Sipas monitorimit në tregun e sigurimeve, shtohet numri i brokerave dhe agjentëve, shoqëritë kërkojnë pagesën e dëmit nga kompania ku je siguruar, pritet miratimi i rregulloreve. AMF kërkon kohë për Bonus-Malus
Që nga viti i ardhshëm, të siguruarit e mjeteve motorike do ta kërkojnë dëmshpërblimin te shoqëria ku janë siguruar, ndërkohë që është rritur numri i brokerave dhe agjentëve që kanë marrëveshje me shoqëritë e sigurimit. Aktualisht siguracioni i makinave të detyron ta kërkosh dëmin te shoqëria ku është siguruar shkaktari i dëmit, ndërsa me këtë ndryshim krijohet lehtësi në kërkimin e dëmit te shoqëria ku je siguruar, duke bërë që kompanitë e sigurimit të lidhen më shumë me produktin dhe klientët e tyre.
Por sipas një vendimi të Autoritetit të Konkurrencës të publikuar së fundmi, një nga kushtet që i ishte vënë shoqërive të sigurimit për dëmshpërblimin e drejtpërdrejtë të klientëve pritet të realizohet së shpejti. Pothuajse të gjitha shoqëritë e sigurimit janë shprehur për pagesën e dëmit nga siguruesi i drejtpërdrejtë dhe se janë draftuar marrëveshjet përkatëse, të cilat disa ndërmarrje i kanë vënë në dispozicion të Autoritetit të Konkurrencës. Pasi i siguruari merr dëmin te shoqëria ku është siguruar kompania, duhet të ndjekë procedurat për dëmshpërblimin nga shoqëria ku është siguruar shkaktari i dëmit.
Por, për të mundësuar trajtimin e dëmeve nga siguruesi i drejtpërdrejtë, nga ana e shoqërive konstatohet një vakum në rregullore, udhëzime dhe akte rregullative të unifikuara në drejtim të vlerësimit të dëmeve motorike, mungesa e të cilave krijon kushte për shumë subjektivizëm dhe vështirëson bashkëveprimin.
Sipas vendimit të Konkurrencës, hartimi i këtyre rregulloreve nuk mund të kryhet individualisht nga kompani të veçanta, por në mënyrë të përqendruar nga institucioni përgjegjës rregullator, AMF, i cili duhej t’i përgjigjej vullnetit të shoqërive të sigurimit me hartimin e akteve nënligjore sipas përcaktimeve në ligj, që të jenë të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha ndërmarrjet.
Në rregulloret që duhet të hartohen nga AMF, pavarësisht marrëveshjeve të lidhura mes shoqërive të sigurimit, duhet të përcaktohet saktë bashkëveprimi midis kompanive, detyrimi për pagesat e dëmeve si dhe rimbursimi i tyre nga kompanitë përgjegjëse të dëmit, ndaj kompanive të drejtpërdrejta që kanë paguar dëmin, për të shmangur zgjidhjen e konflikteve midis kompanive në rrugë gjyqësore dhe që marrëveshjet midis kompanive të kenë bazë ligjore.
Programi Bonus-Malus
Në lidhje me sistemin Bonus-Malus, nga monitorimi i Autoritetit të Konkurrencës rezultoi se në sistemin e shitjes janë kryer ndryshime kryesisht në plotësimin e të dhënave të klientit, ku tani me vendosjen e targës së automjetit, të dhënat e tjera plotësohen automatikisht nga sistemi. Por për të njëjtën kategori sigurimi, nuk ka ndryshim primi nga klienti në klient për të njëjtën shoqëri sigurimi, gjë që tregon se në sistem nuk është implementuar plotësisht sistemi bonus-malus që mundëson individualizim të primeve sipas historikut të dëmeve, kohëzgjatjes së patentës, moshës së të siguruarit dhe elementeve të tjera që individualizojnë primin e rrezikut.
Sipas shoqërive të sigurimeve, sistemi Bonus Malus është i aktivizuar, pasi shitja kryhet nëpërmjet përpunimit të të dhënave që gjeneron sistemi nga Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe Drejtoria e Policisë. Sipas shoqërive, tashmë primi i sigurimit përcaktohet mbi disa parametra risku, të cilët lejojnë vlerësimin e primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar edhe në historikun e të siguruarit. Shoqëritë shprehen se kanë kryer me sukses në muajin gusht 2014 testin e funksionimit të sistemit me të dhëna hipotetike. Por, ky sistem mbetet ende në fazë eksperimentale, pasi kërkohet përfshirja e të dhënave për dëmet dhe këtu nevojitet edhe roli i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Nga ana e AMF-së bëhet e ditur se po punohet për projektimin dhe vënien në zbatim të këtij sistemi, por që ende nuk është vënë në funksionim, pasi kërkon më shumë kohë.
Ofrimi i kompanisë sipas kërkesës së të siguruarit
Gjatë procesit të monitorimit pranë agjentëve dhe pikave të shitjes së shoqërive është vërejtur mënyra e shfaqjes së ofertave (logot) nga shoqëritë e sigurimit në sistemin e shitjes. Nga monitorimi konstatojmë se ndërmarrja INSIG sh.a. përdor sistemin e saj të shitjes dhe si zgjedhje shfaqet vetëm ajo ndërmarrje. Të gjitha ndërmarrjet e tjera përdorin sistemin e shitjes MSHM. Në agjentët e ndërmarrjeve Sigal dhe Albsig u vërejt se shfaqej vetëm një ndërmarrje, respektivisht Sigal dhe Albsig. Në agjentët e ndërmarrjeve të tjera shfaqen logot e të gjitha ndërmarrjeve, përveç INSIG, dhe agjenti mund të zgjedhë sipas kërkesës së klientit shoqërinë e sigurimit që dëshiron të lidhë kontratën.
Marrëveshje me më shumë se një broker
Nga ana e shoqërive të sigurimit, në shkresat e tyre të depozituara pranë Autoritetit të Konkurrencës, lidhur me marrëveshjet me më shumë se një shoqëri brokerimi janë paraqitur të gjithë brokerat me të cilët ata kanë marrëveshje brokerimi, të cilat jepen në tabelën e mëposhtme:
Referuar tabelës së mësipërme, rezulton se, nga ana e shoqërive të sigurimit, nuk ka marrëveshje vetëm me një broker, por me disa prej tyre dhe në lidhje me këtë detyrim të vendosur nga Komisioni i Konkurrencës, rezulton se është zbatuar nga ana e ndërmarrjeve.
Shtypja me logon e secilës kompani
Nga monitorimi, Autoriteti i Konkurrencës ka vënë re se Policat e Sigurimit shtypen dhe tregtohen me logon e secilës shoqëri sigurimi, e cila shfaqet në momentin e printimit të policës, me përjashtim të ndërmarrjes INSIG dhe Albsig, policat e të cilave kishin paraprakisht të vendosur vulën e këtyre ndërmarrjeve. Policat e Sigurimit të paplotësuara, të gjendura pranë agjentëve të shoqërive të sigurimit, kishin paraprakisht të vendosur vulën e Star Broker, me përjashtim të ndërmarrjes INSIG.
Secila prej ndërmarrjeve, pothuajse në terma të njëjtë, është shprehur se shtypja dhe tregtimi i policave të sigurimit bëhet me logon e shoqërisë përkatëse dhe vetëm më pas pranohet dhe nënshkruhet nga i siguruari, i cili ka të drejtën e zgjedhjes (të pranimit apo refuzimit).
Sistemi i shitjes online të kontratave të sigurimit të detyrueshëm mundëson përzgjedhjen, printimin (shtypjen) me logo të veçantë të shoqërisë të sigurimit sipas kërkesës së të siguruarit, duke siguruar që ato kanë bërë ndërhyrjet e duhura për mundësinë e zgjedhjes konsumatore sipas kërkesës së të siguruarit për shoqërinë.
Kontratat e sigurimit, të cilat shiten nëpërmjet regjistrit online të sigurimit të detyrueshëm motorik, printohen dhe tregtohen me logon e secilës shoqëri sigurimi që konfirmon dhe një herë që kontratat e sigurimit printohen dhe tregtohen me logon e secilës kompani.
Komisioni i Konkurrencës ka arritur në përfundimin se ndërmarrjet kanë zbatuar kushtet dhe detyrimet e vendosura nga Komisioni i Konkurrencës lidhur me ofrimin e shoqërisë së sigurimit sipas kërkesës së të siguruarit, zbatimin e detyrimit për lidhjen e marrëveshjeve me më shumë se një broker dhe shtypjen dhe tregtimin e policave të sigurimit me logon e secilës ndërmarrje, ndërsa lidhur me detyrimin për sistemin Bonus-Malus dhe për pagesën e dëmit nga siguruesi i drejtpërdrejtë, nevojitet ndërhyrja e AMF dhe miratimi i akteve nënligjore ashtu siç ka rekomanduar dhe Komisioni i Konkurrencës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.