Paratë që emigrantët dërguan në atdhe përgjatë vitit 2013 pritet të kenë rënë me 23%. Ndonëse deri tani janë bërë publike të dhënat për 9 mujorin 2013, pritshmëritë për gjithë vitin bëhen të ditura në programin afatmesëm të qeverisë 2014-2016. Sipas këtij raporti, përkeqësimi i gjendjes ekonomike dhe vështirësitë në tregjet e punës në vendet pritëse nga të cilët burojnë dërgesat e emigrantëve, Italia dhe Greqia, ndikuan drejtpërdrejt në rënien e transfertave hyrëse vitin e kaluar. Prirja rënëse e dërgesave të emigrantëve parashikohet të vazhdojë dhe përgjatë vitit 2014 dhe më pas të shënohet një rritje e lehtë përgjatë vitit 2015 dhe 2016, sipas programit të qeverisë. Si pasojë e faktorëve të lartpërmendur, në terma afatgjatë, dërgesat e emigrantëve pritet të mbeten të ulëta dhe rëndësia e tyre si burim i jashtëm financimi pritet të jetë më pak i rëndësishëm. Si pasojë e rënies së dërgesave të emigrantëve, suficiti i llogarisë së transfertave korrente pritet të ngushtohet me rreth 20% për vitin 2013. Për 9 mujorin 2013, të ardhurat që emigrantët dërgojnë në familjet e tyre në Shqipëri ishin në nivelet më të ulëta historike, në 345 milionë euro, me një tkurrje prej 32% me bazë vjetore, duke reflektuar si tendencën ciklike, ashtu dhe krizën që po kalojnë Greqia dhe Italia, shtetet ku ndodhet pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë. Trendi rënës i remitancave pritej për shkak të lëvizjeve ciklike (pas 20 vitesh emigrantët fillojnë e shkëpusin lidhjet nga vendi mëmë), megjithatë ai është përshpejtuar për shkak të krizës që po përjetojnë Greqia dhe Italia, që kanë lënë mijëra shqiptarë të papunë. Remitancat e emigrantëve përdoren kryesisht për financimin e konsumit në vend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.