Borxhet e huamarrësve jokorrektë janë rënduar së tepërmi që nga qershori i këtij viti nga rritja e tarifave të shërbimeve përmbarimore, me 33 – 117%.
Bankat janë të alarmuara se kjo rritje e kostos për debitorin do të ndikojë negativisht kthimin e kredive në banka. Dhoma e Përmbaruesve reagon duke pohuar se tarifat e reja janë të njëjta me ato të vendeve fqinje, por debitorët rëndohen nga interesat dhe gjobat e larta të bankave që janë më të larta se të rajonit.
Dy propozime të reja me të cilat fitojnë të gjithë
Blerina Hoxha
Një debitor, të cilit i mblidhet shuma e borxhit prej 700 mijë lekësh me forcë, duhet të paguajë si tarifë për përmbarimin 10% të kësaj shume ose 70 mijë lekë. Nëse ky veprim do të kryhej para muajit qershor, tarifa që do të përfitonte përmbarimi do të ishte gjysma, pra 32 mijë lekë. Ish Ministrat teknikë të Drejtësisë dhe Financave, Gazmend Bardhi dhe Egla Vukaj, gjatë kohës së ishin kanë miratuar një udhëzim të përbashkët, i cili hyri në fuqi në qershor, që në disa raste dyfishon tarifat e shërbimit përmbarimor për shumat mbi 500,000 lekë.
Për shkak të situatës zgjedhore në të cilin kaloi vendi, udhëzimi i cili i rëndon edhe më tej debitorët shqiptarë, sidomos ata jokorrektët, ka kaluar pa shumë bujë. Grupet e interesit u ndien të turbulluara për shkak të fushatës elektorale dhe sezonit të pushimeve që vijoi më pas, duke mos e marrë seriozisht udhëzimin e ministrave teknikë. Më të prekurat për momentin duket se janë bankat dhe institucionet financiare të kreditit. Rritja e faturave të përmbarimit duket se do ta shtojë më shumë koston e kreditorëve dhe të vështirësojë rikuperimin e kredive të këqija në Banka.
Kryetari i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, tha se, udhëzimi i lëshuar nga ministrat teknikë është i njëanshëm dhe nuk është konsultuar më parë me të gjitha grupet e interesit. Shoqata e Bankave vlerëson se tarifat e përmbarimit janë jo të logjikshme dhe në kundërshtim të plotë me frymën me të cilën u ndërmorën ndryshimet në ligjin për përmbarimin, i cili ndër të tjera synon të lehtësojë procesin e ekzekutimit të kolateraleve dhe uljen e NPL-ve dhe jo rritjen e mëtejshme të barrës për kreditorët. Ekspertët nga bankat tregtare i vlerësojnë të dëmshme kostot e reja të përmbarimit, por janë duke shpresuar se qeveria e re do t’i përmbysë këto tarifa dhe do t’i kthejë ato në nivele më të logjikshme.
Për përmbaruesit, udhëzimi i tarifave të reja ishte vetëm një detyrim ligjor. Fabio Isufaj nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Privatë, tha se udhëzimi i përbashkët i qershorit mbi tarifat e shërbimit të përmbarimit gjyqësor privat, sipas ligjit, duhet të miratohej brenda datës 11 janar 2017 (30 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit të amenduar), ndërsa formalizimi i tij u bë 6 muaj me vonesë, datë 26.06.2017.
Ai tha se, udhëzimet në fuqi mbi shërbimin e përmbarimit gjyqësor privat dhe shtetëror janë reflektime rigoroze të ligjeve përkatëse që ka miratuar Kuvendi i Shqipërisë, në harmoni të plotë me parimet e akteve ndërkombëtare, në veçanti me Rekomandimet e Këshillit të Europës dhe Kodin Global mbi Ekzekutimin e Detyruar.
Isufaj thotë se, ministrat teknikë (që tashmë janë dorëhequr), të cilët ishin të dekretuar nga Presidenti i Republikës, kanë formalizuar një akt nënligjor, të cilin pa asnjë ndryshim e kishte miratuar, pas një procesi të zgjatur konsultativ dhe ministri paraardhës i Drejtësisë në muajin prill të këtij viti.
Kuvendi i Shqipërisë, në referim të ndryshimeve ligjore të kryera në nëntor 2016 dhe në kuadër të masave ndaj problematikës së “kredive të këqija” në Shqipëri, ka ndërmarrë dhe miratuar konfigurime të reja në nenet 47 dhe 48 të ligjit nr. 10031, datë 11.12.2008 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, i ndryshuar, si dhe nenin 525 të Kodit të Procedurës Civile që lidhen drejtpërdrejt me tarifat e shërbimit të përmbarimit gjyqësor privat, tha Isufaj.
Por ndryshimet në ligjin për shërbimin përmbarimor privat kishin hyrë në fuqi që vitin e kaluar. Duket se grupet e interesit, sidomos bankat tregtare në vend, nuk kanë qenë dakord me tarifat e propozuara nga Ministria e Drejtësisë. Ekspertët e bankave pohojnë se këto tarifa janë edhe më të larta se ato që përdoren nga shërbimet përmbarimore të Londrës dhe Parisit.
Debitorët, tani me tarifa përmbarimi 33 deri në 117% më të larta
Duke krahasuar tarifat e reja të përmbarimit me ato të vjetra vihet re një rritje e tyre me 33% deri në 117%. Tarifat kanë mbetur të pandryshuara me ato të mëparshme për shumat deri në 500 mijë lekë, por rriten ndjeshëm prej kësaj shume. Kështu për vjeljen e një debie prej 700,000 mijë lekësh, tarifa e përmbarimit është 117% më e lartë.
Gjithashtu për një shumë 10 milionë, tarifa e përmbarimit është rritur me 59%. Në vlera neto, ajo arrin në 700 mijë lekë nga 440 mijë lekë që ishte me tarifat e vjetra.
Për një shumë 30 milionë lekë, tarifa e përmbarimit tani është 57% më e lartë. Nga rreth 1,1 milionë lekë që paguhej më parë, tani duhen paguar 1,8 milionë lekë.
Për shumën 90 milionë lekë, tarifa përmbarimore është rritur me 33,3%, ndërsa mbi këto shuma, tarifa e re është 3% e shumës së debisë, por jo më e lartë se 15 mln lekë. Por vlera e tyre vjen e bëhet më e lartë kur gjatë procesit të faturimit të shërbimit të shtohet edhe vlera e TVSH-së.
Tarifat e përmbarimit janë shumëfishuar me një të rënë të lapsit. Ekspertët e bankave pretendojnë se ministri i Financave miratoi tarifat pa bërë një studim paraprak, por burimet në Ministrinë e Financave dhe atë të Drejtësisë kanë pohuar se tarifat e reja vetëm sa u firmosën nga ministrat teknikë sipas variantit që kishin hartuar ministrat paraardhës, Arben Ahmetaj dhe Petrit Vasili. Patatja e nxehtë e tarifave duket se mbeti në dorën e ministrave teknikë, të cilat nuk kanë shmangur detyrimin ligjor dhe afatet që i pat caktuar ligji i përmbarimit për miratimin e tyre.
Por, edhe pse tarifat e reja të përmbarimit prekin shumë grupe interesi, ata që paguajnë janë debitorët dhe mbi të gjitha ata që tashmë janë në faliment. Përmbarimi, kur ekzekuton detyrimin, i faturon debitorit edhe tarifën e shërbimit të tij. Më pas shuma arkëtohet nga banka dhe i disbursohet përmbaruesit.
Procesi i rritjes së tarifave të reja të përmbarimit ka kaluar konsulta me ekspertët pa marrë në konsideratë debitorët shqiptarë, të cilët shpesh nuk janë të informuar për të drejtat e tyre dhe as nuk janë të përfaqësuar si grup interesi. Në Shqipëri nuk zbatohet e drejta e falimentit për individët, si në vendet e zhvilluara të Europës. Praktika gjermane për falimentin e njeh pamundësinë paguese të individëve dhe i përjashton ato nga detyrimet duke i futur në regjim falimenti. Këta persona monitorohen për një periudhë 5-vjeçare dhe nuk ju lejohet asnjë shpenzim përtej minimumit jetik.
Bankat, të alarmuara: Tarifat e reja të përmbarimit, bumerangu i ri i NPL-ve
Bankat në Shqipëri u përballën me fenomenin e moskthimit të kredive prej ciklit të dyfishtë të krizës që kaloi ekonomia e vendit pas vitit 2008, duke u renditur si vendi me nivelin më të lartë të kredive me probleme në rajon. Një plan masash për uljen e tyre erdhi si domosdoshmëri dhe nisi të aplikohej në fillim të vitit 2015. Pjesë e planit ishte miratimi i një ligji të ri për falimentin dhe rishikimi i ligjit për përmbarimin privat si dy hallkat themelore që do të rrisnin efektshmërinë e ekzekutimit të kolateraleve nga bankat. Ligjet, të cilat duhet të kishin hyrë në fuqi që në vitin 2015, hasën në vështirësi gjatë procesit të miratimit të tyre, për shkak të diskutimeve të gjata me grupet e interesit. Në sektorin e përmbarimit, bankat synonin që tarifat për këtë shërbim të ishin në raporte të drejta me shumat e ekzekutuara, dhe jo si pagesa fikse mbi shërbimin. Në këtë mënyrë, përmbaruesit do të ishin më të motivuar për të çuar deri në fund procesin e ekzekutimit, e për rrjedhojë bankat do të kishin rikuperime më të mëdha.
Por teksa ndryshimet për ligjin e ri të përmbarimit ishin miratuar në fund të vitit 2016, udhëzimi që do të përcaktonte tarifat ka vonuar shumë dhe sipas variantit final, bankat duket se janë më të penalizuara. Kryetari i Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, tha se së pari nga tarifat e larta të përmbarimit janë cenuar të gjithë debitorët shqiptarë dhe kjo do të ndikojë për keq NPL-të. Tarifat e përmbarimit, në vend që të lehtësonin procesin, do ta vështirësojnë edhe më tej atë.
Pavarësisht sagës së ndryshimit në legjislacion, kreditë me probleme kanë shënuar ulje të fortë gjatë këtij viti, duke arritur në 15.58% të totalit, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Ky është niveli më i ulët i arritur që nga tremujori i parë 2011, kur kreditë e pakthyera në afat në banka ishin 14.41%. Në fakt, ulja në këtë nivel erdhi falë dy masave që ka marrë Banka e Shqipërisë në pritje të “mrekullisë” që do të sillte ligji i ri i falimentit. Hyrja në fuqi e një rregulloreje që fshin kreditë që mbahen më shumë se tre vite në bilanc dhe gjithashtu ristrukturimi i kredive ndaj korporatave të mëdha i kanë ulur statistikisht kreditë me probleme në nivele të kënaqshme.
Shoqata e Bankave është duke pritur formimin e qeverisë së re për të nisur një proces të ri konsultimi me ministrin e Drejtësisë dhe Financave, për ndryshimin e tarifave të përmbarimit, me argumentin se aktualet janë vënë apriori pa marrë në konsideratë asnjë studim a metodologji.
Qëndrimi i përmbaruesve
Në Shqipëri, kultura për të mos paguar detyrimet dominon, për pasojë borxhlinjtë shqiptarë, në të shumtën e rasteve, nuk i njohin të drejtat e tyre në raport me kreditorët. Fabio Isufaj nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve, shpjegon se në të shumtën e rasteve, bankat janë fajtore për ngarkesën e lartë me borxh të debitorëve në raport me detyrimet fillestare. Në Shqipëri, si askund tjetër, bankat dhe agjencitë e mbledhjes së borxhit i ngarkojnë me gjoba dhe interesa debitorët, edhe pasi kontrata mes tyre ka përfunduar. Nuk ka asnjë logjikë, as mbështetje ligjore, që kamata dhe interesi të vijojë edhe pas përfundimit të kontratës së huasë, përveçse në Shqipëri.
Ka shumë raste kur individë debitorë, me vetëm 1 milion lekë, në mungesë të aftësive për të shlyer detyrimin, përballen me kamata dhe gjoba që për pak vite tejkalojnë me pesëfish vlerën e borxhit. Debitorët shqiptarë, në të shumtën e rasteve nuk janë korrekt me ruajtjen e dokumentacionit dhe nuk lexojnë kontratat me bankat.
Debitorët shqiptarë janë cenuar rëndë edhe nga procedurat ekzistuese të ankandit për shitjen e sendeve të tyre.
Në ligjin për organizimin dhe funksionim e shërbimit përmbarimor gjyqësor në vitin 2013 u bënë disa ndryshime në dëm të debitorëve.
Në rast se në ankandin e parë të pronës së një debitori nuk është paraqitur asnjë ofertues, atëherë, brenda 10 ditëve nga përfundimi i tij, përmbaruesi gjyqësor përcakton çmimin e ri të sendit, 30% më pak se çmimi fillestar i caktuar në ankandin e parë. Përmbaruesit thonë se kjo masë i ka rënduar shumë kostot për debitorët që, nga njëra anë janë të ekspozuar ndaj interesave më të larta dhe nga ana tjetër, prona e tyre shitet shumë më lirë se tregu. Me këtë masë, pasuritë e paluajtshme të debitorëve janë shumë të ekspozuara ndaj sekuestrove për të plotësuar shumat që kërkojnë bankat. “Pretendimet e Shoqatës Shqiptare të Bankave, se tarifat e shërbimit përmbarimor janë rritur në atë masë sa do të krijojnë një ‘barrë shtesë për qytetarët dhe taksapaguesit’, nuk qëndrojnë shprehet Dhoma e Përmbaruesve, në një deklaratë zyrtare për këtë qëllim.
Debitorët kanë zgjidhje, mund të falimentojnë
Individëve në vështirësi për të përmbushur detyrimet e tyre qoftë ndaj bankave apo ndaj subjekteve të tjera ndaj të cilave kanë detyrimin, edhe ligji i mëparshëm, edhe ky aktual që hyri në fuqi në fund të vitit të kaluar, u njeh të drejtën e mungesës së aftësisë paguese. Përmbaruesi Fabio Isufaj shpjegoi se gjatë punës së tij ka pasur raste të tilla ku individët kanë hyrë në faliment. Ai tha se edhe individët, njësoj si biznesi, përzgjedhin një administrator falimenti i cili më pas, duke ndjekur të gjitha procedurat ligjore, shpall falimentin dhe nis procesin e likuidimit të pasurive të individit nëse ai ka.
Debitori, person fizik, ka të drejtë të marrë nga masa e falimentimit minimumin e shpenzimeve të jetesës. Kjo vlerë përcaktohet nga administratori i falimentimit ose ai mbikëqyrës, pas konsultimit me komitetin e kreditorëve ose, kur ky komitet nuk ekziston, me Gjykatën e Falimentimit.
Sipas ligjit të ri të falimentit, shpenzimet e jetesës duhet të përmbushin nevojat bazë të debitorit, fëmijëve të mitur nën përgjegjësinë prindërore ose kujdestarinë e debitorit, përfshirë edhe ata që ndjekin shkollën deri në moshën 25 vjeç, bashkëshorten dhe ish/bashkëshorten, sipas detyrimeve që burojnë nga legjislacioni. Shpenzimet e jetesës nuk mund të jenë më pak se minimumi i përcaktuar nga legjislacioni i përkrahjes sociale.
Paaftësi paguese është gjendja në të cilën një debitor, pavarësisht nëse është person fizik ose juridik, nuk është në gjendje të paguajë borxhet e tij brenda afatit.
Ligji sanksionon se pasi ka filluar procedura e falimentimit, nuk mund të kërkohen pretendime me përmbajtje ekonomike ndaj debitorit. Të gjitha pretendimet e kërkuara duhet të dokumentohen në procedurën e falimentimit, në përputhje me procedurat e rregulluara në këtë ligj. Gjithashtu pas fillimit të procedurës së falimentimit, nuk mund të paraqiten ekzekutime të reja mbi pasurinë e debitorit dhe, ato që kanë filluar, duhet të pezullohen.
Pezullimi zbatohet për pretendime të bëra nga kreditorë të siguruar deri në sigurimin e pasurisë që është e nevojshme për vazhdimësinë e biznesit ose veprimtarisë profesionale të debitorit. Pezullimi aplikohet vetëm për një periudhë 6-mujore ose derisa të miratohet plani i riorganizimit, në varësi të situatës që do të ndodhë e para. Gjykimi i padive kundër debitorit duhet të vazhdojë derisa vendimi të marrë formë të prerë.
Propozohen dy ndërhyrje të reja, përfitojnë të gjithë
Ka ardhur momenti që në Shqipëri të ketë një platformë tregtimi të vetme ankandesh për sendet e sekuestruara. Ajo mund të jetë gati e njëjtë me portalin ebay. Një ndërhyrje tjetër emergjente që kërkohet është krijimi i një formule unike në vend. Këto sugjerime ia ka dhënë Kuvendit në një relacion të posaçëm ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
Si një jurist me përvojë, ai pat propozuar që qeveria të merrte në konsideratë krijimin e një qendre të vetme ankandesh. Duke i pasur të grumbulluar të gjitha sendet, edhe ato që sekuestrohen, edhe ato që janë kolaterale, pjesë të ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore ose titujve ekzekutivë, rritet shumë oferta. Ish- ministri tha se, nëse do të arrihej të krijohej një ebay, ku të klikojnë njerëzit edhe online dhe të japin ofertat e tyre, do të ishte maksimumi i ofertës që merr në një qendër të vetme ankandesh.
Sipas ministrit të Drejtësisë, kjo do të ishte një zgjidhje e mirë që heq miniankandet e vogla që përmbaruesit bëjnë në zyrat e tyre. Zyra e ankandeve gjithashtu mund të përdoret edhe nga Drejtoria e Tatimeve për të shitur sendet e sekuestruara. Kjo zyrë ankandesh mund të organizohet edhe nga Dhoma e Përmbaruesve, duke marrë si shembull modelin francez. Funksionimi në këtë mënyrë do të maksimizonte vlerën e sendeve të sekuestruara duke rritur kështu përfitimet për bankat dhe duke lehtësuar edhe debitorët në detyrimet që kanë.
Gjithashtu, Ministria e Drejtësisë i ka propozuar qeverisë që të përdoret një formulë unike për vlerësimin e pronave.
Aktualisht për efekt shpronësimesh përdoret një metodë dhe një tjetër për kthim pronash.
Ka edhe një mënyrë të tretë vlerësimi që është shumë ndryshe, ku çdo gjyqtar dhe çdo ekspert përdor metodën e vet.
Mungesa e një metode unike ka bërë që vendimet e gjykatave për çështje të njëjta të jenë të ndryshme, pasi ata përdorin metodologji të ndryshme për vlerësimin e pasurive. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, mungesa e një metode unike për vlerësimin e pasurive ka krijuar jo pak herë konflikte dhe zvarritje në dëm të të interesuarve për procesin.
Tarifë tjetër për suksesin e përmbaruesit
Sektori bankar aktualisht është ngarkuar me kolaterale në formën e pasurive të paluajtshme, të cilat i kanë ngarkuar ato me përgjegjësi shtesë që nuk janë në funksionin primar të tyre. Situata në të cilën ndodhen i ngarkon ato gjithashtu me faturë të lartë për t’u kujdesur për shitjen e tyre. Pjesa më e madhe e bankave kanë dedikuar nga një zyrë të posaçme që kujdeset për administrimin dhe shitjen e pasurive të paluajtshme. Ndaj për të lehtësuar sistemin nga kjo ngarkesë në ndryshimin e ligjit të ri për përmbarimin u fut për herë të parë koncepti i tarifës së suksesit. Pasi deri para ligjit të ri, përmbaruesit e merrnin tarifën e shërbimit që në fillim të procesit dhe nëse ekzekutimi nuk kryhej. Për shkak edhe të problemeve elementare që nisin që nga gjetja e debitorit, për shkak të mungesës së një adresari të saktë ose mungesa likuiditetesh, urdhrat e ekzekutimeve ndaj bankave nuk kryheshin, edhe pse tarifa përmbarimore ishte dhënë.
Tarifa e suksesit me ndryshimet e reja ligjore synon të japë pagesën e tarifës për përmbaruesit në bazë të suksesit që kanë në ekzekutim. Për shembull, nëse tarifa për shërbimin përmbarimit është 100 mijë lekë, me funksionimin e tarifës së suksesit 30 mijë lekë nga kjo shumë jepen në fillim të procesit dhe pjesa tjetër, 70% në momentin e ekzekutimit. Por me udhëzimin e ri të tarifave të reja të përmbarimit që tashmë është në fuqi, masa e tarifës së suksesit është shprehje e vullnetit të palës kreditore dhe përmbaruesit gjyqësor dhe përcaktohet me marrëveshje të nënshkruar nga të dyja palët, në momentin e nënshkrimit të kontratës së shërbimit. Marrëveshja me të cilën caktohet tarifa e suksesit, e nënshkruar rregullisht midis kreditorit dhe subjektit përmbarues, bëhet pjesë integrale e kontratës së shërbimit përmbarimor, duke pasur të njëjtën fuqi ligjore me kontratën.
Tarifa e suksesit nuk rëndon debitorin
Ndryshe nga tarifa e shërbimit përmbarimor, tarifa e suksesit paguhet në çdo rast nga kreditori, sipas kushteve dhe afateve të përcaktuara në marrëveshjen e nënshkruar nga kreditori dhe Zyrës Përmbarimore. Tarifa e suksesit nuk parapaguhet dhe nuk i ngarkohet debitorit, por në çdo rast, tarifës së suksesit i ngarkohet TVSH-ja, e cila llogaritet në momentin e pagesës dhe vetëm për atë pjesë të tarifës së suksesit e cila arkëtohet nga përmbaruesi gjyqësor, bazuar në kushtet dhe afatet e përcaktuara në marrëveshje.
Drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit miraton me urdhër metodologjinë mbi mënyrën e negocimit dhe parashikimit të masës konkrete të tarifës së suksesit, të specifikuara sipas rasteve dhe objektit, që do të duhet të aplikohet apo pranohet nga kryetari i Zyrës Përmbarimore.
Për çdo rast, kjo tarifë nuk mund të jetë më e vogël se 1% dhe jo më e madhe se 10% e vlerës së ekzekutuar të detyrimit.
Tarifa e suksesit për ekzekutimin e suksesshëm të titujve ekzekutivë me objekt të vleftësueshëm për një vlerë detyrimi deri në 500 000 lekë – nuk mund të jetë më e vogël se 3% dhe jo më e madhe se 10% e vlerës totale të detyrimit të vjelë ose të detyrimit të ekzekutuar.
Për mbledhjen e suksesshme të detyrimit apo ekzekutimin e suksesshëm të titujve ekzekutivë, me objekt për një vlerë detyrimi mbi 500 001 lekë deri në 90 000 000 lekë – nuk mund të jetë më e vogël se 2% dhe jo më e madhe se 7% e vlerës totale të detyrimit të vjelë ose të detyrimit të ekzekutuar.
Për mbledhjen e detyrimit apo ekzekutimin e suksesshëm të titujve ekzekutivë, me një vlerë detyrimi mbi 90 000 001 lekë nuk mund të jetë më e vogël se 1% dhe jo më e madhe se 3% e vlerës totale të detyrimit të vjelë ose të detyrimit të ekzekutuar, por jo më shumë se 7.000.000 lekë.
Vlera e tarifës së suksesit të shërbimit suksesit për veprime përmbarimore të kryera do të jetë një vlerë monetare, e cila nuk mund të jetë më pak se 1,000 (një mijë) lekë dhe jo më shumë se 50,000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
Pala kreditore dhe subjekti përmbarues mund të bien dakord në përputhje me marrëveshjen “tip” të miratuar me urdhër të ministrit të Drejtësisë, aplikimin e tarifës në mënyrë të kombinuar, mbivlerën e detyrimit të ekzekutuar, por gjithmonë shuma e tarifës së suksesit e kombinuar nuk duhet të kalojë shumën që do të aplikohej në aplikimin e secilës metodë tarifimi më vete.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.