Ka të njëjtën skemë mekanike dhe aftësi për terrene jashtë asfalti me modelin Nissan X-Trail, por dizajni është përshtatur me frymën e re stilistike të kompanisë. Detajet janë realizuar me shumë kujdes
KЁTЁ HERЁ Koleos mund t’ia dalë mbanë. Ndryshe nga seria e mëparshme e pafat, në vitin 2008, ky model i ri ka një dizajn të bukur, koherent me atë të modeleve më të mëdha Renault, si ai Talisman, si dhe cilësi montimi tejet të lartë, të domosdoshme për një sektor si ai i makinave SUV të segmentit D, që është në rritje të vazhdueshme në proporcion edhe me konkurrencën.
I realizuar me kujdes në çdo detaj, në veçanti konfigurimi Initiale Paris, me sedilje lëkure e mbështetëse koke të rehatshme, si dhe detaje të tjera, të tilla si sistemi multimedial R-Link 2 me ekran me prekje 8.7 inç (i cili suporton Apple CarPlay dhe Android Auto) dhe stereo Bose, të cilat theksojnë përkatësinë e këtij versioni ndër më të mirat modele Renault. Njësoj si pararendësi, modeli aktual Koleos, është prodhuar në Kore, në fabrikën e Renault Samsung Motors, ku realizohen edhe modelet Nissan X-Trail për tregun e Amerikës së Veriut.
Jo rastësisht këto dy modele ndajnë 50% të pjesëve të tyre, duke filluar nga platforma Cmf C/D, deri tek skema mekanike dhe aftësitë e tyre jashtë asfaltit. Dizajni është në përputhje me orientimin e ri të kompanisë. Detajet e Renault Koleos janë realizuar me kujdes, njësitë motorike janë diesel (me versionet 1.6 prej 131 kf dhe 2.0 prej 177 kf). Trasmisioni, i cili mund të jetë 4×2 ose 4×4, është i pajisur me kambio manuale me gjashtë marshe ose nga ajo me variacion të vazhdueshëm. Modeli i provuar në rrethinat e Helsinkit ishte versioni dCi 175 X-Tronic 4×4 Initiale Paris. Përveçse e realizuar me kujdes dhe e rehatshme, me shumë hapësirë në kabinë (me hapësirë të mjaftueshme për këmbët e pasagjerëve prapa), shoqëruar nga një bagazh relativisht i madh (nga 579 deri në 1.795 litra) dhe rezultoi shumë e qetë.
Rol për këtë luajnë xhamat anësorë me shtresa dhe funksionimi i veçantë i kambios X-Tronic, e cila sillet si një Cvt, duke e lejuar motorin të punojë në regjime të ulëta nëse drejtimi është i qetë dhe ndërkohë të punojë edhe si kambio automatike klasike (duke simuluar marshet) nëse drejtimi përshpejtohet. Vetëm rinisja e motorit në semafor është pak e ashpër. Mes kalibrimit të trasmisionit, suspensioneve të buta dhe sistemit të drejtimit jo fort të gatshëm por progresiv, drejtimi është i këndshëm pavarësisht pranisë së një nënkthimi të lehtë nëpër kthesa.
Me rrotat jashtë asfaltit, modeli Koleos ka treguar se është i aftë t’ia dalë edhe në situata jo fort të lehta, në sajë të mundësisë së fiksimit të shpërndarjes së momentit përdredhës mes boshteve, në vlerat 50:50, si dhe bllokimit “elektronik” të diferencialëve me Abs/Exp. Versioni dCi 130, i pajisur me motor diesel 1.6 dhe traksion në rrotat e para, ka treguar performanca të larta dhe manovrueshmëri të mirë të kambios manuale me gjashtë marshe, por zhurma brenda në kabinë ndihet.
Initiale Paris 4×4
MOTORI – L4 turbodiesel 1.995 cm3
FUQIA MAKSIMALE – 130 kW (177 kf)
MOMENTI PËRDREDHËS – 380 Nm në 2.000 xhiro/min
TRAKSIONI – integral
KAMBIO – automatike Cvt
0-100 km/h – 9,5 s
KONSUMI MESATAR – 17,2 km/l
PËRMASAT – gjat. 467 – gjer. 184 – lart. 168 cm
PESHA – 1.696 kg
ÇMIMI – 43.200 €
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.