Shtimi i varfërisë në familjet shqiptare duket se po shton presionin që të afërmit e tyre jashtë vendit t’u dërgojnë më shumë para…
Pasi prekën fundin në 2013-n, të ardhurat e emigrantëve janë gjallëruar në vitin 2014, duke shënuar ritmet më të larta të rritjes, që nga 2007-a.
Sipas statistikave të bilancit të pagesave të bankës së Shqipërisë, përgjatë vitit 2014, emigrantët në Itali, Greqi etj, dërguan në shtëpi 592 milion euro, me një rritje prej 8.6% në raport me 2013-n. Një 2013-n, remitancat arritën nivelin më të ulët që nga viti 2000, kur raportohen të dhënat, me një rënie prej gati 20% me bazë vjetore.
Rritja është konstatuar në tremujorin e tretë dhe të katërt, përkatësisht me 8 dhe 22%.
Elton Çollaku, drejtor i Unionit Financiar Tiranë, kompanisë që është agjenti i vetëm i “Western Union Financial Services” Inc. për Shqipërinë, dhe operon në Kosovë, Maqedoni dhe Zvicër, pohon se ka një lloj stabilizimi dhe tendence rritjeje në prurjet e emigrantëve drejt Shqipërisë. Duke pasur parasysh situatën e vështirë ekonomike të familjeve në vend është normale që të ketë një rritje të ndihmës nga të afërmit jashtë. Nga ana tjetër po vihet re dhe një lloj formalizimi në treg dhe ulje të atyre që sjellin para me “çanta”.
Çollaku kishte paralajmëruar që më parë një rikthim të tendencës rritëse, që në fakt po ndodh. Sipas tij, kjo lidhet dhe me faktin që situata ekonomike ka nxitur valë të reja emigrimi. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme, që janë rreth 50 mijë veta që kanë lënë Shqipërinë gjatë vitit të kaluar në formën e azilit drejt vendeve të Bashkimit Europian, tendencë që po vazhdon edhe këtë vit. Vetëm në janar dhe shkurt në Gjermani kanë kërkuar azil zyrtarisht rreth 5000 veta.
“Situata ekonomike është e tillë që po nxit njerëzit të ikin drejt BE-së dhe ata ikin me kokën mbrapa, duke mbështetur familjarët këtu”, thotë Çollaku.
Edhe INSTAT ka raportuar se për herë të parë vetëm gjatë vitit që shkoi, janë larguar nga vendi 46 mijë persona. INSTAT parashikon se popullsia në moshën kulmore të emigrimit do të rritet gjatë dhjetë viteve të ardhshëm. Balancimi pothuaj neutral i migrimit pritet të ndodhë vetëm në vitin 2030, sipas INSTAT. Por ekspertët shpjegojnë se, gjithçka do të jetë në varësi të zhvillimit ekonomik të vendit në krahasim me vendet e tjera europiane. Parashikimet e momentit nuk presin që kjo të ndodhë para vitit 2031. Projeksionet tregojnë se të larguarit do të jenë 100.000 deri në 300.000 persona. Për shkak të këtij fenomeni, popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2015, arriti në 2.893.005 banorë, duke pësuar rënie prej 2.942 banorësh, krahasuar me atë të 1 janarit 2014, referoi INSTAT. Popullsia në vitin 2030 pritet të pakësohet edhe 3.3%, duke arritur në 2,795,523 banorë. Rezultatet e parashikimit tregojnë intensifikim të rënies demografike pas vitit 2031 për të arritur në 2.3 milionë banorë në vitin 2060.
Cikli, që duket se do të rikthehet
Pasi arritën nivelin më të lartë në 2007-n, transfertat e emigrantëve filluan të binin, duke reflektuar si tendencën ciklike (pas 20 viteve lidhjet me evndin mëmë fillojnë e zbehen) ashtu dhe krizën e pas 2008-s, që çoi në rritjen e papunësisë të shumë emigrantëve që punonin e jetonin në Greqi e Itali, dy burimet kryesore të remitancave drejt Shqipërisë.
Vlerësohet se në Itali e Greqi punojnë rreth 1 milion shqiptarë, të cilët dërgojnë vazhdimisht të ardhura te të afërmit e tyre.
Përvojat botërore tregojnë se, cikli i migracionit në vendet tipike ka zgjatur 15 vjet dhe pas kësaj periudhe numri i të kthyerve me të larguarit është barazuar. Në Shqipëri, hemorragjia e largimeve nga vendi ka hyrë në vitin e 25-të dhe bilanci mbetet thellësisht negativ dhe kjo dukuri do të zgjasë edhe për të paktën 16 viteve, sipas parashikimeve nga INSTAT.
Transfertat e emigrantëve kanë luajtur rol të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, duke qenë një burim i rëndësishëm konsumi, por tashmë me rënien e tyre bëhet gjithnjë e më i domosdoshëm zhvillimi i një modeli të ri ekonomik, që kërkon sigurimin e burimeve të tjera të hyrjes së valutës në vend.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.