Tre operatorët kryesorë që menaxhojnë reklamat në hapësirë (outdoor), Albartex, La Strada, Metro SHA, kanë raportuar përmirësim të të ardhurave në vitin 2016, pas rënies për dy vjet radhazi.
Të ardhurat e tyre u rritën me gati 10% në rreth 3.2 milionë euro. Aktorët e tregut pohojnë se tendenca rritëse shpjegohet me Kampionatin Europian të Futbollit, futjen e kioskave në stacionet e autobusit dhe nga një tendencë rritëse e tarifave nga aktori më i madh i tregut.
Por, të dhënat e Idra Media tregojnë se kjo tendencë pozitive nuk ka vazhduar gjatë, pasi tregu në 2017-n i është rikthyer rënies. Idra Media filloi për herë të parë monitorimin e këtij segmenti në 2016-n.
Reklamuesit më të mëdhenj në 2017-n, sipas sipërfaqes ishin Vodafone, ELBAR, Agna Group, Pepsi Co. (tre të fundit janë pjesë e të njëjtit grup që ka në pronësi dhe Albartex), Eurosig Albtelecom, INSIG, DAST, EHW, Sigal.
Në 2017-n, sipërfaqja totale e reklamuar në hapësirë shënoi rënie prej 10.5%, sipas monitorimit të Idra Media.
Sipërfaqja më e madhe reklamuese (rreth 52%) ishte në rrugët ndërqytetëse, më pas vijojnë Tirana (32%), Durrësi (4%) dhe shumë pak në qytetet e tjera.
Nisma e Ministrisë së Transporteve për të hequr reklamat e jashtëligjshme në anët e rrugëve kryesore, duke filluar nga shtatori, i ka dhënë një tjetër goditje këtij segmenti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.