeve të komunikimit sa më efektiv në kosto, duke shfrytëzuar kanalet alternative ndaj atyre tradicionale, dhe sidomos, kanalet e komunikimit online dhe ato të rrjeteve sociale”, thotë z. Thanas Goga drejtues i agjencisë publicitare R&T. Sipas tij, edhe mundësitë që ofrojnë kanalet e komunikimit online, sidomos rrjetet sociale janë tepër të mëdha, por pavarësisht kësaj, kompanitë shqiptare gjenden në një fazë më “foshnjore” krahasuar me përvojën disavjeçare të tregjeve më të zhvilluara në këtë drejtim.

Sipas drejtuesve të agjencive të marketingut, kompanitë e mëdha që operojnë në vend po tregohen të kujdesshme edhe në shpërndarjen më të mirë dhe më efikase të mesazhit promocional dhe blerjes më selektive të hapësirës.

Ata thonë se në kohë krizash, projektet e marketingut dhe ato të komunikimit nuk duhen konsideruar asnjëherë si shpenzim, por si një investim i vlefshëm, për objektivat e tyre përkatëse të biznesit.

Oliver Petrovski, drejtues i agjencisë “New Moment”, thotë se në të vërtetë, reduktimi i buxheteve të marketingut nuk ndikon drejtpërdrejt në perceptimin e mesazheve negative nga ana e konsumatorit, pasi ai thjesht nuk e di se një gjë e tillë ka ndodhur. Kjo është thjesht një konsekuencë.

Edhe pse media e re është në rritje dhe po kështu edhe hapësirat publicitare që zënë vend në to, fuqia e asaj tradicionale nuk do të zbehet, veçanërisht kjo vlen për shqiptarët që ruajnë një marrëdhënie gati-gati fanatike me televizionin, që e shohin si një nga mjetet kryesore të argëtimit.

Në Shqipëri, shfrytëzimi i rrjeteve sociale si kanal për përcjelljen e mesazheve publicitare varet nga tre faktorë kryesorë: rritja e numrit të përdoruesve të internetit, koha që ata do të shpenzojnë nëpër rrjete sociale dhe CPI (Costs per Impressions). Nëse numri i përdoruesve do të rritet, atëherë edhe kostoja do të jetë më e lartë. Ekspertët e marketingut thonë se kjo është natyrisht një mundësi reale dhe e vlefshme, por jo e vetmja. Ka fushata mbështetëse (kryesisht për

nënmarka apo zgjatime produktesh/shërbimesh) që mund të zgjedhin një drejtim të tillë. Kur vjen puna për fushatat që kanë si objektiv kryesor ndërtimin/menaxhimin e imazhit korporativ të markës është i nevojshëm përdorimi i kanaleve më të rëndësishme (dhe sigurisht më të shtrenjta) të komunikimit. Për vetë mënyrën se si sillet konsumatori shqiptar dhe ndikimi që kanale të ndryshme të komunikimit kanë në përcjelljen e mesazhit tek audienca, është e pamundur që për fushata të caktuara produktesh/shërbimesh të zbatohen vetëm projekte marketingu/komunikimi me kosto të ulët. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që kanë kanale të tilla të komunikimit, si televizioni e mediat “outdoor” që kanë edhe pjesën e “luanit” në tortën e shpenzimeve publicitare në treg.

Nga ana tjetër, edhe media ka nisur të zbatojë strategji që i përshtaten filozofisë së biznesit shqiptar. Drejtuesit e marketingut të televizioneve kryesore në vend shprehen se edhe programacioni përgatitet në mënyrë të tillë që t’i përshtatet targetit që kërkohet nga biznesi,

që gjithmonë e më shumë po shkon drejt grupmoshës nën 45 vjeç.

“Marketingu i integruar në përmbajtjen dhe formatin e programeve apo shoqërimi i tij edhe në aplikimin e programeve në median sociale, është shumë efektiv, edhe pse biznesi në Shqipëri duket që nuk është ende gati ta përqafojë dhe të paguajë për të aq sa ai në fakt vlen”, thonë drejtuesit e departamenteve të marketingut në median audiovizive.

Ata këshillojnë që biznesi në Shqipëri duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje formave më të reja të marketingut që po aplikohen gjerësisht dhe që kanë kosto më të ulët, siç është për shembull blogu. Në botë, blogjet po kthehen në një faktor të rëndësishëm në fushën e marketingut, duke qenë se përvoja ka dhënë shembuj pozitivë.

Për ekspertët, një formë efikase është edhe reklamimi online. “Duke gjykuar nga të dhënat e fundit të nivelit të përdoruesve të hapësirave online në Shqipëri, ajo që bie në sy është përdorimi i theksuar i këtyre hapësirave nga personazhe publikë, përfshirë politikanë, gazetarë, showbiz, etj., si edhe nga vetë media për promovimin e saj. Për sa i përket sipërmarrjes, ky shfrytëzim është në nivele më të ulëta. Megjithatë, duhet pranuar se vetëdija e menaxherëve të biznesit po rritet në këtë drejtim dhe besoj që do të sjellë zhvillime të reja gjatë vitit 2012”, thonë ata.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of