Ndonëse me ritme më të ulëta se vitet e kaluara, depozitat në muajin gusht kanë shënuar tendencë rritëse, duke reflektuar tendencën sezonale të zhvendosjes së kursimeve të emigrantëve nga shtetet ku punojnë drejt vendit mëmë (gjatë gushtit dhe dhjetorit gjithnjë konstatohet një rritje më e lartë e kursimeve në krahasim em muajt e tjerë).
Por, pavarësisht prirjes pozitive rritëse, pas katër muaj radhazi që kursimet kishin shënuar rënie, shtesa e depozitave në gusht 2013 ishte më e ulëta e viteve të fundit, duke reflektuar krizën që po kalojnë emigrantët kryesisht në Greqi e Itali si dhe tendencën ciklike të largimit të emigrantëve nga vendi mëmë.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në fund të muajit gusht arriti në 948 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 13 miliardë lekësh, apo 1.4%, në raport me korrikun e po këtij viti (rreth 90% e rritjes erdhi nga kursimet në valutë). Megjithatë, nga të dhënat historike rezulton se, në vlerë absolute, kjo është shtesa mujore më e ulët e dekadës së fundit (shih grafikun). Shtesa më e lartë është konstatuar në gusht 2009, atëhere kur dhe prurjet vjetore të emigrantëve arritën kulmin.
Bankierët, në intervistat e tyre për Monitor, në fillim të muajit gusht kishin paralajmëruar që nuk prisnin ndonjë rritje të konsiderueshme depozitash në këtë muaj të nxehtë të verës.
Në raport me fundin e 2012-s, kursimet janë rritur me 17 miliardë lekë, apo 1.8%. Një vit më parë ndryshimet përkatëse ishin 54 miliardë lekë dhe 6.3%.
Me bazë vjetore (gusht 2013/gusht 2012), depozitat janë zgjeruar me 18 miliardë lekë, apo 1.9%. Një vit më parë ndryshimet përkatëse ishin 84 miliardë lekë dhe 10%, çka tregon se ritmet e rritjes së depozitave janë reduktuar ndjeshëm këtë vit, pjesërisht si rrjedhojë e rënies së remitancave, pjesërisht nga tërheqja e kursimeve në valutë që u konstatua në muajt përpara zgjedhjeve të qershorit, ndërkohë që dhe kriza ekonomike ka bërë punën e vet, teksa individët kanë më pak para për të kursyer.
Të dhënat e 6 mujorit të parë të vitit treguan se Të arddhurat që emigrantët dërgojnë në familjet e tyre në Shqipëri ishin në nivelet më të ulëta historike në tremujorin e dytë të vitit 2013, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, duke reflektuar si tendencën ciklike, ashtu dhe krizën që po kalojnë Greqia dhe Italia, shtetet ku ndodhet pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë. Statistikat tregojnë se prurjet e emigrantëve për tremujorin e dytë ishin 105 milionë euro, niveli më i ulët historik, që nga viti 2004, kur Banka e Shqipërisë publikon të dhënat. Për gjashtëmujorin e parë, remitancat ishin vetëm 228 milionë euro, me një rënie prej 33% në raport me periudhën janar-qershor 2012.
Burimi: BSH
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.