Në një treg të vogël pune, kompanitë janë të detyruara të luftojnë për kandidatin më të mirë. Panairet e punës janë mundësi e mirë për të shpërndarë informacione lidhur me kompaninë tuaj dhe për të lënë përshtypje të mira te kandidatët. Pa u përgatitur dhe pa një plan pune, panairet e punës mund të rezultojnë zhgënjim për rekrutuesit, kështu që është mirë të filloni një proces pune dhe të bëni disa kërkime lidhur me organizimin e panairit dhe me personat të cilët e sponsorizojnë. Pasi keni aprovuar pjesëmarrjen si kompani në panair, ja çfarë masash të rëndësishme duhet të merrni parasysh:
Pjesëmarrja
Sigurohuni që të keni mjaftueshëm përfaqësues nga kompania juaj në panair, zakonisht sponsorët sugjerojnë 2-4 përfaqësues, sigurisht kjo varet edhe nga përmasat e kompanisë suaj.
Përfaqësimi
Zgjidhni përfaqësues, të cilët janë të ditur dhe aktiv, të respektueshëm dhe energjik, në mënyrë që të rrisin interesin e kompanisë suaj te kandidatët.
Motivimi
Motivoni përfaqësuesit tuaj që të sjellin në panair kartëvizita me numra kontakti, ky është një shërbim i nevojshëm për kandidatët.
Materialet informuese
Duhet të keni parasysh që kandidatët kërkojnë informacione mbi kompaninë, prandaj shoqërojeni intervistën me fletëpalosje që përmbajnë historikun e kompanisë, pozicionet e punës, aplikimet etj.
Përgatitja
Shkoni herët në mënyrë që të përgatisni tavolinën tuaj, kështu që kur kandidatët të kalojnë nga ju, t’ju gjejnë gati.
Largohuni të fundit
Planifikoni të qëndroni deri në fund të panairit, ndonjëherë aplikantët më të kualifikuar nuk arrijnë të vijnë në kohë dhe vijnë me vonesë, në këtë mënyrë edhe ju do të ekspozoheni plotësisht për të gjithë kandidatët.
Reklamoni në ueb
Reklamoni “Pozicione Aktive” në kompaninë tuaj, kandidatët zakonisht bëhen nervoz kur kuptojnë se kompanitë nuk janë duke rekrutuar për vende të lira pune. Jini të hapur të pranoni si CV-të e fotokopjuara, ashtu edhe ato online.
Mos harroni se çelësi që ju të jeni të suksesshëm në një panair është që ju të jeni të dukshëm.
Faleminderit që bëni punën tuaj
Ata që janë në biznes e kuptojnë dhe luajnë me rregullat e tregut, por ndonjëherë harrojnë dhe nënvlerësojnë atë që e bën një kompani vitale. Nëse punonjësit do të ndalonin së bëri atë që bëjnë, me siguri biznesi nuk do të funksiononte.
Punonjësit apo kolegët janë një nga pjesët më jetësore për mirëfunksionim e kompanisë. Ajo që mund të bëhet për të rritur të ardhurat e kompanisë është të inkurajohen punonjësit të bëjnë atë që ata dinë të bëjnë më mirë. Siç thonë shumë menaxherë të burimeve njerëzore, “nuk ka mënyrë më të mirë për të qenë mirënjohës me të tjerët, sesa të jesh mirënjohës për atë çfarë ata janë”.
Disa shefa shqetësohen se mirënjohja apo falënderimi mund t’i dekurajojë punonjësit për të punuar akoma më shumë, por në fakt, mirënjohja është një aspekt thelbësor për ecurinë e kompanisë.
Ajo që ekspertët propozojnë është diçka e ngjashme:
Çdo ditë, duke filluar nga java që do të vijë, duhet të shprehni vlerësimin tuaj ndaj një kolegu apo punonjësi për diçka që ai/ajo bën në mënyrë rutinë, por që ndihmon biznesin tuaj të shkojë mirë. Kjo mund të bëhet me anë të një e-mail-i, me telefon apo akoma më mirë duke e takuar personalisht.
Tregohuni të qartë. Për shembull, ju mund të thoni: “Jam i/e befasuar se si e ke kompozuar këtë teori apo tezë investimesh”. Ndërsa një tjetri mund t’i thoni: “Çdo ditë kam vënë re se sa i/e kujdesshëm/e jeni ndaj veprimtarisë, kjo ndihmon në rritjen e investimeve në kompani, ju faleminderit!”.
Që ky vlerësim të jetë më efektiv, përveç falënderimit, theksoni dhe punën që ata bëjnë çdo ditë. Në lidhje me këto këshilla mund t’ju japim dhe një opinion të fundit: “Ata që fokusohen vetëm në arritjen e shumë e më shumë përfitimeve, përfundojnë duke pasur më pak. Ata që u janë mirënjohës punonjësve për atë që bëjnë sot mund të habiten nga rritjet në përfitime të kompanisë në të ardhmen.